Kryeministri Kurti: Mbajtja e tarifës 100 për qind siç është e pa reciprocitet, është pozicion ekstrem


Image


Image

Prishtinë, 11 mars 2020

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e thirrur për të diskutuar rreth tarifës 100 për qind ndaj Serbisë.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuar deputetë,

Të dashur qytetarë,

Të nderuar ministra e zëvendëskryeministra

Mbajtja e tarifës 100% siç është e pareciprocitet, është pozicion ekstrem. Pra, të thuash tarifë 100% dhe nuk çaj kokën për reciprocitetin është pozicion ekstrem.

Edhe heqja e plotë dhe e menjëhershme e tarifës 100%, pa e vendosur dhe pa e përmendur fare reciprocitetin po ashtu është pozicion ekstrem. Këto janë dy ekstreme. Ne duhet të jemi kundër këtyre ekstremeve. Ne s’duhet të jemi esktremistë. Ne duhet të jemi normal dhe unë jam i bindur që ka një qëndrim normal e ky është zëvendësimi i tarifës qind për qind me reciprocitetin. Dhe, ka një qëndrim sublim normal, e ky është zëvendësimi gradual i tarifës qind për qind me reciprocitetin.

Përgjatë këtij zëvendësimi gradual do të krijoheshin edhe masat e mirëbesimit për  dialogun e ardhshëm. Po e ritheksoj nga seanca e kaluar “ krejt ose hiç, ose tash ose kurrë”, nuk bën. Pra, është e domosdoshme që të ikim prej këtyre pozicioneve ekstreme.

Tash, ne në fushatë kemi garuar me reciprocitetin. Të gjithë ne që kemi garuar në fushatë me reciprocitetin dhe kemi marrë votat e qytetarëve është e domosdoshme që për ndryshim qëndrimi të kthehemi te qytetarët. Dhe minimumi i korrektësisë demokratike e thotë që ata që kanë ndërruar qëndrim, duhet të kërkojnë referendum. Pra, është legjitime në politikë të ndryshosh qëndrim, por nëse para disa muajve kemi marrur votat e qytetarëve me një tezë, me një qëndrim bosht, për një çështje të rëndësishme, atëherë e vetmja mundësi për të ndryshuar ajo, nga pikëpamja e atij që do të ndryshojë është që të kërkojë referendum për atë gjë, pra kthim tek populli. Sepse popullit ia kemi marrë votën për një gjë, e tash për të bërë një gjë tjetër do të duhej të riktheheshim tek ai.

Nuk bëhet fjalë për heqje të tarifës e për fillim të dialogut. Kjo është gënjeshtër. Bëhet fjalë për heqje të tarifës e për mbyllje të dialogut me një marrëveshje të gatshme. Midis dy presidentëve, unë jam i bindur që ka marrëveshje të gatshme. Dhe ajo që po kërkohet është të thyhet Qeveria e Kosovës, të thyhem unë paraprakisht si Kryeministër, në mënyrë që të marrë fuqi ai që në emër të Kosovës në negociata sekrete ka bërë marrëveshje që tash të gatshme do ta servojë jo për të filluar dialog por për të mbyllur çfarëdo mundësie për dialog. Edhe vetëm 10% po të jenë gjasat se ka marrëveshje të gatshme ne duhet të jemi tejet të kujdesshëm. E unë jam i bindur që ka marrëveshje të gatshme. Ky është problemi. Ky është siç thuhet “elefanti” në dhomë. Nga shoqërimi për dy vite e gjysmë në sofrën e shkëmbimit territorial, ka dalë një ujdi aty. Por, e keni vërejtur se çfarë po thotë presidenti i Serbisë: me kë të negocioj unë, me Kurtin në Bruksel apo me Thaçin në Washington? Me fjalë të tjera, ai po iu thotë edhe faktorëve ndërkombëtarë, por edhe Kosovës: përcaktojeni cili? E për t’u përcaktuar ky i dyti në Washington, kërkohet që paraprakisht të thyhet ky i pari në Prishtinë. Kjo është, është e thjeshtë, nuk është e komplikuar. Pra, duhet të thyhet kurrizi i kësaj Qeverie, unë si Kryeministër i ri, dhe më pastaj të thuhet në rregull, presidenti fitoi, marrëveshja në tavolinë, dhe shampanja prapa. Mirëpo unë them jo. Është gabim pozicioni ekstremist. As heqje tarife pa reciprocitet dhe as insistim në tarifë duke mos u angazhuar për reciprocitet.

