Prishtinë, 6 prill 2012
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës së tij në Uashington, është takuar me Drejtorin e përgjithshëm të “Zërit të Amerikës”, David Ensor.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi gjatë takimit me z. Ensor çmoi lartë punën profesionale, që zhvillohet në këtë medium të rëndësishëm ndërkombëtar. Kryeministri Thaçi theksoi rëndësinë e ekzistimit të “Zërit të Amerikës” dhe programeve të ndryshme të informimit, që ky shërbim ofron për qytetarët e ndryshëm në botë, dhe ndihmën e madhe që ju ofron popujve të ndryshëm dhe zhvillimit të demokracisë në botë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi theksoi se “Zëri i Amerikës” gjatë kohës më të rëndë të historisë së popullit tonë ka qenë gjithmonë një dritare shprese, që ka ndihmuar shumë në promovimin e çështjes së Kosovës. “Zëri i Amerikës” gjithmonë ka informuar drejtë në lidhje me luftën në Kosovë, aspiratat e Kosovës, si dhe rrugëtimin e saj historik deri në shpalljen e pavarësisë. Kurse, tani vazhdon të informojë për zhvillimet në Kosovë dhe arritjet që ka bërë Republika e Kosovës – u shpreh z.Thaçi
Ndërsa, Drejtori i përgjithshëm i “Zërit të Amerikës”, David Ensor theksoi se “Zëri i Amerikës” gjithmonë do të kryejë misionin e shenjtë për të shërbyer si një burim i besueshëm i informimit, gjithmonë do të synojë të jetë i saktë, objektiv, dhe gjithëpërfshirës. Z. Ensor theksoi se edhe në të ardhmen “Zëri i Amerikës” do të vazhdojë të informojë drejt në lidhje me zhvillimet në Kosovë.
“Zëri i Amerikës” (VOA) është një transmetues dinamik ndërkombëtar multimedial, që ofron shërbime në 43 gjuhë. Duke i shërbyer një publiku javor prej 141 milionë, VOA ofron lajme dhe program kulturor nëpërmes internetit, radios dhe televizionit. Në janar 2012, “Zëri i Amerikës” ka festuar 70 vjetorin e krijimit.