Prishtinë, 17 gusht 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi dhe zëvendësministrin e Financave, Agim Krasniqi, kanë zhvilluar një takim të hapur dhe kanë bashkëbiseduar me komunitetin e biznesit.
Gjatë takimit të organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, kryeministri Mustafa dhe ministrat e Qeverisë i kanë njoftuar përfaqësuesit e bizneseve si dhe të odave ekonomike për reformat e ndërmarra në shumë fusha nga Qeveria e Kosovës, me qëllim të përmirësimit të ambientit të të bërit biznes dhe për zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik të Kosovës.
Përfaqësuesit e bizneseve kanë vlerësuar lartë hapat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës dhe dialogun e deritashëm të Qeverisë me bizneset, duke kërkuar përkrahje edhe më të madhe dhe thellim të mëtejmë të masave për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të vendit.
Fjala hyrëse e kryeministrit Isa Mustafa në takim.
Faleminderit e nderuara ministre,
Unë së bashku me ministren jemi marrë vesh që sot t’iu ftojmë në mënyrë që bashkërisht të këmbejmë mendimet dhe vlerësimet tona lidhur me ambientin e të bërit biznes në Kosovë, të shohim se ku jemi dhe çfarë duhet të bëjmë më tutje.
Kemi ftuar një numër të bizneseve, odat dhe asociacionet e bizneseve, bankat, përfaqësuesit e ministrive që drejtojnë çështjet e zhvillimit ekonomik. Janë edhe mediat të cilat e përcjellin këtë debat, përcjellin vlerësimet dhe mesazhet tuaja.
Kam theksuar disa herë se prioritet dhe udhërrëfyes i yni themelor është Programi Qeverisës që e kemi aprovuar ne, që përfshin periudhën nga ky vit deri në vitin 2018. Dhe me këtë Program ne prioritet të veçantë i kemi dhënë zhvillimit ekonomik, i kemi dhënë rritjes ekonomike, dhe përmirësimit të standardit të jetës së qytetarëve.
Konsideroj se gjatë kësaj periudhe ne kemi bërë hapa konkret sa i përket Prioriteteve Strategjike, që burojnë nga ky Program. Disa prej këtyre çështjeve i kemi shpalosur në mënyrë të veçantë me media, dhe me përfaqësues të ministrive përkatëse, por unë sot kisha për qëllim që të gjitha këto edhe njëherë t’i ripërsëris, t’i shpalosim bashkërisht me përfaqësuesit e bizneseve, dhe të shohim se si është reagimi dhe se si është vlerësimi i bizneseve lidhur me këto, sepse dëshirojmë që vlerësimet tona të jenë vlerësime të përbashkëta.
E tha edhe ministrja që ndër masat më të rëndësishme që i kemi marrë ne gjatë kësaj periudhe, është pakoja e re fiskale, është Marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar për ndryshimin e rregullës fiskale, janë disa marrëveshje financiare me institucionet financiare ndërkombëtare, është procedimi i Ligjit për Fondin Kosovar për Garantimin e Kredive, përgatitja e Ligjit për Investime Strategjike, aprovimi i Ligjit për Faljen e Borxheve, dhe është aktivizimi i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.
Sa i përket pakos së re fiskale, ne mendojmë se përmes saj ne kemi thjeshtëzuar sistemin tatimor dhe procedurat tatimore, dhe kemi ndikuar që ato pozitivisht të shprehen tek bizneset. Kemi bërë përshkallëzimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, duke ofruar normë të re të zvogëluar prej 8 për qind, për numër të konsiderueshëm të mallrave dhe të shërbimeve, që konsiderohen si bazike për qytetarët, dhe konsiderojmë se ulja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, pastaj në mënyrë të drejtpërdrejt ul çmimet për disa produkte, dhe ngrit fuqinë blerëse të konsumatorëve, përkatësisht të qytetarëve tanë.
Jemi kujdesur poashtu që në këto zbritje të jetë edhe TVSH-ja për energjinë elektrike, si një prej inputeve shumë të rëndësishme edhe për prodhime, edhe për ekonominë, por edhe për qytetarët dhe për shportën e konsumatorëve.
Kemi liruar nga TVSH-ja makineritë që përdoren në procesin e prodhimit, pajisjet e teknologjisë informative, lëndët e para që shfrytëzohen në prodhim, dhe mendojmë që përmes kësaj ne kemi krijuar kushte më të mira për investime dhe për të ardhmen e ekonomisë.
Konsiderojmë poashtu që Ligji për Faljen e Borxheve, i cili është aprovuar në Kuvend, do të ketë efekte në rritjen e mirëqenies sociale, por poashtu këto efekte në rritjen e mirëqenies sociale mund të shprehen edhe përmes rritjes së kërkesës agregate të qytetarëve për produkte dhe shërbime, sepse ata kursejnë një pjesë të të ardhurave të tyre dhe mund t’i përdorin në mënyrë alternative dhe do të kenë efekte tek ekonomia.
Mendojmë se përmes kësaj ne kemi mundësi të krijojmë një disiplinë të re financiare, në mënyrë që qytetarët t’iu përgjigjen me kohë detyrimeve të tyre ndaj borxheve për kompanitë publike dhe për institucionet publike, dhe poashtu do të pastroj edhe çështjet e mirëmbajtjes së evidencave financiare dhe evidencave kontable.
Është aprovuar Ligji për Sigurimet, me të cilën janë rregulluar parimet themelore të licencimit, të rregullimit dhe mbikëqyrjes së siguruesve, resiguruesve dhe ndërmjetësuesve në procesin e sigurimeve, gjë që rregullon poashtu kushte më të mira në këtë fushë.
Është bërë rishikimi dhe aprovimi i Buxhetit të rishikuar për këtë vit, me të cilin ne kemi mbajtur në nivel të njëjtë investimet kapitale, kemi mbajt në nivel të njëjtë pagat dhe mëditjet, por kemi zvogëluar një pjesë të shpenzimeve për mallra dhe shërbime, shpenzimet për subvencione, prandaj edhe kemi arrit që të rishikojmë të hyrat dhe ato t’i ulim për rreth 50 milionë euro dhe të bëjmë kursime të nevojshme sipas marrëveshjes që kemi pasur me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Kemi konstatuar se gjatë këtyre gjashtë muajve kemi ul nivelin e shpenzimeve për mallra dhe shërbime dhe mendojmë që të vazhdojmë edhe më tutje, në mënyrë që të kemi edhe më shumë kursime në këtë fushë.
Kemi ndryshuar poashtu edhe akcizat tek të cilat kemi ngrit akcizat për ato mallra të cilat nuk paraqesin problem as për zhvillimin ekonomik, s’paraqesin problem as për shportën e qytetarëve, sepse kryesisht kjo është bërë tek pijet alkoolike, është bërë tek vaji për ngrohje, janë ngritur akcizat tek makinat që përdoren për lojëra të fatit dhe tek fishekzjarrët, përmes të cilave ne kemi bërë përpjekje dhe kemi arrit që të mbulojmë disa të hyra të cilat ne i humbim përmes uljes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.
Me Marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar, kemi arrit që të mundësojmë një program të ri të Fondit, i cili siguron zhvillim më të shpejtë ekonomik dhe siguron ruajtjen e stabilitetit fiskal dhe stabilitetit financiar të vendit, dhe stabilitetin makroekonomik për një periudhë më të gjatë.
Përmes kësaj ne kemi arrit që të kemi përkrahjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar për investime publike për projekte të cilat janë projekte produktive, që rrisin zhvillimin ekonomik dhe punësimin, prandaj edhe kemi arrit pajtim me FMN-në që të ndërrojmë rregullën fiskale, sa i përket mundësisë së hyrjes borxh, por vetëm për pjesën e investimeve kapitale që ndërlidhen me zhvillim, dhe jo për pjesën e konsumit apo të rritjes së konsumit buxhetor i cili është joproduktiv.
Tek marrëveshjet financiare ndërkombëtare, kemi negociuar kredinë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për rehabilitimin e Hekurudhës 10. Kemi dhënë garancionet, dhe të mërkurën do ta përfundojmë dhënien e garancionit qeveritar për blerjen e autobusëve për Trafikun Urban. Është aprovuar nisma për negocimin e kredisë për përmirësimin e sistemit arsimor me Bankën Botërore, është arrit protokolli për bashkëpunim zhvillimor në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë Federale të Gjermanisë, janë përfunduar negociatat për marrëveshje të efiçiencës së energjisë në nivel lokal, dhe poashtu është arrit një Memorandum Mirëkuptimi në mes të Ministrisë së Financave dhe të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik me Dorsch International, për implementimin e Programit mbështetës për ujësjellës dhe kanalizim për zonat rurale.
Qeveria poashtu ka përgatitur koncept dokumentin për investime strategjike. Ne presim që deri në fund të këtij muaji Qeveria të aprovojë dhe të procedojë në Kuvend Ligjin për Investime Strategjike. Përmes këtij ligji ne do të përcaktojmë se cilat janë fushat e zhvillimit strategjike të Kosovës, të cilat edhe ashtu i kemi përcaktuar me Programin Qeverisës dhe tani po i detajizojmë me Strategjinë e Investimit, çfarë janë investitorët strategjik dhe cili do të jetë nocioni i investitorëve tek ne; cilat do të jenë kriteret për investitorët strategjik dhe projektet strategjike në pikëpamje të shumës së investuar dhe në pikëpamje të numrit të punësuarve dhe në pikëpamje të shtrirjes regjionale të tyre, dhe poashtu do të bëjmë përpjekje maksimale që me këtë ligj të ruajmë transparencën dhe të ruajmë besimin për fondet publike të cilat do të investohen, por edhe interesin e partnerëve privat që do t’i kemi.
Ne kemi prezantuar edhe para mediave se jemi të kënaqur me trendin e investimeve të huaja. Për pesë muaj të vitit 2015 në krahasim me vitin 2014, kemi një tregues të rritjes së shumës së investimeve të huaja që janë bërë gjatë kësaj periudhe në krahasim me një vit më parë, sepse investimet që janë bërë gjatë kësaj periudhe kanë qenë më të mëdha se sa që janë bërë në tërë vitin e kaluar. Është tregues i mirë poashtu ajo që kemi një numër të madh të ndërmarrjeve që janë regjistruar e pronarët janë pronarë të jashtëm, pra kemi edhe këtë tregues si tregues pozitiv.
Disa media dhe specialistë të kësaj fushe kanë thënë se ndoshta nuk do të ishte më së miri që të shfrytëzohet viti 2014 por vitet më parë. Dhe në qoftë se e marrim vitin 2011, 2012, 2013, do të thotë prapë se prapë në këtë vit për fat të mirë kemi investime më të mëdha se sa që kemi pasur vitet e kaluara. Nuk mund të krahasohet me vitin 2007, ashtu siç tentohet, sepse në vitin 2007 ne kemi pasur vetëm nga IPKO një investim shumë të madh, dhe poashtu ka qenë vit para krizës botërore financiare. Pas kësaj kemi pas një krizë që askush nuk ka ardhur të investojë tek ne, s’kanë investuar as në vendet e tyre, sepse të gjitha vendet evropiane, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të kapluar me një krizë ekonomike. Për fat të mirë kjo krizë ka kaluar. Prandaj, ne nuk konsiderojmë se këto investime që vijnë tek ne janë të themi rezultat i punës së Qeverisë për këta pesë gjashtë muaj, por janë rezultat edhe i klimës, i rrethinës ekonomike botërore dhe evropiane e cila ka ndryshuar, sepse pa ndryshuar rrethina ne nuk mund të bëjmë hapa të cilat duhet t’i bëjmë. Është poashtu tregues i mirë se rrethina biznesore po përmirësohet edhe sa i përket kreditimit dhe financimit të zhvillimit ekonomik. Unë përgëzoj përfaqësuesit e bankave që janë këtu së bashku me ne për masat që ata i kanë marrë për uljen e normave të interesit, normave të kredisë, sepse ne kemi ulje të normave në krahasim me vitin e kaluar nga 10.5 për qind në 7.4 për qind, që është një ulje prej 3.1 të përqindjes, që është shumë e madhe dhe është shumë domethënëse, sepse flet se bankat e kanë ruajtur kursin e tyre ndaj bizneseve, dhe flet se bankat e shohin stabilitetin ekonomik që këtu të zhvillohet biznesi në Kosovë. Poashtu kemi ulje të normave të interesit sa i përket ekonomive familjare, sepse edhe aty kemi një ulje nga 10.8 për qind në 8.2, apo në 2.6 të përqindjes, që është poashtu një tregues i rëndësishëm. Dhe kemi rritje të interesit sa i përket depozitave, nga 0.6 në 0.8, që prapë është një tregues se paraja e cila po kursehet në banka, po plasohet dhe se kemi treg financiar i cili po ngjallet tek ne.
Është edhe treguesi i bilancit tregtar me jashtë, i cili poashtu është pozitiv për këtë periudhë kohore, sepse ne kemi një rritje të eksportit në krahasim me vitin e kaluar. Diku për 20 milionë kemi më shumë eksporte për këto gjashtë muaj, se sa një vit më parë. Përkatësisht mbulueshmëria e eksportit me import është rrit nga 13.5 në 14.55. Prapë është një trend që neve nuk na kënaq fare, mirëpo që është pozitiv dhe të cilin ne duhet ta ndjekim edhe më tutje, në mënyrë që të arrijmë sa më shumë mbulueshmëri të produkteve të cilat ne i importojmë me produkte që ne eksportojmë.
Qeveria ka miratuar Projektligjin për Themelimin e Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive, që është një prej shtyllave që ne i kemi trajtuar si shtylla të Fondit për Zhvillim Ekonomik.
Përmes këtij Fondi ne do të arrijmë që të përmirësojmë qasjen e bizneseve në financa, përkatësisht në kreditim, sepse disa prej tyre nuk kanë pas kolateral që ta lënë peng tek bankat, ose që të garantojnë kthimin e kredive, dhe ne do të mundohemi që deri në 50 për qind të kolateralit për disa biznese ta mbulojmë me këtë fond zhvillimor, që do të shprehet në mënyrë pozitive edhe tek bizneset individuale, sidomos tek bizneset e reja, por edhe tek bankat, që ato ta kenë sigurinë e tyre për kthimin e kredive dhe që rrisku i moskthimit të kredive të jetë sa më i ultë tek ne.
Është punuar përmes ministrive përkatëse edhe në integrimin e mëtejmë të vendit tonë në mekanizmat rajonal dhe mekanizmat global. Janë bërë të gjitha përgatitjes sa i përket implementimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Pastaj ka pas pjesëmarrje mjaft aktive në CEFTA, në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, dhe është aktivizuar Këshilli Kombëtar për Zhvillim si një mekanizëm dhe instrument shumë i rëndësishëm i këmbimit të mendimeve tona dhe marrjes së propozimeve dhe rekomandimit për masa të caktuara në fusha të ndryshme.
Në bujqësi, në Ligjin për Buxhetin janë dyfishuar subvencionimet dhe grantet për prodhimtarinë dhe për prodhuesit bujqësor. Kemi një rritje të prodhimtarisë bujqësore, por ne nuk jemi të kënaqur akoma me atë se sa ne mund t’i kënaqim nevojat e brendshme me nivelin e prodhimtarisë së brendshme, por ne do të ndjekim një trend i cili do të përmirësohet në mënyrë të vazhdueshme. Po punohet në gjetjen e investitorëve të jashtëm dhe me institucionet financiare ndërkombëtare për projektet e infrastrukturës bujqësore, sidomos jemi të interesuar ta zgjerojmë sistemin e ujitjes, në mënyrë që përmes këtij sistemi të rrisim prodhimtarinë bujqësore dhe rendimentin në bujqësi. Jemi deri diku të kënaqur me korrjet dhe shirjet dhe me rendimentin në bujqësi që nuk është varur shumë nga ne por edhe nga moti që e kemi pas, mirëpo do të punojmë edhe më tutje në zhvillimin e programeve për përpunimin e prodhimtarisë primare bujqësore, dhe si pasojë e kësaj do të kemi ulje të importit të këtyre produkteve.
Sa i përket investimeve të cilat ne i konsiderojmë si më të mëdha gjatë kësaj periudhe, që jemi të interesuar t’i realizojmë, është ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”, që është një investim prej rreth 1 miliard eurove, për prodhimin e 600 megavateve energji elektrike dhe janë duke u zhvilluar negociatat në mënyrë intensive ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe firmës amerikane “Countour Global”, pastaj është nënshkruar kontrata për Brezovicën me konsorciumin francez. Parashihet që me këtë kontratë të arrihet një investim prej 410 milionë eurove dhe që përfundimi i këtij projekti të punësoj tre mijë punëtorë të rinj në këtë fushë, ndërsa për tre vitet e ardhshme ne presim që të investohen diku rreth 160-162 milionë, sepse programi do të kërkoj një periudhë më të gjatë kohore.
Jemi duke ndërtuar autostradën për Shkup me mjete qeveritare. Është një investim prej rreth 600 milionë euro dhe llogarisim ta përfundojmë në vitin 2018. I kemi dhënë tash iniciativë dhe jemi në përfundim të marrëveshjes për rekonstruimin e hekurudhës, do të thotë nga Hani i Elezit deri në Leshak që parashohim se mund të kushtoj diku rreth 200 milionë euro.
Mendojmë se një pjesë të saj ta kryejmë vet dhe një pjesë ta bëjmë me kredi të Bankës Evropiane për Zhvillim, dhe një pjesë nga mjetet e IPA 2.
Kemi përfunduar autostradën deri në Besi, mirëpo jemi tani në marrëveshje përmes projektit të infrastrukturës bazë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që pjesën nga Besia deri në kufi deri në Merdare dhe pastaj deri në Nish të financohet mundësisht me mjete të Bashkimit Evropian. Po them mundësisht sepse ekziston disponimi, por sa do të jetë shuma, akoma nuk e kemi përfunduar.
Kemi mundësinë e investimit në ndërtimin e kapaciteteve zëvendësuese të “Kosovës A”, sepse do të kemi një vakum apo një boshllëk të energjisë elektrike nga viti që ne jemi zotuar se do të bëjmë dekomesionimin e “Kosovës A” nga viti 2017 deri në fund të vitit 2023, kur do të kemi prodhimin nga “Kosova e Re”. Dhe në këtë aspekt po mendojmë intensivisht se do ta bëjmë këtë, a duhet ta revitalizojmë “Kosovën A”, a duhet ta mbajmë në prodhim derisa të futet “Kosova e Re” apo duhet ta dekomisionojmë.
Do të thotë duhet të bëjmë këtë në harmoni me Strategjinë e Energjisë që tani do ta rishikojmë edhe njëherë. Duhet poashtu të bëjmë revitalizimin e kapaciteteve të “Kosovës B”. Këtu nuk do të kemi probleme për mjete dhe për program të revitalizimit. Kemi tash aktivizimin e infrastrukturës së energjisë me Shqipërinë, që mendojmë se do të ndodh vitin e ardhshëm, pasi që të përfundoj investimi në projektin 400 kilovoltësh që e kemi tani me Shqipërinë.
Pjesën tonë do ta përfundojmë deri në fund të këtij viti, ndërsa pjesa shqiptare llogaritet që do të kryhet vitin e ardhshëm. Dhe poashtu mendojmë që të punojmë në përgatitjen e Telekomit të Kosovës për privatizim, dhe privatizimin e tij gjatë kësaj periudhe, duke respektuar procedurat e privatizimit.
Unë jam shumë i interesuar që në të gjitha këto ne të punojmë bashkërisht, sepse zhvillimi ekonomik nuk është vetëm pronë apo pjesë e një mekanizmi, ose vetëm e Qeverisë, sepse ne nuk mund ta arrijmë këtë pa përkrahje të bizneseve, të bankave, të asociacioneve të ndryshme të bizneseve, të mediave dhe të shoqërisë civile.
Ne mund të zhvillojmë debat por mendoj se ky debat duhet të jetë pozitiv, i cili na qon përpara dhe i cili na tregon se çfarë ne po bëjmë, çfarë po arrijmë dhe si mund të arrijmë këto suksese, si dhe ta bëjmë bashkërisht edhe rrethinën financiare dhe besimin e investitorëve që të vijnë tek ne.
Ne nuk mund të fitojmë më shumë duke nxjerrë më shumë vetveten dhe gjendjen në Kosovë. Atë duhet ta shikojmë në mënyrë reale. Kemi nevojë që të japim më shumë shpresë, të krijojmë më shumë besim, edhe për veten edhe për të tjerët, dhe që rrethina jonë të jetë rrethina ekonomike edhe evropiane edhe botërore dhe jo e ndarë nga kjo rrethinë.
Mund të hapim edhe disa çështje të cilat ne do të punojmë t’i realizojmë, edhe çështjen e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, edhe të liberalizimit të vizave, që është e lidhur ngushtë edhe me mundësitë e punës suaj.
Këto janë disa çështje që desha t’i ndaj me ju më tepër si informatë dhe si teza për diskutim. Ju e keni mundësinë dhe dëshiroj që të jeni shumë të hapur, themi edhe në përshkrimin e gjendjes, por edhe në dhënien e propozimeve, sugjerimeve, kritikave, në mënyrë që bashkërisht të vlerësojmë se çfarë duhet të bëjmë.
Faleminderit shumë.
Fjala hyrëse e ministres Hykmete Bajrami në takim.
I nderuar kryeministër z. Mustafa,
Të nderuar kolegë,
I nderuar zëvendësministër Krasniqi,
Të nderuar përfaqësues të komuniteti të biznesit dhe menaxherë të bizneseve vendore dhe të huaja në Kosovë,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Unë kam kënaqësinë e veçantë që t’iu përshëndes dhe t’iu uroj mirëseardhje në këtë takim të përbashkët të komunitetit të biznesit me kryeministrin e Republikës së Kosovës dhe me përfaqësues institucionalë, me të cilin do të bashkëbisedohet për progresin dhe sfidat për përmirësimin e ambientit të biznesit që kemi bërë gjatë këtyre 7 muaj e gjysmë.
Ju siç e dini Qeveria e Republikës së Kosovës nën udhëheqjen e kryeministrit Mustafa, ka iniciuar një sërë reformash në sfera të ndryshme ekonomike. Ato do të shpalosen sot vetë nga kryeministri Mustafa, dhe unë po përmend vetëm disa që kanë ndodhë gjatë kësaj periudhe.
Siç e dini kemi miratuar pakon e re fiskale e cila hyn në fuqi nga 1 shtatori i këtij viti, kemi miratuar Projektligjin për Fondin për Garantim të Kredive në Qeveri, i cili pritet të kalohet shpejt në Parlament, kemi miratuar gjithashtu në Qeveri Koncept-dokumentin për ligjin për investimet strategjike dhe kemi rifunksionalizuar Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, i cili tashmë vetëm ka adresuar disa çështje që janë ngritur në takimin e dytë.
Për këtë takim ne nuk kemi paraparë agjendë formale. Siç e thashë në fillim kryeministri vet do të paraqes një pasqyrë të punëve që Qeveria ka bërë gjatë këtyre muajve që i kemi lënë pas dhe ju keni rastin që të reflektoni punën e deritanishme të Qeverisë dhe të paraqitni komentet, sugjerimet, vërejtjet, ankesat dhe propozimet konkrete që keni për temat që ju preokupojnë juve.
