Prishtinë, 4 nëntor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti në takim Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, Gjeneralmajor Stephen E. Osborn.
Duke i uruar mirëseardhje, kryeministri Kurti e falënderoi Gjeneralmajorin Osborn për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe përkrahjen e vazhdueshme në procesin e transformimit të FSK-së, modernizimin dhe ngritjen e kapaciteteve të saj.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vyer dhe plot dobi të Gardës Kombëtare, të këtij shteti amerikan, për Forcën e Sigurisë së Kosovës, të përqendruar në trajnim profesional, edukim e lidership ushtarak dhe planifikim operacional e logjistik. Ndërsa tha se në këtë rast partneriteti i Republikës së Kosovës është i dyfishtë, me Ajovën si një dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si tërësi.
Kryeministri Kurti dhe Gjeneralmajor Osborn biseduan për hapat e parë dhe tejet të rëndësishëm të Republikës së Kosovës në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, sikurse për situatën e sigurisë në vend e rajon dhe u dakorduan për rolin kyç të Republikës së Kosovës në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.









