Mitrovicë, 29 shtator 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Konferencën XXII të Rrjetit Evropian për Zhvillimin Rural me temë: “Zonat rurale reziliente dhe sistemet ushqimore të qëndrueshme: qeverisja, kornizat e politikave dhe sfidat strukturore”, organizuar nga Kolegji Publik Ndërkombëtar i Biznesit Mitrovica (IBCM) dhe Rrjeti Evropian për Zhvillimin Rural.
Me këtë rast, kryeministri Kurti theksoi se për Kosovën, zhvillimi rural ka rëndësi të veçantë. “Ne kemi tokë pjellore, burime natyrore, traditë bujqësore dhe potencial njerëzor. Por kemi edhe vështirësitë nga sfida strukturore e deri te ndryshimet klimatike. Prandaj, synimi ynë nuk është thjesht të mbështesim bujqësinë, por edhe ta transformojmë atë”, tha ai.
Duke vënë në pah faktin se një pjesë e madhe e popullsisë sonë jeton në zona rurale dhe se bujqësia e blegtoria, përpunimi i ushqimit dhe bizneset e vogla rurale përbëjnë bazën e të ardhurave dhe të dinjitetit për shumë familje, kryeministri tha se pikërisht për këtë arsye, qeveria jonë po investon në mënyrë strategjike në bujqësi dhe zhvillim rural, duke mos i trajtuar ato si kosto sociale.
“Duam të investojmë në ujë dhe ujitje, në shëndetin e tokës, si dhe në kapacitetet e përpunimit dhe magazinimit, në mënyrë që fermerët tanë t’i shtojnë vlerë prodhimeve të tyre, në vend që të eksportojnë produkte të papërpunuara dhe të importojnë produkte të gatshme”, tha kryeministri.
Po ashtu, Kryeministri foli për rëndësinë e ndërtimit të një sistemi ushqimor ku siguria e konsumatorit, konkurrenca e ndershme në treg dhe besimi në institucionet publike janë të panegociueshme, e këtu siç tha ai, universitetet tona dhe Akademia jonë e Shkencave përveçse vend mësimdhënie, duhet të jenë edhe qendra të kërkimit shkencor dhe e këshillimit për politika publike.
Duke vlerësuar se diskutimet në këtë konferencë mbi Kornizën e ardhshme Financiare Shumëvjeçare për periudhën 2028–2034 janë tejet të rëndësishme për ne, kryeministri tha se “e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, e kjo nënkupton zgjedhje dhe përcaktim për vlerat, institucionet dhe standardet sipas të cilave duam të jetojmë, përfshirë këtu standardet e ushqimit që vendosim në tryezat tona”.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuara Rektore e Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit Mitrovica, Profesore, Mihone Kerolli Mustafa,
I nderuari Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Armend Muja,
I nderuari Paweł Chmieliński, President i Rrjetit Evropian për Zhvillim Rural,
I nderuari z. Alexandru Albu, Zëvendës Shef i Bashkëpunimit në Bashkimin Evropian në Kosovë,
I nderuari z. Fejzullah Krasniqi, Nënkryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,
E nderuara Arjeta Fejza, deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj, të nderuar profesorë, studiues dhe miq nga Evropa e më gjerë,
Mirëmëngjes dhe mirë se vini në Kosovë. Mirë se vini në Mitrovicë,
Për Kosovën, zhvillimi rural ka rëndësi të veçantë. Ne kemi tokë pjellore, burime natyrore, traditë bujqësore dhe potencial njerëzor. Por kemi edhe vështirësitë nga sfida strukturore e deri te ndryshimet klimatike. Prandaj, synimi ynë nuk është thjesht të mbështesim bujqësinë, por edhe ta transformojmë atë.
Një pjesë e madhe e popullsisë sonë jeton në zona rurale. Bujqësia e blegtoria, përpunimi i ushqimit dhe bizneset e vogla rurale përbëjnë bazën e të ardhurave dhe të dinjitetit për shumë familje. Pikërisht për këtë arsye, qeveria jonë po investon në mënyrë strategjike në bujqësi dhe zhvillim rural, duke mos i trajtuar ato si kosto sociale.
Në këtë drejtim, në fokus kemi mbështetjen në përtëritjen e brezave, në mënyrë që fermerët dhe sipërmarrësit e rinj ta shohin të ardhmen e tyre në zonat rurale, në mbështetjen e grave në zonat rurale, të cilat kryejnë një pjesë të madhe të punës, por shumë shpesh nuk kanë përfaqësimin dhe të ardhurat që i meritojnë.
Duam të investojmë në ujë dhe ujitje, në shëndetin e tokës, si dhe në kapacitetet e përpunimit dhe magazinimit, në mënyrë që fermerët tanë t’i shtojnë vlerë prodhimeve të tyre, në vend që të eksportojnë produkte të papërpunuara dhe të importojnë produkte të gatshme.
Të kalojmë nga mbështetja e bazuar kryesisht në sipërfaqe dhe numër të krerëve, drejt një sistemi që nxit prodhimin, cilësinë, produktivitetin dhe konkurrueshmërinë.
Të ndërtojmë rezervuare uji përmes 5 digave të reja nëpër Kosovë, pastaj të mbrojmë tokën bujqësore, të fuqizojmë përpunimin vendor dhe të krijojmë lidhje më të forta ndërmjet fermerit, industrisë dhe konsumatorit.
Mbi të gjitha, të ndërtojmë një sistem ushqimor ku siguria e konsumatorit tonë, konkurrenca e ndershme në treg dhe besimi në institucionet publike janë të panegociueshme.
Këtu natyrisht përveç mbështetjes politike si qeverisje është e domosdoshme edhe shkenca, partneriteti ndërmjet akademisë dhe institucioneve publike. Universitetet tona dhe Akademia jonë e Shkencave përveçse vend mësimdhënie, duhet të jenë edhe qendra të kërkimit shkencor dhe e këshillimit për politika publike.
Dhe kemi nevojë që studiuesit nga Kosova që janë të integruar në rrjete evropiane si ERDN-ja, ku idetë, përvojat dhe metodat shkëmbehen përtej kufijve. Konferenca si kjo e shndërrojnë kërkimin shkencor në rekomandime konkrete, ndërsa rekomandimet praktikisht në jetë më të mirë për qytetarët e zonave rurale.
Të nderuar pjesëmarrës,
Një mësim i rëndësishëm i viteve të fundit është se siguria ushqimore nuk mund të mbështetet vetëm te tregjet ndërkombëtare. Pandemia, luftërat dhe çrregullimet në zinxhirët e furnizimit na kanë treguar rëndësinë e kapaciteteve vendore prodhuese. Për këtë arsye, prodhimi vendor është një prioritet ekonomik dhe strategjik.
Megjithëkëto, zhvillimi rural nuk përfundon te ferma. Ai fillon me njerëzit. Një fshat i qëndrueshëm ka nevojë për shkolla cilësore, por edhe për shërbime shëndetësore, infrastrukturë, lidhje digjitale dhe gjithsesi mundësi punësimi.
Të nderuar mysafirë,
E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, e kjo nënkupton zgjedhje dhe përcaktim për vlerat, institucionet dhe standardet sipas të cilave duam të jetojmë, përfshirë këtu standardet e ushqimit që vendosim në tryezat tona.
Prandaj, diskutimet në këtë konferencë mbi Kornizën e ardhshme Financiare Shumëvjeçare për periudhën 2028–2034 janë tejet të rëndësishme për ne. Mënyra se si Bashkimi Evropian do ta hartojë buxhetin e ardhshëm dhe mënyra se si do t’i mbështesë vendet kandidate do të ndikojnë në gatishmërinë e fermerëve dhe institucioneve tona për shumë vite.
Për ne është, po ashtu, e rëndësishme që të mësojmë nga përvoja e shteteve anëtare. Përvoja e Polonisë në përshtatjen dhe modernizimin e bujqësisë së saj, si dhe shembujt nga Lituania e Rumania dhe vendet e tjera të cilat do të prezantohen këtu, janë mësime të rëndësishme për ne si për atë që ka funksionuar mirë, ashtu edhe për atë që nuk ka funksionuar.
Të nderuar miq,
E ardhmja e zonave rurale përcaktohet nga ajo që prodhojmë sot, por edhe nga mundësitë që ne krijojmë për gjeneratat e ardhshme, të cilat vijnë pas nesh.
Nuk do të ketë Kosovë më të zhvilluar pa fshat më të zhvilluar. Nuk do të ketë ekonomi më të fortë pa bujqësi më produktive. Dhe një shoqëri më e qëndrueshme natyrisht kërkon një sistem ushqimor më të sigurt.
Ju falënderoj që keni zgjedhur Kosovën për këtë konferencë dhe ju uroj punime të suksesshme!













