Kryeministri i Republikës së Kosovës , Hashim Thaçi takoi sot ministrin për Evropë të Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington

Stockholm, 2 tetor 2012- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi takoi sot ministrin për Evropë të Mbretërisë së Bashkuar,  David Lidington. Kryeministri Thaçi e njoftoi ministrin britanik për Evropë me zhvillimet e fundit në Kosovë, procesin e njohjeve dhe atë të integrimit evropian.

Kryeministri e falënderoi ministrin Lidington për mbështetjen e pa kursyer dhe përkushtimin e Britanisë së Madhe karshi Kosovës dhe rajonit. Ministri Lidington konfirmoi se ky angazhim dhe ky përkushtim do të mbetet i palëkundur.

“Kosova është e gatshme për të hapur kapitullin e ri, atë të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në mekanizmat e tjerë relevant multilateral. Ne do të përmbushim çdo kriter dhe çdo detyrim “ – tha kryeministri Thaçi.

“Ne duhet të punojmë bashkërisht që paqja dhe stabiliteti përfundimisht të mbizotërojnë në rajon dhe në relacionet mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Tani e tutje, ne duhet të përqendrohemi në zhvillim dhe integrim. Pavarësia nuk është e vetëmjaftueshme, ne duhet të integrohemi dhe të trajtohemi barabar me shtetet tjera, “ tha kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi gjatë takimit shprehu gatishmërinë edhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. 

“Por ky normalizim asnjëherë dhe me asnjë kusht nuk do të kalojë në kurriz të pavarësisë, integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Serbia duhet të çlirohet nga mentaliteti mesjetar dhe të kuptojë që Kosova dhe pavarësia e saj është fakt i pakthyeshëm “ tha kryeministri Thaçi në takim.

 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors