Kryeministri Isa Mustafa ngushëlloi familjen Krasniqi dhe popullin e Kosovës, me rastin e ndarjes nga jeta të Akademik Mark Krasniqit


Image

Prishtinë, 28 gusht 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ngushëlloi familjen Krasniqi dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të shquar, anëtarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Akademik  Mark Krasniqi.

“Me dhembje dhe pikëllim të madh e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Akademik Mark Krasniqit, personalitet i shquar në fushën e shkencës dhe kulturës shqiptare.  Akademik Mark Krasniqi me veprimtarinë e tij, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në arsimin, shkencën, kulturën dhe botën akademike të Kosovës”, thuhet në telegramin e kryeministrit Mustafa.

Kryeministri Isa Mustafa po ashtu thekson se Akademik Mark Krasniqi, do të përkujtohet përherë si një personalitet i shquar frymëzues për kosovarët, për kontributin e dhënë në shumë fusha të shkencës në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, thekson se vdekja e Akademik Mark Krasniqit është humbje shumë e madhe për familjen, për kolegët dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors