Uashington, 4 prill 2012
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është duke qëndruar me ftesë të Shtëpisë së Bardhë, sot është takuar me Sekretaren Amerikane të Shtetit, znj. Hillary Clinton.
Në takim Kryeministri Thaçi e njoftoi Sekretaren e Shtetit, Clinton, për zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës dhe për përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për thellimin e reformave të gjithëmbarshme.
Kryeministri Hashim Thaçi e falënderoi Sekretaren Clinton për përkrahjen dhe angazhimin e saj personal në lidhje me dialogun dhe marrëveshjet e fundit të arritura në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton gjatë takimit siguroi Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi se përkrahja e saj dhe e SHBA-ve do të vazhdojë, sidomos për rrugën e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.
Sekretarja Clinton theksoi se çmon lartë lidershipin e Kryeministrit Thaçi dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës në procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Znj.Clinton gjithashtu theksoi se Kryeministri Thaçi është duke punuar me përkushtim të madh për reformat e brendshme në Kosovë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në vazhdim të vizitës së tij zyrtare në SHBA, nesër do të pritet në Shtëpinë e Bardhë nga Zëvendës Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden.
Në vazhdim po japim deklaratën e plotë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën e përbashkët për media me Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton në Uashington.
Zonja sekretare, Clinton
Përfaqësues të medias,
Si gjithnjë është një kënaqësi e madhe që të jem në Uashington, sidomos tash në prill me nisjen e lulëzimit të qershive, që është shumë bukur.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ju personalisht gjithmonë i keni inspiruar njerëzit në Kosovë, me vlerat e lirisë, demokracisë dhe drejtësisë.
Kosova është një demokraci e re.
Ne ende kemi shumë rrugë për të bërë me reformat, forcimin e institucioneve dhe të ekonomisë, qeverisjes së mirë dhe luftës kundër korrupsionit dhe agjendave tjera reformuese, në mënyrë që të transformojmë shoqërinë tonë dhe të bëjmë ndryshime pozitive.
Por, disa gjëra nuk do të ndryshojnë kurrë, e këto janë liria jonë, pavarësia jonë, integriteti dhe sovraniteti ynë territorial dhe e drejta jonë për të ekzistuar si një komb krenar në familjen e madhe të kombeve.
E shfrytëzova këtë rast për të falënderuar zonjën sekretare Clinton për rolin e saj dhe kontributin personal në arritjen e marrëveshjeve të fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë, për përfaqësimin rajonal dhe menaxhimin e integruar të kufijve.
Vizioni im për Kosovën dhe regjionin është një e ardhme me kufij të hapur dhe marrëdhënie të mira fqinjësore.
Sot diskutuam edhe për shumë çështje të rëndësishme bilaterale.
Jam krenar për miqësinë mes dy kombeve tona.
Ne të dy besojmë se marrëveshjet e fundit kanë hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet e Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Të gjitha vendet në regjion ndajnë të njëjtin synim dhe vizion , atë të integrimeve evropiane dhe anëtarësimit në NATO
Por, për ta bërë të realizuar këtë gjë, ne ende kemi nevojë për një fokusim të fortë dhe prezencë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-së, jo vetëm në Kosovë, por po ashtu edhe në gjithë Ballkanin perëndimor.
Zonja sekretare Clinton, ju faleminderit edhe njëherë.
* * * * *
Pas takimit me kryeministrin Thaçi, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ka thënë se “është gjithmonë kënaqësi që t’i urojmë mirëseardhje në Uashington, këtu në Stejt Department kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka treguar një lidership të fuqishëm për të ndihmuar në promovimin e stabilitetit demokracisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë”.
“Kryeministri Thaçi është duke e udhëhequr shtetin drejt të ardhmes për qytetarët e Kosovës, atë të ardhme që e kanë dashur qytetarët e Kosovës dhe atë të ardhme të dëshiruar edhe nga Shtetet e Bashkuara, një partneritet të plotë dhe anëtarësim në strukturat euroatlantike dhe evropiane” është shprehur në fillim të adresimit të saj para medias në Uashington, sekretarja Clinton.
Më tej, znj.Clinton ka thënë se në takimin me kryeministrin Thaçi është diskutuar për progresin që e ka arritur Kosova në promovimin e të ardhmes së saj evropiane.
“Shtetet e Bashkuara fuqimisht mbështesin dialogun që po e zhvillohet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, dhe gjithashtu jemi të kënaqur me marrëveshjet e arritura” ka thënë znj.Clinton dhe ka shtuar se “Shtetet e Bashkuara mbeten plotësisht të përkushtuara ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës”.
Në deklaratën e saj, pas takimit, sekretarja Clinton po ashtu ka theksuar se marrëveshjet që janë arritur në këtë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë krijojnë parakushte për pjesëmarrjen e Kosovës në forume, dhe Kosova do të ketë një përfaqësim të barabartë me shtetet tjera. Prandaj, ka shtuar znj.Clinton, inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të jenë të përkushtuara ndaj këtij dialogu dhe të implementojnë çdo gjë, për të cilën janë marrë vesh.
Gjithashtu, sekretarja Clinton ka përgëzuar Bashkimin Evropian për marrjen e vendimit të nisjes së Studimit të Fizibilitetit për Kosovën, që paraqet një hap përpara drejt anëtarësimit për në BE për Kosovën. Kjo tregon se në Kosovë, por edhe në Bashkimin Evropian janë të përkushtuar që të fuqizojnë marrëdhëniet e tyre – ka thënë sekretarja Clinton.
“Përfundimisht, Grupi Drejtues për Kosovën tani ka filluar me përgatitje për të përmbyllur procesin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2012, ndonëse mbetet shumë për të bërë. Gjithsesi Qeveria është duke miratuar legjislacionin dhe duke ngritur institucionet, të cilat do të udhëheqin reformat demokratike dhe të sigurojnë sundim të ligjit për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ky vendim gjithashtu sinjalizon që një Kosovë stabile dhe e pavarur është e gatshme për një pjesëmarrje të plotë dhe anëtarësim në Bashkësinë Ndërkombëtare” ka theksuar Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.
“Shtetet e Bashkuara, zoti kryeministër, janë krahëpërkah në favor të Kosovës, derisa të vazhdohet rruga për të ardhmen e Kosovës. Dua t’iu falënderoj edhe juve dhe t’iu përgëzoj për gjithë punën e arritur dhe për progresin që ne sot e shënojmë” është shprehur Sekretarja Clinton, pas takimit me Kryeministrin Thaçi.