Mejë, Korenicë, 27 prill 2026
Në përvjetorin e 27-të të masakrës së Mejës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi lule te varrezat e 376 civilëve të vrarë, në Mejë. Poashtu, kryeministri ka bërë homazhe edhe te pllaka përkujtimore e të rënëve në Korenicë.
Duke kujtuar 27 prillin e vitit 1999, kryeministri Kurti tha se masakra e Mejës dhe Korenicës është më e madhja në luftën e fundit dhe është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
“Më 27 prill, janë bërë 27 vjet nga kjo masakër dhe ne kujdesemi që asnjëherë të mos harrojmë e gjithmonë të përkujtojmë gjakun e derdhur për liri të martirëve dhe dëshmorëve të kombit. Por, njëkohësisht angazhohemi maksimalisht që institucionet e drejtësisë e të sigurisë, t’i sjellin para gjyqit dhe të dënohen ata që ishin urdhërdhënës dhe ekzekutorë”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se në veçanti angazhohemi për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, të zhdukurve me dhunë, që gjithsej janë 1565.
Nga Meja, ai u bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar, duke theksuar se atje është edhe përgjegjësia, por edhe informacioni mbi të vërtetën e shqiptarëve të zhdukur me dhunë.
Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Masakra e Mejës dhe Korenicës është masakra më e madhe në luftën e fundit në Kosovë. Më 27 prill të vitit 1999-të, burra, të ri e pleq, i grumbulluan dhe nuk lejuan që të dalë asnjë i gjallë prej aty. Pra, pikërisht nga masakra më e madhe realisht nuk kemi dëshmitarë, sepse i kanë vrarë që të gjithë.
Masakra e Mejës është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë, e cila ka synuar shfarosjen e popullit shqiptar.
Më 27 prill, janë bërë 27 vjet nga kjo masakër dhe ne kujdesemi që asnjëherë të mos harrojmë e gjithmonë të përkujtojmë gjakun e derdhur për liri të martirëve dhe dëshmorëve të kombit. Por, njëkohësisht angazhohemi maksimalisht që institucionet e drejtësisë e të sigurisë, t’i sjellin para gjyqit dhe të dënohen ata që ishin urdhërdhënës dhe ekzekutorë.
Ka disa vite që është e mundshme të bëhet edhe gjykimi në mungesë dhe tashmë është rritur numri i njerëzve kriminelë serbë që po dënohen në mungesë.
Në veçanti angazhohemi për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, të zhdukurve me dhunë, që gjithsej janë 1565. I fundit i cili u varros është Sinan Dauti, një djalë 9-vjeç nga Prekazi, i cili është i zhdukur që nga momenti kur në pranverën e vitit 1999 i plagosur përfundoi në spitalin e Mitrovicës dhe merreni me mend, aty ku duhet të gjesh shërim, aty është zhdukur. Kemi fëmijë shqiptarë të zhdukur në spital gjatë pranverës së vitit 1999. Nëna e tij Lumnija, nga Prekazi, e ka bartur deri në Klinë të Ulët, dhe një nënë heroinë, e cila po ashtu vet e plagosur është kujdesur për të birin e saj deri në momentin kur mjekë serb e marrin dhe ia zhdukin fëmijën.
E tash Sinan Dauti 9-vjeçar, eshtrat e tij prehen të qetë në vendlindje dhe ne duam që të zbardhet e vërteta për të gjithë të pagjeturit, Dita Kombëtare e të cilëve është pikërisht 27 Prilli, sepse ndërlidhet me masakrën më të madhe, masakrën e Mejës.
Unë jam falënderues për familjarët, të cilët janë kaq të fortë dhe qëndrojnë duke bashkëjetuar me ankthin për mos zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre dhe njëkohësisht i bëj thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar, sepse atje është edhe përgjegjësia, por edhe informacioni mbi të vërtetën e shqiptarëve të zhdukur me dhunë.
Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të kombit shqiptar!















