Prishtinë, 17 shkurt 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe kabinetin qeveritar, bëri homazhe para varrit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari, në kuadër të kremtimeve për shtatë vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Pas homazheve, në një deklaratë për media, kryeministri Mustafa theksoi se Familja Jashari është simbol i lirisë, i rezistencës dhe i paqes.
“Sot, në këtë ditë të pavarësisë, në përvjetorin e madh, jemi së bashku me Presidenten për t’u bërë nderimet luftëtarëve të lirisë, Familjes Jashari, simbolit të rezistencës. Një familje e cila dha shumë për lirinë, pavarësinë, e cila mbetet simbol jo vetëm i lirisë dhe i rezistencës, por edhe simbol i paqes”, tha kryeministri Isa Mustafa.
