Mitrovicë, 1 Tetor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Samitit Ndërkombëtar Ballkanik të Rinisë për Paqe 2026, në Mitrovicë, i organizuar nga Youth and Students for Peace Balkan dhe Federata Universale e Paqes.
Njoftimi i plotë i Kryeministrit Kurti:
Në Mitrovicë u hap Samiti Ndërkombëtar Ballkanik i Rinisë për Paqe 2026, i organizuar nga Youth and Students for Peace Balkan dhe Federata Universale e Paqes, e që bëri bashkë të rinj e të reja nga më shumë se 50 shtete.
Dita e parë e samitit përkoi pikërisht me 29-vjetorin e protestës studentore të 1 tetorit 1997. Nga ajo ditë e deri sot, brenda një brezi, kaluam nga çlirimi te pavarësia e deri te një demokraci funksionale me rritje të qëndrueshme ekonomike. Kosova është shteti më demokratik në rajon e më gjerë, i ndërtuar mbi idenë se njerëzit janë të lirë dhe të barabartë, pavarësisht se ku rriten apo cilit komunitet i përkasin.
Mirëpo, demokracitë përballen me sfida të reja siç është dezinformomi, që mbjellë aq shumë dyshime, sa nuk e dallojmë më të vërtetën nga gënjeshtra. Prandaj, u bëra thirrje të rinjve që ta kërkojnë të vërtetën dhe të kenë guximin ta thonë hapur.
Inteligjenca artificiale po ecën më shpejt se gjithçka tjetër dhe do të sjellë përfitime të mëdha, por nuk mund t’i imitojë keqkuptimet, faljet dhe përpjekjen për t’u kuptuar me njëri-tjetrin. Pikërisht përmes tyre krijohen lidhjet e vërteta mes njerëzve dhe nis paqja. Për shumë vjet, urat mbi Ibër në Mitrovicë kishin formën e urës, por funksionalitetin e murit. Sot ato i lidhin njerëzit.






















