Kryeministri Kurti mori pjesë në pritjen lamtumirëse të Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorit Aivo Orav

Prishtinë, 18 mars 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë mbrëmë në pritjen lamtumirëse të Shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorit Aivo Orav.

Në këtë pritje lamtumirëse, kryeministri Kurti, fjalën e tij hyrëse e filloi duke falënderuar ambasadorin Orav për lidershipin, miqësinë dhe mbi të gjitha për partneritetin e tij. Më tej, ai shtoi se mbështetja e ambasadorit Orav për Kosovën, e ka demonstruar një angazhim të vendosur për të afruar Bashkimin Evropian dhe Kosovën me njëri-tjetrin. Këtu, ai përmendi edhe të arriturat nga Raportet e Progresit te fondet IPA, tek avancimi i Planit të Rritjes dhe heqjen e masave të padrejta ndaj vendit tonë.

“Ju e keni trajtuar Kosovën si një partner të vërtetë, gjë që ne e vlerësojmë thellësisht. Angazhimi juaj pasqyroi si përkushtimin tuaj personal ashtu edhe angazhimin e qëndrueshëm të Bashkimit Evropian”, tha ai.

Kryeministri Kurti u shpreh për Ambasadorin Orav se ai e trajtoi popullin e Kosovës si qytetarë dhe individë, jo si dosje rastesh, statistika të thata apo homologë abstraktë, dhe kjo i dha bashkëpunimit tonë një themel besimi dhe një ndjenjë sinqeriteti.

“Duke ardhur nga një vend me përvoja jo shumë të largëta nga tonat, ju e kuptuat z.Orav, Kosovën ashtu siç është, në përputhje me vlerat e BE-së, në përputhje me politikën e saj të jashtme dhe të investuar në një të ardhme të përbashkët. Kjo është arsyeja pse shkëmbimet tona ishin gjithmonë të drejtpërdrejta dhe takimet tona produktive”, shtoi ai.

Teksa, e falënderoi ambasadorin Orav për kontributin, partneritetin tuaj dhe miqësinë e tij, kryeministri u shpreh se mandati diplomatik këtu ishte i shkurtër dhe plotësues, megjithatë miqësia që kemi ndërtuar do të zgjasë shumë.

Me këtë rast, kryeministri nuk kaloi pa përmendur edhe librin që ambasadori Orav i dhuroi në takimin lamtumirës dje, një roman si dhuratë,për të cilin ai tha se do ta kujtoi gjithmonë, si një seri tregimesh të shkurtra që shndërrohen në një roman të këndshëm organik.

“Ambasador, më lejoni të kujtoj një shënim që shkruat në librin që më dhuruat me mirësi dje, i cili thotë: “Ne po ndajmë një histori të trishtueshme të ngjashme. Jam i sigurt se do të ndajmë një të ardhme të lumtur”. Kjo kap më shumë sesa një reflektim personal; është thelbi i marrëdhënies që kemi zhvilluar, të rrënjosur në mirëkuptim dhe të bashkuar në qëllim”, përfundoi fjalën e tij kryeministri.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuar z. Aivo Orav, Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë,
Të nderuar ministra të Qeverisë dhe deputetë të Kuvendit,
Kryetar i Prishtinës, z. Rama,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
Mysafirë të nderuar,
Zonja dhe zotërinj,
Zonja Kryetare e Kuvendit, Albulena Haxhiu,

Ka qenë kënaqësi e vërtetë ta kemi z. Orav këtu si Shef të Misionit të BE-së dhe ambasador në Kosovë. Dua t’ju falënderoj për lidershipin tuaj, për miqësinë tuaj dhe, mbi të gjitha, për partneritetin tuaj.

Nga Raportet e Progresit te fondet IPA, avancimi i Planit të Rritjes dhe heqja e masave të padrejta, mbështetja juaj ka dëshmuar një përkushtim të palëkundur për ta afruar Bashkimin Evropian dhe Kosovën me njëra-tjetrën.

Ju e keni trajtuar Kosovën si partnere të vërtetë, gjë që ne e vlerësojmë thellësisht. Angazhimi juaj pasqyroi si përkushtimin tuaj personal ashtu edhe angazhimin e qëndrueshëm të Bashkimit Evropian.

Siç e dini të gjithë, unë i përkas një partie që quhet VETËVENDOSJE!, që do të thotë vetë-vendosje, dhe nuk është se njihemi veçanërisht të dhënë pas negociatave. Megjithatë, përmes këtij partneriteti me Bashkimin Evropian, sidomos gjatë mandatit të shkurtër të z. Orav, ato kanë filluar disi të më pëlqejnë.

Natyrisht, gjatë rrugës kemi pasur pjesën tonë të mospajtimeve, ndonjëherë për rendin e hapave dhe ndonjëherë për kohën e veprimeve, por kurrë për qëllimet tona të njëjta apo vlerat tona të përbashkëta. Në diplomaci, kam arritur ta kuptoj se, një shkallë e caktuar mosmarrëveshjeve shpesh është një formë tjetër e bashkëpunimit.

Duke ardhur nga një vend me përvoja jo edhe aq të largëta nga tonat, ju, z. Orav, e kuptuat Kosovën ashtu siç është, në përputhje me vlerat e BE-së, në përputhje me politikën e saj të jashtme dhe të investuar në një të ardhme të përbashkët. Prandaj shkëmbimet tona ishin gjithmonë të drejtpërdrejta dhe takimet tona produktive. Përmes jush, ne përjetuam një Bashkim Evropian më të mirë.

Ambasador Orav, ju keni treguar se diplomacia nuk ka të bëjë vetëm me struktura të ngurta, pika bisedimesh dhe mirësjellje të përsëritura. Faktori njeri ka po aq rëndësi dhe kjo është diçka që ju e sollët në bashkëpunimin tonë.

Ambasador, ju e trajtuat popullin e Kosovës si qytetarë dhe individë, jo si dosje, statistika të thata apo palë abstrakte, dhe kjo i dha bashkëpunimit tonë një themel besimi dhe një ndjenjë sinqeriteti.

Po ashtu, mezi presim ta vazhdojmë bashkëpunimin tonë në të njëjtën frymë me znj. Eva Palatova dhe me të tjerët që do të vijnë pas, duke u mbështetur në standardin që keni vendosur ju.

Në punën tuaj, Kosova nuk ishte vetëm një partnere për reforma të brendshme, por një partnere në ndërtimin e një Evrope më të fortë në Ballkanin Perëndimor. Ndoshta janë pikërisht këto këndvështrime të ndërsjella që na kujtojnë se sa thelbësor është uniteti i kontinentit tonë për sigurinë, demokracinë dhe prosperitetin.

Mandati juaj diplomatik këtu ishte i shkurtër dhe tashmë ka ardhur në përmbyllje, megjithatë miqësia që kemi ndërtuar do të zgjasë gjatë. Kudo që t’ju çojë angazhimi juaj i radhës, Kosova mike do të dëshironte t’ju mirëpriste sërish këtu një ditë, ndoshta përsëri si diplomat dhe sigurisht gjithmonë si mik.

Me rastin e ardhjes së tij, Ambasadori Orav më dhuroi një libër, një përmbledhje me tregime të shkurtra, dhe në takimin tonë lamtumirës dje, ai më solli sërish si dhuratë një roman. Kështu do ta kujtoj gjithmonë trashëgiminë tuaj: një varg tregimesh të shkurtra që shndërrohen në një roman të bukur, organik.

Ambasador, më lejoni të rikujtoj një shënim që ma shkruat në librin që patët mirësinë të ma dhuronit dje, ku thuhej: “Ne po ndajmë një histori të ngjashme të trishtueshme. Jam i sigurt se do të ndajmë një të ardhme të lumtur.” Kjo shpreh më shumë se një reflektim personal; është thelbi i marrëdhënies që kemi zhvilluar, e rrënjosur në mirëkuptim dhe e bashkuar pas një qëllimi.

Ju faleminderit për kontributin tuaj, partneritetin tuaj dhe miqësinë tuaj!

Suur aitäh, i dashur Ambasador Avio Orav.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors