Kryeministri Kurti: Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti afatgjatë në rajon dhe më tej, parime të politikës sonë të jashtme


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 13 shtator 2021

Kryeministri Kurti mori pjesë në hapjen e edicionit të 7-të të Shkollës Diplomatike, e cila organizohet nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung.

Në edicionin e sivjetmë, që do të trajtojë temën “Siguria bashkëpunuese në kohët e Pandemisë” kryeministri Kurti, i shoqëruara edhe nga zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti.

Ai fillimisht uroi Drejtorin e Përgjithshëm të Akademisë Diplomatike, Sabri Kiçmari dhe Drejtorin e Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung, Rene Schlee, për organizimin e këtij edicioni dhe falënderoi diplomatët që kanë udhëtuar distanca të gjata për të qenë pjesëmarrës në këtë ngjarje. Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti afatgjatë me shtetet e rajonit dhe më tej, janë parimet e politikës sonë të jashtme, u shpreh kryeministri Kurti.

Me besimin se nëpërmjet kontakteve formale dhe joformale në mes diplomatëve tonë do të mund të arrihet një bashkëpunim më i avancuar dhe mirëkuptim në mes vendeve dhe qeverive tona, kryeministri Kurti i uroi edhe një herë mirëseardhje të pranishmëve në Kosovë dhe punë të mbarë gjatë qëndrimit të tyre në vend.

Fjala e ploë e kryeministrit Kurti:

Të nderuar mysafirë,

Shkëlqesia Juaj, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonja Donika Gërvalla Schwarz
Zoti Sabri Kiçmari, Drejtor i Përgjithshëm i Akademisë Diplomatike
Zoti Rene Schlee, Drejtor i Friedrich Ebert Stiftung.
Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë të jem këtu për të hapur këtë ngjarje të rëndësishme, duke ju uruar mirëseardhje të gjithëve në Edicionin e 7-të të Shkollës Diplomatike, të organizuar nga Akademia Diplomatike në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës dhe Friedrich Ebert Stiftung.

Më lejoni t’i falënderoj, veçanërisht, diplomatët, të cilët kanë udhëtuar nga distanca të largëta për të marrë pjesë në këtë ngjarje.

Gjithashtu dëshiroj të përgëzoj Akademinë tonë Diplomatike dhe Friedrich Ebert Stiftung për organizimin e kësaj ngjarjeje.

Republika e Kosovës, edhe pse një shtet i ri, është e njohur për diversitetin e saj kulturor, etnik dhe fetar, me bukuritë e saj natyrore, dhe mikpritja nga qytetarët e saj është një shembull i gjallë i “unitetit në diversitet”.

Gjatë qëndrimit tuaj, ju do ta keni mundësinë të flisni me diplomatët tanë dhe përfaqësuesit e qeverisë, t’i vizitoni vendet historike dhe kulturore të vendit tonë. Shpresoj se do ta shfrytëzoni sa më shumë këtë mundësi unike.

Të nderuar mysafirë,

Republika jonë, edhe pse është shtet i ri, ka marrëdhënie të shkëlqyera me shumë vende të botës. Ne tashmë jemi anëtar në Bankën Botërore, FMN, IBRD, ndër të tjera. Ne kemi nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE -në dhe po punojmë shumë për anëtarësimin në NATO.

Përkundër faktit se Kosova ka një popullsi me shumicë shqiptare prej mbi 90%, ne kemi aplikuar vazhdimisht standardet më të larta të trajtimit të pakicave dhe kemi arritur të krijojmë një infrastrukturë ligjore shumë pozitive, duke shërbyer si një shembull i mirë për të gjithë rajonin.

Ndërsa Kosova rritet si shtet, ne vazhdimisht përpiqemi të shërbejmë si një model për botën, si një vend ku komunitetet dhe kulturat e ndryshme jetojnë në paqe, pavarësisht një të kaluare të mbushur me luftëra dhe gjakderdhje. Për më tepër, ne jemi gati dhe të përkushtuar të vazhdojmë të kontribuojmë në stabilitetin afatgjatë të rajonit dhe më gjerë. Ne vazhdojmë të zgjerojmë bashkëpunimin tonë të sigurisë me BE-në, SHBA-në dhe partnerët e tjerë.

Politika jonë e jashtme bazohet në parimet e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë me vendet e rajonit dhe më gjerë. Kjo është e vërtetë edhe më shumë kur çështjet janë të vështira. Republika e Kosovës ka rifilluar dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, me njohjen reciproke si pjesë qendrore të këtij dialogu.

Për më tepër, bashkëpunimi i mirëfilltë rajonal duke përfshirë Republikën e Kosovës konsiderohet një pikë kyçe për integrimin e Evropës Juglindore në Bashkimin Evropian, dhe ne do të vazhdojmë të jemi të përkushtuar në thellimin e marrëdhënieve dhe partneriteteve tona strategjike.

Përhapja globale e COVID-19, përveç sfidave shëndetësore dhe humanitare, gjithashtu nxori në pah sfidat globale të sigurisë. Me mbështetjen e aleatëve dhe partnerëve tanë dhe me përpjekje të koordinuara ndërinstitucionale, ne po bëjmë gjithçka që është e mundur për të kapërcyer këtë sfidë globale, me sa më pak humbje të jetë e mundur. Bashkëpunimi me aleatët tanë nuk ka qenë kurrë më i mirë. Në ditët më të vështira të ballafaqimit me Covid-19, ne kemi marrë mbështetje dhe solidaritet të konsiderueshëm nga miqtë dhe vendet partnere, si SHBA, BE dhe vende të tjera, për të cilat jemi jashtëzakonisht mirënjohës.
Jo shumë kohë më parë, Ushtria Kosovare mori përsipër misionin e saj të parë ndërkombëtar, së bashku me aleatët e saj. Ky ishte një hap gjigant përpara, i cili tregon se Republika e Kosovës po ndërton kapacitetet e saj profesionale dhe tani është në gjendje të kontribuojë në paqen dhe sigurinë botërore.

Plagët nga lufta nuk janë shëruar ende, dhe kujtimet e luftës janë ende të freskëta. Ne duam të përparojmë drejt së ardhmes si shoqëri dhe shtet, ndërkohë dhe duke mos harruar të kaluarën.

Republika e Kosovës, kohët e fundit, ra dakord që të strehojë përkohësisht shtetas afganë në rrezik, derisa ata të mund të zhvendosen përgjithmonë në vende të tjera. Ne e ndjemë këtë situatë si një imperativ moral, në lidhje me të qenit një krizë humanitare dhe një përgjegjësi politike ndaj aleatëve tanë.

Pikërisht fakti që bota po ndryshon me një shpejtësi të jashtëzakonshme, veçanërisht gjatë dy dekadave të fundit, fati i shoqërive tona dhe vendeve tona e ka bërë botën tonë më të ndërlidhur dhe të ndërvarur se kurrë më parë, por në të njëjtën kohë, i ka bërë detyrat e diplomatëve më komplekse dhe sfiduese.

Këto çështje globale variojnë nga paqja dhe stabiliteti, çështjet e sigurisë ndërkombëtare dhe të mjedisit, deri te krizat financiare dhe terrorizmi ndërkombëtar.

Kjo e bën edhe më të qartë për të gjithë ne se diplomacia e sotme duhet të mbështetet, më shumë se kurrë më parë, në parimet e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit, në mënyrë që të sigurojë një botë më të drejtë dhe demokratike të jetueshme me liri dhe barazi për të gjithë njerëzit dhe qytetarët.

Zonja dhe zotërinj,

Ne besojmë fuqimisht se përmes kontakteve të tilla formale dhe joformale midis diplomatëve, ne do të jemi në gjendje të avancojmë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin midis vendeve tona dhe qeverive tona.

Ne duhet t’i ndajmë përvojat me njëri-tjetrin dhe të mësojmë nga njëri-tjetri, në mënyrë që në shumë fusha të mund të punojmë dhe bashkëpunojmë edhe më ngushtë në vitet e ardhshme.

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe diplomatët tanë gjithashtu presin të mësojnë nga prania juaj. Diskutimet, komentet dhe vëzhgimet tuaja do të jenë jashtëzakonisht të vlefshme për ta.

Unë besoj fuqimisht se prania juaj sot këtu do të shënojë fillimin e një marrëdhënieje edhe më të qëndrueshme midis popujve tanë dhe vendeve tona.

Ne e dimë që Shkolla Diplomatike do të jetë e paçmueshme për të ndihmuar në përhapjen e të gjithë të vërtetës për Kosovën, vlerat e shoqërisë sonë dhe atë që përfaqëson Republika jonë.

Në fund të këtij adresimi, ju uroj mirëseardhje edhe një herë në Republikën e Kosovës, duke ju uruar punë të suksesshme dhe qëndrim të këndshëm në vendin tonë.

Faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors