Kryeministri Kurti mori pjesë në përmbylljen e projektit PIAKOS, për regjistrim të pronës

Prishtinë, 13 tetor 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në përmbylljen e projektit PIAKOS të Qendrës për Avokim dhe Trajnime (ATRC) për regjistrim të pronës.

Duke e vlerësuar këtë nismë, kryeministri Kurti tha se ajo ka vënë në pah rëndësinë e të drejtës së pronës, e cila si e tillë nuk duhet të mbetet vetëm garanci në letër, por të jetohet e zbatohet, të jetësohet për secilin qytetar pa dallim.
Kryeministri Kurti theksoi se dokumentacioni pronësor garanton sigurinë juridike mbi të, duke shtuar se krahas qasjes në programe mbështetëse qeveritare, pronësia e regjistruar krijon edhe mundësi më të mira për qasje në financim.

“Mund të duket si çështje administrative, por për një person apo familje rregullimi i dokumentacionit të pronës është parakusht kryesor, i cili hap mundësinë e mbështetjes publike, qoftë për renovimin e shtëpisë, rindërtimin e saj, apo programet tona të përfshirjes në Banimin Social Adekuat”, tha kryeministri.

Ai foli edhe për rëndësinë e regjistrimit të pronave në emër të të dy bashkëshortëve si hap konkret drejt barazisë, ndërsa përmendi përparimin e shënuar në këtë drejtim.

“Për më pak sesa një dekadë është 300-fishuar regjistrimi i pronave nga të dy bashkëshortët. Në vitin 2016 kanë qenë rreth 100 prona në tërë Kosovën që janë regjistruar në emrin e të dy bashkëshortëve të një çifti, dhe, sot që po flasim, kjo shifër është rreth 31 mijë. Pra, kemi një rritje 300 fish të regjistrimit të pronave në emër të të dy bashkëshortëve”, tha ai.

Duke theksuar rëndësinë e Kadastrit në këtë mes, kryeministri Kurti përsëriti shqetësimin e kamotshëm të mos-zbatimit nga Serbia të marrëveshjes për dokumentacionin kadastral.

“Natyrisht që sfidë e veçantë për shtetin tonë ngelet fakti që janë bërë më shumë se 15 vjet që Serbia nuk na e ka dorëzuar dokumentacionin kadastral edhe pse marrëveshja në Bruksel është nënshkruar me datën 2 shtator të vitit 2011. Pra, në muajin e kaluar janë bërë 15 vjet që Bashkimi Evropian ua ka dhënë 2 milionë euro Beogradit zyrtar, e ata s’na e kanë dorëzuar as kopjen e dokumentacionit kadastral se lëre më origjinalin”, theksoi kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari z. Kushtrim Kaloshi, drejtor ekzekutiv i ATRC-së,
E nderuara znj. Jane Millicent Sprouster, Zëvendësdrejtore e Bankës Botërore për Kosovën,
E nderuara znj. Odeta Näks, menaxhere e projektit PIAKOS të ATRC-së,
Të nderuar përfaqësues të Bankës Botërore,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare,
Të nderuar ambasadorë dhe diplomatë të tjerë të akredituar në Republikën e Kosovës,
Të nderuar partnerë,
Zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi e veçantë të jem bashkë me juve këtu sot në përmbylljen e projektit PIAKOS, një nismë e cila ka vënë në pah rëndësinë e të drejtës së pronës, e cila si e tillë nuk duhet të mbetet vetëm garanci në letër, por të jetohet e zbatohet, të jetësohet për secilin qytetar pa dallim.
Natyrisht, kjo tematikë është e lidhur ngushtë edhe me dikasterin tonë qeveritar , përkatësisht Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për çfarë besoj se kemi bërë mirë që në këtë mandat e kemi ndarë nga Infrastruktura dhe Transporti. Dhe, në këtë mënyrë, çështja e pronës, kadastrit dhe banimit, që ka për bosht të zhvillimit të qëndrueshëm barazia sociale dhe programi jonë qeveritar, merr vëmendje më të posaçme. Dokumentacioni është garantues i sigurisë juridike, që është parakusht për sigurinë e shtëpisë a banesës, e po ashtu edhe mirëqenies dhe dinjitet të një familjeje. Banimi është e drejtë e njeriut dhe nuk mund të kuptohet jeta cilësore pa banim të sigurt.

Bashkëpunimi i qeverisë sonë me Qendrën për Avokim dhe Trajnime (ATRC), nëpërmjet programit PIAKOS, është me të vërtet një vlerë e shtuar, sepse ajo nuk u ndal te fushata informuese, por u zbatua në terren, me qytetarët përmes mbështetjes direkte në 16 komuna anembanë Kosovës, me ç’rast meritë të veçantë kanë shumë aktivistë, të cilët punuan në këtë drejtim dhe ku përfitues janë posaçërisht gratë, të cilat arritën ta rregullojnë dokumentacionin pronësor, procedurat e trashëgimisë te noterët dhe shërbimet gjeodezike.

