Prishtinë, 2 korrik 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim Thomas Yazdgerdi, Drejtor i Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore, nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Kryeministri Isa Mustafa e falënderoi z. Yazdgerdi për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën në të gjitha fazat dhe në të gjitha fushat, për këtë Kosova është dhe do të jetë gjithmonë mirënjohëse.
Gjatë takimit u bisedua për shumë tema. Theks i veçantë iu kushtua krijimit të Dhomave të Specializuara dhe rëndësinë e jashtëzakonshme që ka themelimi i tyre për Kosovën në këtë fazë. Me këtë, Kosova tregon se ka kapacitetet për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e saj dhe për të ecur përpara në integrimet evropiane dhe euroatlantike.
Kryeministri Mustafa e siguroi z.Yazdgerdi se Kosova do t’i merr të gjitha obligimet që ka dhe do të ecë sigurt në rrugën e saj drejt të ardhmes evropiane.
Gjithashtu në takim u bisedua edhe për dialogun dhe për përparimet në këtë proces.
Kryeministri Mustafa, e njoftoi z. Yazdgerdi për hapat konkret që është duke ndërmarrë Qeveria e Kosovës, në avancimin e agjendës evropiane dhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Me këtë rast, Thomas Yazdgerdi, Drejtor i Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore, nga Departamenti amerikan i Shtetit, falënderoi kryeministrin Mustafa për pritjen dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë fuqishëm në përkrahje të Kosovës.
