Kryeministri Kurti mori pjesë në tryezën ‘’Përtej tetorit rozë, së bashku për shëndetin’’

Prishtinë, 2 nëntor 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tryezën “Përtej tetorit rozë, së bashku për shëndetin”, me rastin e përmbylljes së aktiviteteve të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë profesionistët shëndetësorë, organizatat e institucionet, ndërmarrjet publike dhe private dhe të gjithë ata të cilët, në forma të ndryshme, por për qëllimin e njëjtë, angazhohen për ta çuar këtë mesazh te sa më shumë gra. ‘’Ky është një angazhim i përbashkët, që kërkon vazhdimësi por edhe përgjegjësi nga të gjithë ne’’, shtoi ai.

Në fjalën hapëse të kësaj tryeze, kryeministri Kurti theksoi se ky angazhim po i sjell edhe rezultatet e veta, ku sot, më shumë se gjysma e rasteve me kancer të gjirit zbulohen në stadet e hershme, I dhe II, kur ende janë lehtësisht të trajtueshme.

‘’Pas thirrjes për kontroll, mundësia dhe qasja për ta kryer atë, pra kontrollin, duhet të jetë shumë e lehtë. Në këtë drejtim mamografia tashmë ofrohet falas gjatë gjithë vitit. Gjatë tetorit, mamografi mobil udhëton nëpër qytetet e Kosovës për ta sjellë shërbimin edhe më afër grave’’, tha ai, derisa nënvizoi se për pacientët që kanë nevojë për trajtim, në Onkologji janë përmirësuar kushtet dhe janë instaluar aparatura të teknologjisë së fundit. Gjithashtu rikonstruktimi i gjirit ofrohet falas dhe pa pritje.

Kryeministri Kurti kërkoi vazhdim të këtij angazhimi edhe pas kësaj fushate, në mënyrë që çdo grua të ketë informacionin, qasjen dhe mbështetjen e nevojshme për ta mbrojtur shëndetin dhe jetën e saj.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Ju faleminderit, i nderuari Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia,
Të nderuara ministre të Qeverisë së Republikë së Kosovës, Saranda Bogujevci, ministre e Kulturës dhe Turizmit, dhe Mimoza Kusari Lila, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë, dhe Inovacionit,
E nderuara Shefe e Stafit të Kryeministrit, Flora Macula,
I nderuar Drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies sociale në Prishtinë, Dr. Bujar Gashi,
I nderuari Dr. Lavdim Ymeri, nga Klinika e Radiologjisë,
E nderuar Drejtoreshë e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies sociale, në Fushë Kosovë, Znj. Albana Gashi,
E nderuara Dr. Fatlinda Sadiku, Klinika e Patologjisë,
I nderuari Dr. Ilir Kurtishi, Klinika e Onkologjisë,
Dr. Nazmi Kolgeci, Drejtor i Klinikës së Kirurgjisë Torakale,
E nderuara Dr. Violeta Zatriqi, Drejtore e Klinikës së Kirurgjisë Plastike, Rekonstruktive dhe Estetike,
E nderuari Znj. Nafije Latifi, Drejtoreshë e organizatës “Jeta Vita”
Të nderuar të pranishëm,

Mirë se keni ardhur ne Kryeministri, në Qeverinë e Republikës së Kosovës, dhe qysh në fillim unë jam jashtëzakonisht mirënjohës dhe falënderues për punën që bëni, për angazhimin e pandalshëm dhe për kontributin që jepni.

Përveç mesazhit ndërgjegjësues e përtej tetorit rozë, bashkërisht synojmë nxitjen e një kulture të kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin publik, për shëndetin e secilit duke inkurajuar njëri tjetrin që të mos e shtyjnë kontrollin.

Më lejoni të shpreh mirënjohjen në veçanti për të gjithë profesionistët shëndetësorë, ata që nuk janë në këtë sallë, e janë aq të shumtë, pastaj stafin mjekësor, organizatat e institucionet, ndërmarrjet publike dhe private dhe të gjithë ata të cilët, në forma të ndryshme, por për qëllimin e njëjtë, angazhohen për ta çuar këtë mesazh te sa më shumë gra. Ky është një angazhim i përbashkët, që kërkon vazhdimësi por edhe përgjegjësi nga të gjithë ne.

Detyra jonë është të shkurtojmë distancën mes shqetësimit dhe kontrollit, mes diagnozës dhe trajtimit, mes gruas që kërkon ndihmë dhe institucionit që i përgjigjet asaj.

Kjo punë nis me ndërgjegjësimin, pra me fushatat qe i organizon Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, pastaj me punën e organizatave dhe kontributin e ndërmarrjeve publike e private. Faleminderit të gjithëve që thirrjen për kontroll që e çoni te sa më shumë gra.

Ky angazhim gjithsesi po i sjell edhe rezultatet e veta. Sot, më shumë se gjysma e rasteve me kancer të gjirit zbulohen në stadet e hershme, I dhe II, kur ende janë lehtësisht të trajtueshme.

Pas thirrjes për kontroll, mundësia dhe qasja për ta kryer atë, pra kontrollin, duhet të jetë shumë e lehtë. Në këtë drejtim mamografia tashmë ofrohet falas gjatë gjithë vitit. Gjatë tetorit, mamografi mobil udhëton nëpër qytetet e Kosovës për ta sjellë shërbimin edhe më afër grave.

Për pacientët që kanë nevojë për trajtim, në Onkologji janë përmirësuar edhe kushtet, edhe janë instaluar aparatura të teknologjisë së fundit. Gjithashtu ofrohet edhe rikonstruktimi i gjirit, falas dhe pa pritje.

Faleminderit profesionistëve shëndetësorë edhe organizatave, posaçërisht faleminderit zonja Nafije Latifi për kontributin 20-vjeçar që zëri i pacienteve të dëgjohet sa më shumë.

Le ta vazhdojmë këtë angazhim edhe pas kësaj fushate, në mënyrë që çdo grua të ketë informacionin, qasjen dhe mbështetjen e nevojshme për ta mbrojtur shëndetin dhe jetën e saj.

Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors