Kryeministri Isa Mustafa u takua me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama


Image


Image


Image


Image


Image

Tiranë, 9 mars 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u prit të hënën me ceremoni shtetërore nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Tiranë.

Pas takimit të zhvilluar, kryeministri Mustafa dhe kryeministri Rama, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për gazetarë.

Fjala e kryeministrit Isa Mustafa:

Faleminderit zoti kryeministër

Ju falënderoj shumë për pritjen të cilën e hasëm këtu.
Ju përshëndes të gjithë juve.

Ne ju jemi mirënjohës për mbështetjen e çmuar që kemi pasur nga Qeveria shqiptare, nga populli shqiptar, në të gjitha fazat e shtetndërtimit tonë dhe mendoj që ky ka qenë një kontribut i veçantë edhe në forcimin e shtetit ligjor në Kosovë por edhe një kontribut i veçantë që ne të bëhemi pjesë e politikave evropiane, e politikave botërore dhe që bashkërisht të marrim pjesë në ndërtimin e proceseve dhe çuarjen përpara të proceseve tona të përbashkëta.

Ne e konsiderojmë me rëndësi të veçantë edhe Marrëveshjen për Bashkëpunim Strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, i konsiderojmë poashtu shumë të rëndësishme fondet që i kemi ndarë bashkërisht, përmes të cilave ne, në njëfarë mënyrë i kalojmë tërësisht kufijtë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, po ndërtojmë marrëdhënie të drejtpërdrejta edhe në fushën e ekonomisë edhe në fusha tjera. Janë arritur rezultate shumë të mira në arsim dhe kulturë.

Do të bëjmë përpjekje që këto rezultate të shprehen edhe në marrëdhëniet tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Poashtu kemi nevojë që të punojmë bashkërisht në projekte ekonomike, në zhvillimin ekonomik, sepse është një fushë që i kemi dhënë prioritet të veçantë, dhe fokusimin tonë themelor do ta bëjmë këtu. Ne llogarisim se kemi hapësirë të madhe të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, duke filluar nga energjetika, nga turizmi, nga infrastruktura, dhe në realizimin e projekteve të përbashkëta të cilat do t’i bashkërendisim me ju, dhe këto projekte pastaj do të jenë projekte përmes të cilave do të ndërlidhemi edhe me vendet e tjera në regjion.

Përkrahen tuaj që e keni dhënë, edhe personale edhe e Qeverisë shqiptare, sa i përket njohjes nga vendet e tjera, e konsiderojmë si përkrahje të veçantë, sepse Kosova ka nevojë që në këto momente të njihet nga më shumë vende sidomos nga vendet e Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur akoma Kosovën.

Poashtu e çmojmë përkrahjen tuaj edhe në anëtarësimin tonë në institucionet tjera shumëkombëshe, sepse prezenca jonë atje është me rëndësi themelore për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe për dhënien e kontributit tonë paqes dhe stabilitetit jo vetëm në rajon, por edhe paqes dhe stabilitetit në Evropë dhe paqes botërore.

Ne e vlerësojmë shumë këtë bashkëpunim, ju falënderojmë shumë për përkrahjen tuaj, dhe poashtu edhe sot theksoj përkushtimin tonë që këtë bashkëpunim ta thellojmë edhe më tutje.

Fjala e kryeministrit Edi Rama:

Përshëndetje të gjithëve!

Sot pata kënaqësinë e veçantë të pres kryeministrin Mustafa, i cili viziton për herë të parë Tiranën, zyrtarisht, si drejtues i qeverisë së re dhe shpreh besimin se me Qeverinë e re të Kosovës ne do të vazhdojmë të hedhim më tutje hapa të rëndësishëm drejt bashkërendimit të forcave dhe bashkimit tonë kombëtar në rrugën e BE.

I shpreh edhe publikisht Kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës mirënjohjen e thellë për solidaritetin e treguar nga Qeveria e Kosovës dhe nga qytetarët e Kosovës, ndaj zonave dhe njerëzve të prekur prej përmbytjeve të fundit në jug të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, edhe publikisht dëshiroj që në emër të Qeverisë së Shqipërisë të përshëndes progresin e deritanishëm në konsolidimin e shtetit dhe fuqizimin e sovranitetit të Kosovës, si dhe shtrirjen e autoritetit të institucioneve shtetërore në të gjithë territorin e saj, përfshirë dhe njehsimin e pushtetit gjyqësor.

Ne ndajmë së bashku vlerësimin se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë të shkëlqyera e vëllazërore dhe se partneriteti strategjik mes dy shteteve tona, i institucionalizuar në mbledhjen e Prizrenit më 11 janar 2014, është një instrument themeltar që përcakton dhe do të përcaktojë në vijimësi, peshën e faktorit shqiptar në rajon.

Mund të nënvizoj sot edhe bashkëpunimin doganor, mes dy shteteve, si dhe unifikimin e institucioneve tona doganore në Morinë, në 16 shkurt të këtij viti, jo vetëm si shenja të fillimit të ndërveprimit ekonomik Shqipëri-Kosovë, por edhe si shenjë domethënëse e vullnetit të përbashkët për një sinergji administrative, në shërbim të krijimit të një zone të vërtetë ekonomike, jo vetëm në hapësirën shqiptare të rajonit, por në të gjithë rajonin në tërësi.

Ndërkohë, ne diskutuam edhe për ecurinë e përgatitjeve për mbledhjen e dytë të përbashkët, e cila do të mbahet në 23 mars të këtij viti, këtu në Tiranë dhe për projektimin e objektivave të reja për të ardhmen.

Sigurisht që, të gjitha këto së bashku, janë problematika që trajtohen brenda kuadrit të ambicies së përbashkët të shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë, por jo vetëm, për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Ne i kuptojmë vështirësitë me të cilat përballet procesi i zgjerimit, megjithatë ne do të vazhdojmë të përpiqemi intensivisht që të luftojmë me këto vështirësi dhe të nënvizojmë kurdo dhe kudo që është e mundur dhe e nevojshme faktin se sot Europa ka nevojë për shqiptarët, po aq sa shqiptarët kanë nevojë për Europën.

Duke e falenderuar Kryeministrin për vizitën e tij në Tiranë dhe për bisedën shumë vëllazërore që zhvilluam, duke falenderuar në mënyrë të posaçme, edhe Zv/n dhe Ministrin e Jashtëm të Kosovës për kontributin e veçantë që së bashku me Ministrin tonë të Jashtëm po japin në përgatitjen e mbledhjes së dy qeverive dhe duke falenderuar të gjithë miqtë që i shoqërojnë në këtë vizitë, më lejoni që t’i jap fjalën Kryeministrit të Kosovës, mikut tonë Isa Mustafa.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors