Prishtinë, 2 qershor 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa mori pjesë në hapje të Panairit të 17-të të Librit në Prishtinë.
Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa në hapje të Panairit.
Faleminderit shumë z. Demaku,
E nderuara ministre e Kulturës e Shqipërisë, znj. Kumbaro,
Të nderuar ministra,
I nderuar zëvendëskryeministër,
Botues dhe lexues të librit.
Kam kënaqësinë e veçantë që të marr pjesë në hapjen e Panairit të 17-të të Librit në Prishtinë, tashmë aktivitet tradicional i takimit të autorëve, botuesve, përkthyesve dhe lexuesve.
Pra, ne po hapim festën më të madhe të librit brenda një viti në Prishtinë dhe në Kosovë. Duke vlerësuar lartë punën e organizatorëve, mund të themi se ky aktivitet i madh kulturor, vit pas viti, po shënon rritje të vazhdueshme. Duke sjell për lexuesin tonë libra të rinj, por edhe libra të traditës, të të gjitha fushave: artistike, letrare, shkencore, ky panair po shton komunikimin e autorëve me lexuesit e tyre dhe po motivon shtimin e kulturës së leximit, e cila është tepër e nevojshme për një zhvillim modern të shoqërisë kosovare.
Përveç kësaj, pjesëmarrja e botuesve të librit nga të gjitha trojet shqiptare, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal i Zi, e forcon komunikimin kulturor ndër-shqiptarë, nëpërmjet fuqisë së librit. Fuqia e librit shton vetëdijen për udhën e përbashkët drejt integrimeve tona, pastaj afirmon gradualisht dhe me vendosmëri qenien tonë në botën perëndimore, pjesë e së cilës kulturë jemi të gjithë ne, dhe aspirojmë të bëhemi pjesë e familjes evropiane.
Duke i kuptuar drejt këto vlera, Qeveria e Republikës së Kosovës do të ketë kujdes të posaçëm për librin. Nëpërmjet politikave tona kulturore, do të shtojmë financimin e botimit të librit, do të krijojmë lehtësira ligjore për qarkullimin e tij, do të ndihmojmë botuesit me blerjen e librit dhe indirekt edhe stimulimin e autorëve.
Përveç kësaj, do të shtojmë kujdesin e shpërndarjes së librit nëpër bibliotekat e Kosovës, duke krijuar mundësinë e qasjes më të lehtë tek libri për të rinjtë tanë.
Një kujdes i veçantë do t’i kushtohet edhe përzgjedhjes së veprave artistike, letrare e shkencore për përkthim në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhë të huaja, si prezantim i artit, shkencës, kulturës kosovare në botën akademike perëndimore.
Të gjitha këto vepra do t’i bëjmë në bashkëpunim dhe në komunikim me autorët, me përkthyesit dhe shtëpitë botuese, me ndihmesën që do ta jap Këshilli Profesional i Librit, juritë e ndryshme profesionale, duke e shndërruar Ministrinë e Kulturës në një institucion të përkujdesjes ndaj librit dhe ndaj kulturës në përgjithësi.
Andaj, duke iu uruar për organizimin, pra për vijimin e traditës të Panairit të Prishtinës, pastaj duke iu përgëzuar për të gjitha aktivitetet që do t’i zhvilloni në kuadër të tij, ju dëshiroj punë të mbarë dhe shumë suksese në këtë mision shumë të madh.
Urime!