Për më pak sesa një dekadë është 300-fishuar regjistrimi i pronave nga të dy bashkëshortët. Në vitin 2016 kanë qenë rreth 100 prona në tërë Kosovën që janë regjistruar në emrin e të dy bashkëshortëve të një çifti, dhe, sot që po flasim, kjo shifër është rreth 31,000. Pra, kemi një rritje 300 fish të numrit të regjistrimit të pronave në emër të të dy bashkëshortëve.

Mund të duket si çështje administrative, por për një person apo familje rregullimi i dokumentacionit të pronës është parakusht kryesor, i cili hap mundësinë e mbështetjes publike, qoftë për renovimin e shtëpisë, rindërtimin e saj, apo programet tona të përfshirjes në Banimin Social Adekuat.

Qeveria ka ndërmarrë reforma konkrete në pronë dhe në kadastër:

Në bashkëpunim me Bankën Botërore, përmes projektit REGIP kemi shtyrë përpara Rindërtimin e Kadastrit në 115 zona kadastrale në të gjithë Kosovën. Po punojmë me ngulm dhe me mbikëqyrje të rreptë që ky projekt të përmbushë të gjitha obligimet e planifikuara me kohë, në mënyrë që qytetarët t’i zgjidhin problemet e grumbulluara ndër shumë vite.

Pastaj, kemi vendosur një standard të ri të llogaridhënies. Nuk ka më tolerancë për abuzimet, falsifikimet apo tjetërsimin e kundërligjshëm të pronës publike. Çdo parregullsi dhe çdo dosje e dyshimtë, qoftë në proceset e shpronësimeve apo të kadastrit, po dërgohet me vendosmëri në Prokurori, meqenëse prona publike i takon qytetarëve dhe shtetit, që të gjithë neve, që do të thotë se asnjërit me emër të përveçëm.

Përmes Agjencisë Kadastrale dhe në përgjithësi programeve të rregullimit hapësinor, për herë të parë kemi bërë edhe shtrirjen zyrtare të sistemit të adresave dhe Agjencia Kadastrale ka dhënë një rezultat të jashtëzakonshëm sa i përket edhe regjistrimeve në veri të Kosovës, përfshirë këtu emërtimin e rrugëve në katër komunat atje (Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok), dhe kemi verifikuar e regjistruar mbi 23,600 prona për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë, duke garantuar barazi administrative e ligjore në të gjithë territorin e Republikës.

Në kuadër të projektit për Banim Social Adekuat kemi ndarë 37 milionë euro për 773 njësi të banimit në 21 Komuna. Përmes programeve të veçanta, po rindërtojmë e renovojmë dhjetëra shtëpi për familjet në nevojë dhe ato që kthehen në pronat e tyre, ndërsa po punojmë për Bazën e të Dhënave në nivelin kombëtar të Banimit Social dhe Strategjisë Kombëtare të Banimit.

Nga asistenca profesionale për komunat në hartimin e Planeve Zhvillimore Komunale, te ndalimi i betonimit pa kritere te rregullimi i shtretërve të lumenjve, vendosja e rendit te gurëthyesit dhe deri te pastrimi i deponive ilegale të mbeturinave, çdo hap që bëjmë synon një mjedis më të pastër, më të gjelbër dhe më të shëndetshëm për të gjithë.


Të nderuar të pranishëm,

Trajnimi i më shumë se 600 zyrtarëve ligjorë, gjeodetëve, noterëve e gazetarëve përmes projektit PIAKOS tregon se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi ndërmjet nivelit qendror, agjencive, si ajo Kadastrale, dhe, në këtë rast, edhe shoqërisë civile.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që programet të arrijnë te secila familje në nevojë.
Kur një grua bëhet me titull pronësie, kur një familje e cenueshme rregullon letrat e shtëpisë, dhe kur një fëmijë rritet në një banesë të sigurt e dinjitoze, atëherë reformat tona marrin kuptimin e tyre të plotë.

Natyrisht që sfidë e veçantë për shtetin tonë ngelet fakti që janë bërë më shumë se 15 vjet që Serbia nuk na e ka dorëzuar dokumentacionin kadastral edhe pse marrëveshja në Bruksel është nënshkruar me datën 2 shtator të vitit 2011. Pra, në muajin e kaluar janë bërë 15 vjet që Bashkimi Evropian ua ka dhënë 2 milionë euro Beogradit zyrtar, e ata s’na e kanë dorëzuar as kopjen e dokumentacionit kadastral se lëre më origjinalin.

E pavarësisht kësaj vështirësie e këtyre sfidave, Agjencioni Kadastral, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, institucionet e shtetit dhe shoqëria civile po punojnë bashkë që të bëjmë më të mirën e mundshme për qytetarët Republikës.

Në veçanti, i shpreh mirënjohje ATRC-së, Bankës Botërore, Fondit për Paqe dhe Shtet-Ndërtim, si dhe të gjithë profesionistëve e zyrtarëve, të cilët punuan pa u ndalur e pa u lodhur.

Ju faleminderit për ftesën dhe vëmendjen.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors