Prishtinë, 4 shtator 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot një delegacion të Bankës Botërore, të kryesuar nga zonja Juliana Oyegun, drejtoreshë për Diversitet dhe Përfshirje, me të cilët ka biseduar për intensifikimin e raporteve të bashkëpunimit midis Bankës Botërore dhe Republikës se Kosovës. Në takim, ishte i pranishëm edhe z. Ranijit Nayak, përfaqësues i Bankës Botërore në Kosovë.
Kryeministri Thaçi fillimisht ka falënderuar zyrtaret e Bankës Botërore për përkrahjen me rastin e anëtarësimit të Kosovës. Po ashtu z. Thaçi është shprehur i kënaqur me mbështetjen, asistencën dhe projektet e Bankës Botërore ne fusha të ndryshme në Republikën e Kosovës.
“Kosova si anëtare më e re e këtij institucioni financiar ndërkombëtar, do të jetë një partner serioz dhe shpreson për mbështetjen e projekteve kapitale zhvillimore sidomos në sektorin ekonomik”, ka thënë kryeministri Thaçi, duke shtuar se Kosova tashmë ka një kornizë ligjore të standardeve evropiane dhe një klimë të mirë dhe siguri për investimet e jashtme.
Drejtorët e Zyrave te BB-së nga shtetet e rajonit, Maqedonisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi, kane njoftuar Kryeministrin Thaçi lidhur me përvojat e tyre në rajon, të cilat mund t’i shërbejnë edhe Kosovës në të ardhmen.
Delegacioni i Bankës Botërore ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovës dhe ka konfirmuar gatishmërinë dhe përkushtimin e saj për mbështetjen e projekteve në vazhdimësi, si dhe ka premtuar që do të rrisin angazhimin e tyre ne Kosovë.
