Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, është takuar me Zëvendës Sekretarin e Departamentit të Shtetit, z. William Burns

E Premte, 28 shtator, 2012, Nju Jork – Sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, është takuar me Zëvendës Sekretarin e Departamentit të Shtetit, z. William Burns.

“Kosova ka përmbyllur një etapë të rëndësishme, atë të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, por ky proces merr kuptim vetëm me hapjen e kapitullit të ri, atij të integrimit euroatlantik që është edhe vizioni i shtetit të Kosovës. Përmbyllja e këtij procesi është një sukses i përbashkët i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosovës, si dhe Bashkimit Evropian. Prandaj ju falënderoj për përkrahjen dhe përkushtimin e juaj të pakursyer ndaj shtetit të Kosovës. Qeveria dhe populli i Kosovës përjetësisht do të ruajnë miqësinë dhe raportet e shenjta që kemi me Qeverinë dhe popullin Amerikan.  ” – tha Kryeministri Thaçi në takim.

Sa i përket integrimeve Evropiane Kryeministri Thaçi theksoi gjatë takimit – “Kosova po përmbushë reformat e nevojshme, dhe presim me të drejtë dritën e gjelbër nga Komisioni Evropian për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. I kuptojmë vështirësitë politike në kuadër të BE-së, por përkundër jo unitetit për pavarësinë e Kosovës, është për tu përshëndetur unanimiteti që ekziston në kuadër të BE-së për të ardhmen Evropiane të Kosovës dhe tërë Ballkanit Perendimor“

Kryeministri Thaçi gjithashtu theksoi se në kuadër të procesit të integrimeve evropiane si dhe fqinjësisë së mirë, Republika e Kosovës është e përkushtuar që të normalizojë raportet në mes të Serbisë dhe Kosovës, gjithmonë në pajtueshmëri të plotë me pavarësinë, sovranitetin, integritetin, si dhe kushtetutën e ligjet e Republikës së Kosovës.

Ndërsa Zëvendës Sekretari Burns theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë do të vazhdojnë të jenë mike e Kosovës si dhe do të ofrojnë mbështetjen e vazhdueshme ndaj zhvillimit të mëtutjeshëm të Kosovës.  

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors