Prishtinë, 7 nëntor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e edicionit të katërt të Swiss Medical School.
Kryesministri Kurti foli për bashkëpunimin e mjekëve shqiptarë, të cilët e kombinojnë përgjegjësinë profesionale dhe personale në nëvojën e bashkëpunimit, diskutimit, drejt konsultimeve të ardhshme mjekësore për hirë të shëndetit publik të qytetarëve tanë dhe pacientëve kudo në përgjithësi.
‘’E në veçanti ju falënderoj që, krahas përgjegjësive institucionale ku punoni në Zvicër, gjeni kohë dhe mundësi për ta ndarë përvojën e tuaj me kolegët këtu në Kosovë. Përmes këtij angazhimi, njohuritë e fituara jashtë vendit bëhen pjesë e zhvillimit profesional edhe këtu tek ne dhe, rrjedhimisht, e kujdesit që marrin qytetarët tanë’’, tha ai.
Kryeministri Kurti foli edhe për mbështetjen e Qeverisë për kushte më të mira pune për mjekët, me pajisje bashkëkohore, por edhe me mundësi të reja trajnim, teksa përmendi edhe investimet që janë bë nga Qeveria për shëndetësinë.
Teksa foli dhe shprehu brengosjen e asaj që njihet si ‘’ikje e trurit’’, kryeministri Kurti, theksoi edhe dukurinë e kundërt të saj ku vetëm gjatë vitit 2025, 171 mjekë u kthyen për të jetuar dhe punuar në Kosovë.
“I mirëpresim ata që vendosin të jetojnë e të punojnë këtu dhe çmojmë kontributin e kolegëve që vazhdojnë të punojnë jashtë vendit por herë pas here kthehen në vendlindje për të ligjëruar, për të trajnuar mjekë të rinj ose për të punuar krahas ekipeve tona. Ky takim shembull i një bashkëpunimi të atillë. Dëshirojmë që ai të vazhdojë edhe pas ditës së sotme, mes kolegëve dhe institucioneve ku ata punojnë’’, tha ai.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Të nderuar përfaqësues të Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër,
I nderuar ministër i Shëndetësisë, dr. Arben Vitia,
Të nderuar profesorë, mjekë dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë,
Të dashur studentë të mjekësisë,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Ju falënderoj për ftesën që të jem me juve bashkë këtu sot në hapjen e edicionit të katërt të Swiss Medical School.
Është kënaqësi të shoh mjekë shqiptarë bashkë të cilët e kombinojnë përgjegjësinë profesionale dhe personale në në nevojën e bashkëpunimit, diskutimit, drejt konsultimeve të ardhshme mjekësore për hir të shëndetit publik të qytetarëve tanë dhe pacientëve kudo në përgjithësi. E në veçanti ju falënderoj që, krahas përgjegjësive institucionale ku punoni në Zvicër, gjeni kohë dhe mundësi për ta ndarë përvojën tuaj me kolegët këtu në Kosovë. Përmes këtij angazhimi, njohuritë e fituara jashtë vendit bëhen pjesë e zhvillimit profesional edhe këtu te ne dhe, rrjedhimisht, e kujdesit që marrin qytetarët tanë.
Programi i sotëm e tregon edhe vlerën praktike të këtij bashkëpunimi. Nga sëmundjet koronare dhe urgjencat vaskulare, te endokrinologjia, gastroenterologjia, gjinekologjia dhe neuroimazheria, temat lidhen me vendime që mjekët i marrin çdo ditë. Vendime që kërkojnë njohuri të përditësuara, gjykim të kujdesshëm dhe bashkëpunim ndërmjet specialiteteve.
Pikërisht për këtë, ligjëratat e ndërthurura me punëtoritë janë tejet të vlefshme, sepse krijojnë hapësirën që përvoja të diskutohet dhe të analizohen rastet.
Të nderuar të pranishëm,
Përgjegjësia jonë si Qeveri është që përkushtimin tuaj profesional ta mbështesim me kushte më të mira pune, me pajisje bashkëkohore, por edhe me mundësi të reja trajnimi.
Në Gjinekologji, investimet në transformimin e reparteve kanë kaluar vlerën prej 5.5 milionë euro. Kemi funksionalizuar për herë të parë edhe shërbimin e frytnimit të asistuar mjekësor.
Pardje pra më (5 nëntor), u shënua lindja e parë nga një shtatzëni e arritur përmes këtij shërbimi në sektorin publik. Më herët, ky shërbim ofrohej vetëm në institucionet private me kosto shumë të lartë, ndërsa tashmë ëndrra për t’u bërë prindër është e mundur për të gjithë, pa kosto dhe atë në sektorin tonin e tuajin, publik.
Në Kardiologjinë Invazive të QKUK-së, këtë vit e kemi përuruar hapësirën e rinovuar dhe angiografin e ri, falë një investimi prej afër 1.45 milionë eurosh, me mbështetjen e Qeverisë së Luksemburgut. Në Neurokirurgji dhe Kirurgji Vaskulare kemi investuar mbi tre milionë euro për të modernizuar sallat operative dhe për t’i pajisur ato me aparatura të reja.
Këta janë disa nga investimet dhe shërbimet e reja. Edhe në shumë klinika të tjera dhe në spitale rajonale kemi përmirësuar kushtet e punës dhe kemi zgjeruar shërbimet që qytetarët mund t’i marrin ato shumë afër vendit ku jetojnë e banojnë.
Ndërkaq, buxhetin për Listën e Barnave Esenciale e kemi rritur në vazhdimësi, substancialisht. Ta zëmë, nga 35 milionë euro në vitin 2019, viti i parë parapandemik para qeverisjes sonë, sivjet është 64 milionë euro. Një rritje prej rreth 83%. Nëse shohim vetëm buxhetin për barna për pacientët onkologjikë, nga 8 milionë kemi ngritje në 22 milionë euro, pra rritje prej 175%.
Të gjithë jemi të brengosur me atë që quhet në mënyrë të popullarizuar por me dhembje ‘’ikje e trurit’’ edhe mjekët edhe infermierët tanë që lëshojnë atdheun dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, posaçërisht në Evropën Perëndimore por viteve të fundit e kemi dukurinë e cila është e kundërta e saj, drejtimi i njëjtë por kahja e kundërt, ‘’kthimi i trurit’’.
Vetëm gjatë vitit 2025, 171 mjekë u kthyen për të jetuar dhe punuar në Kosovë. I mirëpresim ata që vendosin të jetojnë e të punojnë këtu dhe çmojmë kontributin e kolegëve që vazhdojnë të punojnë jashtë vendit por herë pas here kthehen në vendlindje për të ligjëruar, për të trajnuar mjekë të rinj ose për të punuar krahas ekipeve tona. Ky takim është shembull i një bashkëpunimi të atillë. Dëshirojmë që ai të vazhdojë edhe pas ditës së sotme, mes kolegëve dhe institucioneve ku ata punojnë.
Përveç këtyre, në vazhdimësi kemi hapur edhe konkurse për specializime, duke u bazuar për herë të parë në kritere të qarta dhe të sakta.
Bashkëpunimin me mjekët e diasporës e shohim si marrëdhënie afatgjatë dhe të domosdoshme.
Mjekëve të rinj u uroj që këtë ditë ta shfrytëzojnë për të pyetur, për të diskutuar dhe për të krijuar lidhje profesionale. Gatishmëria për të mësuar nga njëri-tjetri është pjesë e përgjegjësisë ndaj pacientit dhe profesionit.
Përparimi shkencor, kujdesi mjekësor, menaxhimi shëndetësor bëhen bashkë pikërisht në forume të tilla andaj u jam mirënjohës organizatorëve, ligjëruesve dhe të gjithë pjesëmarrësve për kontributin në këtë punëtori.
Ju uroj punë të mbarë dhe diskutime të frytshme.
Ju faleminderit shumë për ftesën dhe vëmëndjen!








