Prishtinë, 19 tetor 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në një takim të organizuar me kryetarët e komunave të Kosovës.
Gjatë takimit, është diskutuar për Strategjinë për vetëqeverisje lokale 2016-2026, rregulloren për monitorim e komunave, strategjinë lokale për ri-integrim, progresin në implementimin e projekteve kapitale dhe përgatitjet për mbylljen e vitit fiskal 2015, dokumentin konceptual për qytetin e Prishtinës, prezantimin e raportit nëntëmujor të performancës komunale dhe çështje të tjera që lidhen me punën e komunave të Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa shprehu gatishmërinë e plotë të Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjitha komunat e Kosovës, duke theksuar se një prej prioriteteve të Qeverisë së Kosovës është modernizimi dhe avancimi i vetëqeverisjes lokale, “i cili është vendosur në listën prioritare jo vetëm për këtë vit por edhe për vitet e ardhshme”.
Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa në takim:
Të nderuar kryetarë të komunave,
I nderuar ministër i Financave, zëvendësministra,
Përfaqësues të mediave,
Ne e kemi parë të arsyeshme që sot të takohemi, të këmbejmë mendime dhe të informohemi lidhur me disa çështje aktuale që kanë ndërlidhje me pushtetin lokal. Një prej këtyre çështjeve është modernizimi dhe avancimi i vetëqeverisjes lokale, i cili është prioritet i Qeverisë së Kosovës dhe është vendosur në listën prioritare jo vetëm për këtë vit, por edhe për vitet e ardhshme.
Ne kemi vlerësuar se aktualisht me punën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe ministrive tjera të linjës është punuar mjaft shumë në aprovimin e disa dokumenteve të rëndësishme për të ardhmen e qeverisjes lokale. Kam kuptuar se përgatitja e tyre është bërë në bashkëpunim të mirë me komunat, dhe me organet e komunave, dhe po ashtu në ndërlidhje me Asociacionin e Komunave të Kosovës, me pjesëmarrje aktive të organizatave nga sfera e shoqërisë civile, me debate publike dhe po ashtu me partnerë ndërkombëtarë dhe me qytetarë.
Pra, kemi të bëjmë me platformën e re të zhvillimit të vetëqeverisjes lokale sipas parimeve të garantuara me Kushtetutë, për qeverisjen e mirë dhe për rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarë, për këtë mandat të kësaj Qeverie.
Tani ne kemi në tavolinë draftin final të strategjisë për qeverisjen lokale, me të cilën ne synojmë që sistemi ekzistues i vetëqeverisjes lokale dhe marrëdhëniet ndërmjet Qeverisë qendrore dhe lokale të transformohen në shërbim të funksionimit integral të strukturës tonë shtetërore dhe lokale si dhe në harmoni me standardet e vendosura përballë procesit të integrimit evropian.
Strategjia për vetëqeverisjen lokale do të vendosë kornizat e politikave zhvillimore për reformën e pushtetit lokal, do të ndihmoj në zhvillimin ekonomik lokal, në politikat e financimit dhe avancimin e autonomisë së vetëqeverisjes lokale.
Çështja tjetër ka të bëjë me ligjin për kryeqytetin, dhe t’ju informoj se Qeveria tashmë ka hartuar tashmë dokumentin konceptual për qytetin e Prishtinës si një obligim kushtetues, por njëkohësisht edhe si nevojë e funksionimit më të mirë të kryeqytetit, që nënkupton funksionimin edhe si kryeqytet edhe si komunë. Dokumenti ka qenë në dispozicion të publikut për një kohë të gjatë, ndërsa ne po mundohemi të marrim të gjitha masat që ai të përfundojë sa më shpejt, dhe të shndërrohet pastaj në draft ligj dhe të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në mënyrë që të plotësojmë edhe këtë obligim, i cili del nga Kushtetuta dhe nga Ligji për Qeverisjen Lokale.
Ne vlerësojmë lart përpjekjen e kryetarëve të komunave si liderë lokalë, për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, dhe njëkohësisht për angazhimin që po bëni ju që t’iu jepni llogari qytetarëve për legjitimitetin që keni marrë nga ata.
Ne vlerësojmë se kemi bërë progres në disa fusha, edhe sa i përket zbatimit të ligjit, edhe sa i përket investimeve kapitale dhe cilësisë së investimeve kapitale në komuna dhe po ashtu vlerësojmë se është bërë një hap shumë i mirë në komuna sa i përket përmbushjes së disa obligimeve që ndërlidhet me komunat e që ka të bëjë me liberalizimin e vizave.
Ne jemi tash në proces të liberalizimit të vizave, ky proces na detyron që të jemi më të kujdesshëm sa i përket riatdhesimit të qytetarëve tanë që janë jashtë, për çfarë mendoj se komunat kanë dhënë një kontribut mjaft të rëndësishëm.
Ne presim që, sa i përket liberalizimit, për këtë të vendoset në fund të këtij viti, në muajin dhjetor. Po ju informoj se ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret që janë parashtruar para nesh, është fjala edhe për disa rekomandime, të cilat tani po bëjmë përpjekje maksimale që t’i plotësojmë, ndër të cilat ndërlidhet edhe roli i pushtetit lokal sa i përket riatdhesimit dhe sa i përket krijimit të kushteve që qytetarët tanë të mos shpërngulen nga Kosova.
Ne kemi arritur shumë, që nga ata që e kanë lëshuar Kosovën në fillim të vitit nga territore të ndryshme të Kosovës, i kemi kthyer dhe deri më tani i kemi pranuar mbi 17 mijë, dhe e kemi vënë totalisht nën kontroll situatën e migrimit të qytetarëve tanë.
Ne kemi planifikuar që ky takim sot të na shërbejë bashkërisht që të diskutojmë edhe për procesin e mbikëqyrjes së ligjshmërisë së akteve komunale si një detyrim ligjor dhe kushtetues i Qeverisë. Në kuadër të zhvillimit të legjislacionit, Qeveria ka hartuar edhe draft-rregulloren për mbikëqyrjen e ligjshmërisë së akteve të komunave. Ju siç e dini, deri më tani, mbikëqyrja e ligjshmërisë së akteve komunale është bazuar në vendimin qeveritar, mirëpo me qëllim të koordinimit sa më të mirë dhe rritjes së efikasitetit dhe eliminimit të procedurave burokratike, Qeveria e Republikës së Kosovës këto ditë do ta miratojë rregulloren për mbikëqyrjen e ligjshmërisë së akteve të komunave, i cili draft tashmë është diskutuar në forume të ndryshme me përfaqësues dhe zyrtarë të komunave tona.
Një prej çështjeve që po ashtu kemi paraparë që sot bashkërisht ta diskutojmë është edhe çështja e përmbushjes së planeve përkatësisht projekteve tona sa i përket arkëtimit të Tatimit në Pronë.
Ne në Qeverinë e Republikës së Kosovës po praktikojmë që çdo muaj të japim analizën lidhur me performancën e të hyrave buxhetore dhe të shpenzimeve buxhetore. Performanca është e mirë sa i përket të dhënave të përgjithshme të hyrave dhe të dalave buxhetore. Mirëpo, po ashtu kemi shënuar se kemi rënie të arkëtimit të Tatimit në Pronë, karshi asaj që ne e kemi planifikuar me buxhet, dhe po ashtu karshi zotimeve të cilat i kemi dhënë Fondit Monetar Ndërkombëtar lidhur me të gjitha segmentet e të hyrave buxhetore.
Ne i dimë disa prej arsyeve që i ka theksuar edhe ministri dhe Ministria e Financave, mirëpo po ashtu dëshirojmë që bashkërisht të diskutojmë dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë sepse kemi obligime ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar që ne të përmbushim zotimet tona, në mënyrë që të vlej Marrëveshja që kemi bërë me Fondin Monetar, sa i përket rregullës fiskale dhe sa i përket mundësisë tonë që të marrim huazime nga jashtë për investime kapitale, të cilat do të shfrytëzohen në fushën e gjenerimit të vendeve të reja të punës.
Ju falënderoj shumë për pjesëmarrjen tuaj dhe ju siguroj që për të gjitha çështjet që keni nevojë që bashkërisht të ulemi dhe të diskutojmë, unë jam i gatshëm të ndaj hapësirë, të ulemi bashkë ose një nga një dhe t’i trajtojmë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me funksionimin më të mirë të pushtetit lokal, sepse nuk do të ketë funksionim të mirë të pushtetit qendror, as performancë të pushtetit qendror, në qoftë se ne nuk arrijmë që në nivel lokal të përmbushim detyrat tona dhe në qoftë se nuk arrijmë të kemi një bashkërenditje të mirë, për të cilën unë deri më tani nuk kam parë pengesa, as s’kam parë mungesë të vullnetit, por dëshiroj të shprehë edhe vullnetin tim, edhe vullnetin e Qeverisë që të bashkëpunojmë maksimalisht.
Faleminderit.
