Prishtinë, 8 maj 2013
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi uron qytetarët e Republikës së Kosovës, me rastin e 9 Majit, Ditës së Evropës.
Në mesazhin e urimit thuhet:
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të gjithë qytetarëve të Kosovës u shpreh urimet për 9 Majin, Ditën e Evropës, festën e kombeve të njërit nga kontinentet më të rëndësishme të globit tonë.
Kjo ditë, e cila edhe në Kosovës shënohet zyrtarisht, simbolizon lindjen e Evropës së bashkuar, krijimin e paqes dhe miqësisë midis kombeve të kontinentit.
Institucionet e Kosovës dhe qytetarët e saj, edhe me këtë rast shprehin mirënjohjen e thellë ndaj shteteve të Bashkimit Evropian, që kontribuuan në të gjitha format për përkrahjen, mbrojtjen, çlirimin dhe ndërtimin e Kosovës si në të kaluarën e afërt, ashtu dhe në ditët e sotme.
Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet çdo ditë me përkushtim për të përmbushur të gjitha kriteret dhe standardet e nevojshme që Kosova ta zërë sa më parë vendin e vet të merituar në mesin e shteteve të familjes së madhe evropiane.
Evropa vazhdon të mbes sinonim i lirisë, demokracisë, humanizmit dhe vlerave klasike kulturore e politike, vend i mirëqenies dhe ëndërr e popujve që t’u bashkohen këtyre vlerave universale.
Institucionet dhe qytetarët e Kosovës urojnë që kombet evropiane të tejkalojnë me sukses të gjitha sfidat ekonomike, dhe Evropa të vazhdojë që jetë shembull i përparimit, emancipimit dhe vlerave të lakmuara në përmasa globale.
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Republikës së Kosovës