Më tej është evidente se  mua nuk më pëlqen se çfarë po ndodhë, por ajo që mund të ndodhë po u hoq tarifa pa reciprocitet është pakrahasimisht më e dëmshme.

Kur është vënë tarifa njëherë 10% e pastaj 100%, dy javë më vonë në nëntorin e vitit 2018, nuk është vënë si pengesë për dialogun për shkëmbimin territorial, mirëpo ishte presidenti i Serbisë, ai i cili tha se pa u hequr kjo tarifë unë nuk filloj dilogun. Ama ndërkohë vazhduan negociatat sekrete. Pra, është vetë presidenti i Serbisë ai i cili e futi veten në këtë kurth e mbështeti veten në kënd në mënyrë që të mos mundet të dialogojë. Mirëpo, në atë kënd kishte një rrugë alternative megjithatë, e këto janë negociatat sekrete. Moti s’ka dialog, kurrë s’janë ndalur negociatat sekrete. Dialog s’ka moti a negociatat sekrete nuk janë ndalur asnjëherë.

Edhe unë si kryeministër i Republikës së Kosovës, kam shumë më shumë informacion tash sesa kur isha lider i opozitës.

Më tej, të shkosh në Shtëpi të Bardhë si president i Republikës, të qëndrosh disa ditë, të mos e takosh presidentin amerikan, të mos e takosh as zëvendës presidentin amerikan, e të kthehesh pa marrëveshje politike, e të kthehesh pa marrëveshje politike e të kthehesh pa ndonjë investim në ekonomi është debakël!

Unë mendoj që ishte e turpshme shkuarja dhe kthimi i presidentit aktual pa u takuar as me të parin, as me të dytin dhe pa bërë as marrëveshje politike, as pa sjellur ndonjë investim ekonomik.

Çfarë shpenzojmë ne më këtë president që pëson këso dështimesh? Të ishin të tij do ja bënim kollaj, po i bën në emër tonë, e qe besa edhe me paratë tona. Po mbase siç kemi Qeveri të re duhet të kemi edhe president të ri.

Unë nuk jam antiamerikan, unë jam kundër antiamerikanëve. Por më duhet ta them një gjë: presidenti është antievropian. Pikërisht në kohën kur presidenti aktual i Kosovës deklarohet hapur si antievropian, disa më akuzojnë mua padrejtësisht për antiamerikan. Ai vetë tha jam antievropian. Unë jam edhe pro Amerikan edhe pro Evropian. Unë besoj në lidhjen Trans-Atlantike. Ai u deklarua si antievropian dhe filluan sulmet e akuzat e shpifjet për mua si antiamerikan. Pra, unë i dua edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe Bashkimin Evropian, na nevojiten të dyja. Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka NATO, pa NATO nuk ka siguri as në Evropë se lëre më në Ballkanin tonë. Ndërkohë që Kosova është në Ballkan, në kontinentin Evropian e jo në kufi me Meksikën.

Presidenti aktual i Kosovës po sillet shumë më keq me Bashkimin Evropian sesa me Serbinë. Unë nuk jam dakord si Kryeministër i Republikës me qasjen ku Presidenti flet për Borrellin, Lajçakun e Brukselin më keq sesa për Daçiqin, Vuçiqin e Beogradin. Kjo është gabim. Borrelli, Lajçaku dhe Brukseli s’kanë kryer gjenocid në Kosovë, mos i ngatërroni këto dy gjëra.

Unë jam i gatshëm të shkoj në Washington DC të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si Kryeministër me ekipin tim, bashkë edhe me Kryeparlamentaren tonë, znj. Vjosa Osmani dhe t’i diskutojmë të gjitha çështjet. Kemi nevojë për një proces drejt një marrëveshje të pranueshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe rajonin.

Të nderuar deputetë,

E nderuara kryeparlamentare,

I nderuar kabinet qeverisës,

Sot nuk është çështja te heqja e tarifës, por heqja e reciprocitetit, sepse unë si kryeministër kam shprehur qëndrimin tim për heqje të tarifës 100 për qind, një herë si lëndë e parë, pastaj plotësisht.

Unë kam shprehur gatishmërinë time. Beteja po bëhet si të hiqet reciprociteti e reciprociteti buron nga pabarazia, e unë e dua barazinë.

Lideri i opozitës tha që këtu nuk ka vend për konservator, liberal dhe komunist. Besoj ka menduar për socialist ose social demokrat si puna ime sepse Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekt social-demokrat. Nuk i përmendi ata fare, dmth. nuk ka vend për neve këtu? Është edhe Nisma Social-Demokrate të cilët ia kaluan pragun.

Pra çështja është se si të braktiset reciprociteti e jo se si të hiqet tarifa. Tarifa do të hiqet, por reciprociteti nuk guxon të braktiset. Neve dinjiteti, integriteti, na buron nga brenda qenies sonë. Ne jemi falënderues e mirënjohës përjetë për rolin e ShBA-së në luftë e në paqe. Për drejtësi, zhvillim e demokratizim. Për mbrojtje e për siguri dhe me shumë mundësi edhe jetën ua kemi borxh secili prej nesh. Ama duhet ta kuptoni një gjë, dinjiteti vjen prej brenda, jo prej jashtë. Nuk të vjen dinjiteti prej lart, të vjen prej brenda. Për shkak se je, duhet të jetosh me dinjitet. Për shkak se je duhet të kesh integritet. Dhe në këtë kuptim Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk na duan neve servil. Është gabim të mendoj dikush se nëse ne jemi servilë, atëherë na duan më shumë. Ne kemi nevojë ta duam popullin e ta kemi respektin e tjetrit, por nuk ka respekt të tjetrit pa vetërespekt.

Të nderuar deputetë,

Jemi të përkushtuar si Qeveri e re për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë. Po, kemi qenë një ditë në Prevallë, nuk kemi fjetur atje për dallim prej kohës kur shkohej me disa ditë apo edhe një javë në Bansko të Bullgarisë.

Pra, ne shkojmë në Prevallë të Prizrenit, e jo në Bansko të Bullgarisë.

Dhe kemi marrë një mori vendimesh, të rëndësishme në fare pak mbledhje. Prej shkarkimit të tri bordeve të ndërmarrjeve publike, te grupi i ekspertëve që përgatit fillimin e vetting-ut në drejtësi, prej, përgjysmimit të rrogave të kabinetit qeveritar, te ndërprerja e gjakderdhjes financiare nga kontratat e dëmshme. Prej heqjes së ambasadorëve partiakë e të paligjshëm deri te riatdhesimi i 14 konsujve të nderit etj, etj.

Kjo prapa meje është Qeveria më e mirë e pasluftës. Është Qeveria më e ditur dhe më e ndershme e pasluftës. Kjo Qeveri ju pengon njerëzve të korruptuar. Po ashtu ka shumë xhelozi ndaj kësaj Qeverie. Por çka të bëjmë tash, populli e ka dashur këtë Qeveri, dhe e ka dashur shumë. Aq shumë e ka dashtë populli këtë Qeveri, saqë ai që ishte i pari u bë i treti dhe fitoi opozita. Prej shpalljes së Pavarësisë është hera e parë që fiton opozita. Milionat në anën tjetër, por qindra e mijëra njerëz në anën e duhur. Dhe kjo qeveri që populli e ka dashur kaq shumë, tash populli e do edhe më shumë për shkak të vendimeve të drejta e të duhura që i kemi marrur.

Na lejoni të punojmë edhe për juve, për të gjithë juve, për familjet e fëmijët e juve. E kemi edhe projektligjin për buxhetin 2020, le të diskutojmë për zhvillimin, për demokracinë, për aspektin social, kundër korrupsionit. Nëse keni ndonjë ide kundër korrupsionit jeni të mirëseardhur. Unë nuk e përjashtoj apriori që mund të keni ide se si luftohet korrupsioni dhe jemi të hapur për të gjitha idetë. Por, jo më shumë se për idetë. Meqenëse detyra e qeverisë është të punojë, detyra e opozitës është të kritikojë e unë besoj se ne po e bëjmë shumë më mirë detyrën sesa ju.

 

Ju falemnderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors