Kryeministri i Republikës së Kosovë, Isa Mustafa mori pjesë në Akademinë Përkujtimore me rastin e 17 vjetorit të vrasjes së ish-Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqi.
Të pranishëm në Akademi ishin presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ministra të tjerë të Qeverisë së Kosovës, familjarë, bashkëluftëtarë, personalitete të jetës akademike dhe qytetarë të shumtë të Kosovës.
Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa në Akademi.
E nderuar presidente e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga,
Të nderuar familjarë të Kolonelit Ahmet Krasniqi dhe bashkëpunëtorë të tij,
Të nderuar ministra, i nderuari ministër i FSK-së,
Deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Bashkëpunëtorë të ngushtë të Ahmetit,
Të nderuara familje të heronjve dhe dëshmorëve të Kosovës,
Përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfaqësues të medieve,
I nderuari ambasador i Republikës së Shqipërisë, z. Minxhozi.
Jemi mbledhur sot për të përkujtuar Kolonel Ahmet Krasniqin, ministrin e parë të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, njeriun që punoi me tërë qenien e tij për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.
Pinjoll i një familje me traditë atdhetare, të dëshmuara në luftën kundër pushtuesve të Kosovës, Ahmet Krasniqi u lind më 15 janar të vitit ’48-të, në fshatin Zhilivodë të Vushtrrisë. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën e Mesme Teknike në Prishtinë, në periudhën 1964-69.
Ishte bashkëpunëtor i afërt i patriotit Metush Krasniqi, dhe pjesëmarrës aktiv në demonstratat studentore të vitit 1968 në Prishtinë. Pas mbarimit të shkollës së mesme, u regjistrua në Akademinë Ushtarake të Ushtrisë Tokësore në Beograd, ku u dallua si njëri nga kadetët më të aftë. Diplomoi me sukses të lartë, në afat rekord, ndërmjet vitit 1969-73. Pastaj vazhdoi studimet në Akademinë Komanduese të Shtabit Komandues, të cilin e kreu me sukses të plotë në vitin 1983.
Kur u krijuan institucionet e Republikës së Kosovës në vitet ’90-të, Kolonel Ahmet Krasniqi e vuri tërë potencialin e vet profesional dhe intelektual në shërbim të çështjes së Kosovës. Ai u angazhua me tërë qenien për unifikimin e faktorit politik dhe ushtarak të Kosovës, me qëllim të arritjes së rezultateve sa më të mira në terren, në frontin e luftës për lirinë e atdheut.
Njëkohësisht, duke qenë oficer karriere, ai i njohu dhe i respektoi institucionet legale të Republikës së Kosovës, nga të cilat edhe u emërua në detyrën e ministrit të Mbrojtjes dhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Këto përgjegjësi të larta, Kolonel Ahmet Krasniqi, i mori edhe me miratimin e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugovës.
Kolonel Ahmet Krasniqi u vu në krye të organizimit ushtarak, duke mbledhur rreth vetes të gjithë oficerët dhe atdhetarët e përkushtuar për çlirimin e Kosovës, dhe për ndërtimin e një shteti të pavarur dhe demokratik. Porse, në kulmin e këtyre organizimeve të fuqishme, kur struktura e Forcave të Armatosura të Republikës po merrte një formë, një dorë antishqiptare ia shoi jetën tinëzisht në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë, më 21 shtator të vitit 1998, duke i shkaktuar një dëm kolosal luftës tonë për liri dhe pavarësi.
Të nderuar pjesëmarrës të kësaj Akademie Përkujtimore,
Zonja dhe zotërinj,
Me rastin e 10 vjetorit të vrasjes së Kolonel Ahmet Krasniqit, ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, për meritat dhe guximin e jashtëzakonshëm, e dekoroi Kolonel Ahmet Krasniqin, Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, me urdhrin më të lartë, “Hero i Kosovës”.
Ndërsa, më 16 shkurt të vitit 2015, me rastin e 7 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, duke nderuar personalitetet e shquara me kontributin në luftën për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, dekori ndër të tjera edhe Aziz Zhilivoden, dhe pinjollin e familjes së tij, “Heroin e Kosovës”, Kolonel Ahmet Krasniqin me dekoratën “Gjergj Kastrioti”.
Si sot 12 vjet më parë, në manifestimin përkujtimor me rastin e pesë vjetorit të vrasjes së Kolonel Ahmet Krasniqit, Presidenti Ibrahim Rugova, në fjalën e tij ndër të tjera theksonte:
“Kolonel Ahmet Krasniqi me aftësitë e tij të rralla, bëri një organizim të mirë të Ministrisë dhe të Forcave të Armatosura, të cilat dhanë një kontribut të madh në çlirimin definitiv të Kosovës, që u bë me mbrojtjen madhështore dhe me angazhimin madhështor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të NATO-s dhe të vendeve të Bashkimit Evropian.
Kolonel Ahmet Krasniqi punoi me devotshmëri dhe përkushtim në formimin dhe forcimin e Forcave Mbrojtëse të Kosovës, në kuadër të institucioneve legale të vendit tonë. Me kulturën e tij ushtarake, Kolonel Krasniqi punoi në krijimin e një ushtrie me aftësi të fuqishme mbrojtëse dhe të disiplinuar, çfarë i duhet një vendi, prandaj i shprehim nderimin tonë për këtë.
Kolonel Krasniqi ishte njeri i matur, burrë trim dhe ushtarak i rryer. Në jetë ishte burrë i urtë, dhe mbushte jetën e tij me interesimin, pasionin për letërsinë dhe artin. Sot me krenari themi se kolonel Krasniqi është një ndër heronjtë e Kosovës, andaj për meritat e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, së shpejti do të jetë i dekoruar nga Presidenti i Kosovës”, thoshte Presidenti Rugova, në atë kohë.
Devotshmëria, disiplina dhe profesionalizimi në punë, urtësia, maturia dhe pasioni në artin e letërsisë, janë cilësitë që e dallojnë figurën e paharrueshme të Ahmet Krasniqit, i cili nuk punoi për të vënë veten në pah, por përkundrazi, punoi dhe sakrifikoi edhe jetën, për të mirën e atdheut, për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Shkathtësitë dhe dijet e tij ushtarake, Kolonel Ahmet Krasniqi i fisnikëronte edhe me pasionin për të bukurën, për krijime artistike. Dhe nga ky pikëshikim, ai mbetet i veçantë. Shembullin e tij në këtë aspekt mund ta ketë “Heroi i Kosovës”, Agim Ramadani, i cili poashtu u flijua në vlugun e luftës për lirinë e atdheut, i cili la pas vetes edhe krijimtari të begatshme në pikturë dhe në poezi.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Bashkëqytetarë të nderuar,
Vrasjen e Kolonel Ahmet Krasniqit, e planifikuan dhe e realizuan armiqtë e Republikës së Kosovës dhe popullit shqiptar. Njësoj si ideatorët, si dorasi dhe dorasit që kryen këtë akt të tmerrshëm, ata janë armiq të paqes, të humanizmit dhe armiq të lirisë.
Si të tillë, ata duhet të zbulohen dhe të gjykohen, sepse mosndriçimi i kësaj vrasjeje, është njollë shumë e shëmtuar për drejtësinë dhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi.
Si anëtar i Qeverisë në Ekzil dhe ministër i Financave, kam pasur rastin të punoj ngushtë me Kolonel Ahmet Krasniqin. Ai ishte një burrë i urtë, një burrë i mençur, një burrë i përqendruar dhe i brengosur, dhe plot ideale për vendin e tij.
Njeri që nuk u nënshtrua as në momentet më të rënda për të dhe për familjen e tij. Ai i tubonte rreth vetes të gjithë, rrezatonte dëshirë dhe vullnet që lufta të bëhet e përbashkët, sepse nuk shihte tjetër fitimtarë nga lufta, përpos Kosovës dhe popullit të saj.
Për fat të keq, më mbetet në kujtesë, kur për herë të fundit Ahmetin e takova të vrarë, në rrugën e Medresesë, para shtëpisë ku banonte në Tiranë, aty ku kriminelët kishin kryer atentatin mbi të.
Dhe unë akoma nuk mund ta humb besimin se shteti shqiptar do të zbardhë se kush e vrau Ahmet Krasniqin, kush e vrau idealin e tij për të luftuar për Kosovën e tij. Ndërkaq, neve na mbetet të përmbushim zotimin tonë që eshtrat e Ahmet Krasniqit t’i varrosim në Prishtinë, në kryeqytetin e Republikës së Kosovës për të cilën ai u angazhua dhe u flijua.
Të nderuar pjesëmarrës,
Profesionalizmi i Ahmet Krasniqit, vizioni i dëshmuar i një strategu të mirëfilltë ushtarak, që njihte dhe vepronte duke respektuar hierarkinë e institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës, mund të ketë qenë ndoshta edhe arsyeja e vetme që Kolonel Ahmet Krasniqi të shënjohej si cak i plumbave të atyre që u pengonte liria dhe pavarësia e Kosovës.
Gjatë historisë sonë, dora e zezë gjithmonë ka vënë në shënjestër pikërisht njerëzit më të mëdhenj të kombit, njerëz të ideve dhe të idealeve më të larta kombëtare, duke ua shuar jetën në kulmin e punës dhe veprimtarisë atdhetare e politike të tyre.
Së këndejmi pohojmë se Kolonel Ahmet Krasniqi i bashkohet plejadës së gjatë të personaliteteve më të ndritshme të historisë tonë kombëtare, të cilat fatkeqësisht pësuan njëjtë, pësuan nga pritat kriminale, nga pritat e errësirës, si Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Çerçiz Topulli e më vonë Azem Hajdari, Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Ismet Raci, Smajl Hajdaraj, Ukë Bytyçi, Tahir Zemaj, e shumë të tjerë.
Zbardhja e këtyre vrasjeve që ishin shumë të kobshme për kombin tonë, është borxh që ua kemi jo vetëm atyre që u vranë padrejtësisht dhe pabesisht, por ia kemi borxh drejtësisë dhe paqes së cilës ne po e ndërtojmë në Kosovë.
Kombi ynë për fat të keq ka trashëguar shumë plagë, shumë tragjedi, të kryera edhe në kohë paqeje, andaj vënia para drejtësisë e urdhërdhënësve dhe kryerësve të këtyre akteve qyqare dhe antikombëtare është detyrë dhe prioritet i institucioneve përgjegjëse për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.
Ne si Qeveri e Republikës së Kosovës do t’u japim gjithmonë ndihmën e nevojshme në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive që kemi, me ligjet në fuqi, gjithnjë duke respektuar ndarjen e qartë të pushteteve sipas së cilës institucionet e drejtësisë, prokuroritë dhe gjykatat, janë tërësisht të pavarura për të ushtruar veprimtarinë e tyre. Le të besojmë se drejtësia një ditë do të vihet në vend, në mënyrë që të gjithë ne familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët që kemi humbur më të dashurit tanë, që kemi humbur bashkëpunëtorët tanë, të kemi ta paktën si satisfaksion fitoren e drejtësisë ndaj të ligës, ngadhënjimin e dritës mbi errësirën.
Zoti e bekoftë Ahmet Krasniqin!
Zoti e bekoftë familjen e tij!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe miqtë e saj!
Faleminderit!
