Kryeministri Isa Mustafa mbajti konferencë për media


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 13 gusht 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mbajti të enjten një konferencë për gazetarë, ku së bashku me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, prezantoi të arriturat e Qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e zhvillimit ekonomik.

Fjala e kryeministrit Isa Mustafa në konferencë.

Dëshiroj t’iu përshëndes të gjithëve sot.

Jam së bashku me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, z. Stavileci, që të bashkëbisedojmë me ju sot lidhur me orientimet tona zhvillimore në disa fusha specifike për të cilat nuk kemi bashkëbiseduar deri më tani.

Është fjala për sektorin e energjisë, për sektorin e mineraleve dhe minierave, për sektorin e telekomunikacionit dhe për menaxhimin e korporatave publike, përkatësisht performancën e menaxhimit të kompanive publike tek ne.

Unë dëshiroj që t’i jap vetëm disa informata bazike dhe pastaj mund të bashkëbisedojmë, shtroni pyetje, dhe së bashku me ministrin do të bëjmë përpjekje që të përgjigjemi.

Ne jemi të interesuar që të punojmë mjaft shumë në çështjet e energjisë, do të punojmë në rishikimin e Strategjisë së Energjisë së Republikës së Kosovës. Këtë Strategji ne do ta zhvillojmë pastaj deri në vitin 2024, në mënyrë që të arrijmë furnizimin e plotë të Kosovës me energji elektrike, dhe ky furnizim të jetë në harmoni me kriteret e Bashkimit Evropian, sa i përket ambientit, poashtu të jetë në harmoni edhe me çmimet të cilat mund t’i përballoj ekonomia, sektori publik, privat dhe qytetarët dhe të jetë në harmoni me interesat tona të përgjithshme zhvillimore.

Në sektorin e energjisë, ne do të vazhdojmë të punojmë në ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, me kapacitet prej 600 megavatëve. Pritet së shpejti të finalizohet procesi negociues dhe të vendoset lidhur me procesin e mëtutjeshëm me firmën “Countour Global”, e cila është firma e vetme që ka mbet në konkurrencë, dhe me të cilën tash jemi duke zhvilluar negociata.

Jemi të interesuar poashtu të punojmë në revitalizimin e “Kosovës B”. Gjatë revitalizimit ne do të implementojmë masat e karakterit ambiental, masat teknike, dhe poashtu do të gjejmë modalitetet e financimit. Kemi mbështetjen e institucioneve financiare dhe fondacioneve të ndryshme në këtë fushë, dhe mendojmë se të gjitha kriteret do t’i përplotësojmë dhe poashtu do të arrijmë që edhe ky termocentral të revitalizohet dhe të jetë në gjendje të rregullt të punës.

Sa i përket qasjes ndaj Termocentralit “Kosova A”, kemi biseduar edhe javën e kaluar këtu së bashku me ju, ne do t’i qasemi edhe “Kosovës A”, me qëllim që të mos e cenojmë Kosovën sa i përket sigurisë së furnizimit me energji elektrike, ndërkaq modalitetet do të zhvillohen në harmoni me parametrat evropiane që kanë të bëjnë me mjedisin dhe parametrat e kostos së energjisë të cilat ne do t’i aplikojmë. I kemi tri mundësi sa i përket “Kosovës A”,  do të thotë një mundësi është ajo që ne fillimisht e kemi parë si orientim që të bëhet dekomisionimi i “Kosovës A” në fund të vitit 2017, mundësia e dytë është që të zgjatet dekomisionimi derisa të hyn në prodhim kapaciteti i “Kosovës së Re”, dhe mundësia tjetër është që të veprojmë sipas modelit që është ofruar edhe nga firma Bilfinger, që ne të rindërtojmë këto kapacitete, dhe të sigurojmë prodhim të energjisë elektrike, me një ofertë e cila është dhënë prej Bilfinger-it, prej 800 megavat me një kosto diku ndërmjet 900 milionë deri në 1 miliardë euro të ndërtimit. Mirëpo, akoma nuk kemi marrë asnjë ofertë financiare të kësaj firme, ose të firmave për të cilat na kanë premtuar se do të jenë të lidhura me të.

Jemi duke punuar poashtu që të sigurojmë edhe tregun e përbashkët të energjisë elektrike, në mënyrë që të bëjmë këmbimin e energjisë elektrike. Tani për tani jemi shumë afër me Shqipërinë, që të zhvillojmë një lloj të tregut të përbashkët, për arsye të kapaciteteve të transmisionit të cilat po i ndërtojmë.

Fjala është këtu sidomos për linjën interaktive 400 kilovolt, punime të cilat ne do t’i përfundojmë gati në fund të këtij viti, ndërkaq presim që në vitin 2016 të përfundojnë tërësisht dhe të aktivizohet kjo lidhje, me çka krijohen kushte të veçanta që ne të kemi këmbim të energjisë elektrike me Shqipërinë, në sezone të ndryshme, ku ne mund të kemi mungesë të energjisë elektrike, ose mund të kemi tepricë, dhe do të krijojmë një ekuivalencë të saj. Krahas kësaj, ne do të shikojmë të bashkëpunojmë me Shqipërinë edhe në aspektin e gjenerimit të energjisë elektrike dhe do të zhvillojmë biseda në të ardhmen edhe për këtë.

Jemi duke zhvilluar dialog në Bruksel lidhur me energjinë, sa i përket shfrytëzimit të rrjetit në veri të vendit, dhe prodhimit të energjisë elektrike në veri të vendit. I kemi disa gjasa që me datën 27 të këtij muaji ta arrijmë marrëveshjen edhe në këtë fushë, dhe me këtë do të arrijmë që ne ta vëmë kontrollin e plotë edhe të prodhimit edhe të distribuimit të energjisë elektrike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Po punojmë poashtu edhe në planin e zhvillimit të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë. Orientimet tona janë që diku deri në vitin 2020 të arrijmë rreth 25 për qind të energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe të përplotësojmë kriteret e Bashkimit Evropian. Këtu llogarisim edhe në energjinë elektrike që prodhohet nga Hidrocentrali i Zhurit, dhe poashtu do të shohim edhe mundësinë e kombinimit me këtë faktor edhe me Shqipërinë.

Një fushë e veçantë në të cilën është punuar sidomos nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik është çështja e efiçiencës së energjisë elektrike. Efiçiencën e kemi trajtuar në disa fusha. Është trajtuar në pikëpamje të prodhimit të energjisë për ngrohje, ose shndërrimit të energjisë elektrike në energji termike, që kemi shembullin më të mirë të Termokos-it në Prishtinë. Prandaj, tek Termokos-i ne jemi të interesuar që të punojmë edhe në fazën e dytë të Termokos-it, që ka të bëjë me rrjetin sekondar, sepse kapaciteti gjenerues i prodhimit të energjisë termike është më i madh se sa që ne kemi rrjetin sekondar ose rrjetin e shpërndarjes në qytetin e Prishtinës.

Jemi të interesuar poashtu që të punohet në Ngrohtoren e Gjakovës, dhe në qoftë se nuk gjenden burime të tjera të energjisë, të shfrytëzohen biomasa për Gjakovë, dhe poashtu tani për tani kemi një marrëveshje në Drenas mes Komunës dhe Ferronikel-it, për mundësinë e gjenerimit të energjisë elektrike dhe shfrytëzimit të burimeve për energji elektrike, dhe të njëjtën gjë ne jemi të interesuar që ta vazhdojmë edhe me komunat tjera.

Kemi disa projekte me organizatat financiare ndërkombëtare, me Bankën Botërore, me Bankën Gjermane për Zhvillim lidhur me efiçiencën e energjisë elektrike. Me Bankën Botërore ka të bëjë veçmas me objektet qendrore, të cilat ne përmes rikonstruimit të tyre do të arrijmë që të rrisim efiçiencën e energjisë elektrike, ndërkaq tek Banka Gjermane për Zhvillim kemi pasur projekte që janë zhvilluar edhe në të kaluarën, që kanë të bëjnë me shkollat, qendrat e mjekësisë familjare, me çerdhet për fëmijë në të cilat është rrit efiçienca e shfrytëzimit të energjisë elektrike.

Ka edhe programe të cilat janë duke u zhvilluar një kohë të gjatë me USAID-in, me UNDP-në, me IOM-in, e që kanë të bëjnë me planet e ndryshme komunale, qoftë tek ndriçimi publik, qoftë tek rekonstruimi i objekteve të ndryshme për rritjen e efiçiencës elektrike.

Në fushën e zhvillimit të sektorëve të minierave dhe minerareve, në fokusim të veçantë do të jetë çështja e Trepçës. Ne dje kemi themeluar një grup ndërministror, i cili nuk përfshin vetëm ministritë e caktuara, por përfshin edhe subjektet e tjera që merren me këtë fushë, që ata të na japin një orientim strategjik lidhur me zhvillimin e këtij sektori në të ardhmen. Ne mbesim që të bëjmë Strategjinë për Trepçën, dhe poashtu ta bëjmë ligjin për Trepçën. Me këtë do të fillojmë në vjeshtën e këtij viti, edhe njërën edhe tjetrën, me rastin e kompletimit të Bordit të Agjencionit Kosovar të Privatizimit. Poashtu, do të punojmë tani në hartimin e Programit për hartimin e Strategjisë minerare që do të përfshin vitin 2015 dhe 17, dhe përmes saj ne do të detajizojmë orientimet tona në të ardhmen.

Sa i përket kornizës ligjore, unë mendoj që përmes Ministrisë është arrit që ne ta harmonizojmë gati tërësisht kornizën ligjore e cila mundëson veprimet në të gjitha këto fusha. Në fushën e energjisë e kemi harmonizuar me kriteret e Bashkimit Evropian. Në fushën e minierave kryesisht kemi të bëjmë me ligje të cilat krijojnë kushte për siguri në punë të të gjithë atyre që punojnë në sektorin e minierave dhe minerareve.

Tek Trepça, tani në mënyrë konkrete po punohet në dy projekte, është projekti i parë hapja e vend punishteve të reja në horizontin e dhjetë dhe në horizontin e njëmbëdhjetë, dhe projekti i dytë është riaftësimi i vend punishteve në horizontin e tetë dhe në horizontin e nëntë. Do të thotë është një investim diku rreth 1 milion e 400 mijë euro. Është arrit poashtu Marrëveshja lidhur me shfrytëzimin e subvencioneve për Trepçën, por edhe njëra edhe tjetra ka të bëjë vetëm me pjesën jugore të Trepçës, por jo edhe me pjesën veriore, sepse në pjesën veriore akoma nuk është arrit marrëveshja me të.

Në fushën e teknologjisë informative dhe komunikuese, në pikëpamje të ligjeve, ne kemi arrit që ta përgatisim Ligjin për Transmetimet Radiodifuzive Tokësore, pastaj po punohet në strategjinë nacionale të teknologjisë informative deri në vitin 2020, dhe poashtu po punohet në konceptin për themelimin e Fondit për rritjen e zhvillimit të teknologjisë informative të Kosovës.

Mendojmë se tregu i telekomunikimeve ka filluar të liberalizohet në Kosovë, dhe me këtë po krijohen kushte mjaft të mira, ndërkaq poashtu presim që në fund të këtij muaji ta nënshkruajmë marrëveshjen e cila mundëson kodin e posaçëm telefonik për Kosovën, dhe që ne të kemi pavarësinë e plotë në këtë fushë.

Sa i përket performancës së kompanive publike, deri më tani përpjekjet kanë qenë që të arrihet performanca edhe ajo financiare, edhe perfomanca e rritjes së vlerës së kompanive publike, sepse objektivi themelor është që të shtohet vlera e tyre, dhe poashtu performanca e qeverisjes korporatave të këtyre kompanive.

Kam thënë edhe javën e kaluar se ne jemi vonuar si Qeveri për një kohë të caktuar në kompletimin e bordeve të kompanive publike. Do të filloj tani puna e komisioneve të cilat do të trajtojnë të gjitha aplikimet për borde. Kemi pasur diku mbi një mijë e 700 aplikime për bordet e këtyre kompanive. Puna fillon me 24 të këtij muaji, dhe llogarisim që Qeveria mundet deri në mesin e shtatorit të kompletoj të gjitha bordet e kompanive publike, dhe nga shtatori e tutje nuk do të kemi më kompani publike që nuk do t’i kenë të gjitha bordet e tyre,  në ndërkohë do të punohet edhe në bordet e agjencive të pavarura.

Faleminderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors