Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti në një takim Guvernatorin e shtetit të Iowa-s, Terry Branstad


Image


Image

Prishtinë, 7 korrik 2013

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti në një takim një delegacion të shtetit amerikan të Iowa-s, të kryesuar nga Guvernatorin i shtetit, Terry Branstad. Temë kryesore e takimit ishtin zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon, si dhe thellimi i bashkëpunimit në mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe shtetit të Iowa-s.

Kryeministri Thaçi shprehu kënaqësinë që po takohet sërish me Guvernatorin e shtetit të Iowa-s, Terry Branstad, me të cilin është takuar edhe gjatë vizitës që kryeministri zhvilloi kohë më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me këtë rast, Kryeministri Thaçi edhe njëherë e falënderoi z.Branstad për mikpritjen institucionale, që i është bërë delegacionit të Republikës së Kosovës gjatë vizitës në shtetin e Iowa-s.

Kosova është vend me fat që ka një shtet mik siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha mes tjerash kryeministri Thaçi, duke vlerësuar lartë kontributin e shtetit të Iowa-s për Kosovën, veçanërisht duke mbështetur Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Partneriteti mes Kosovës dhe shtetit e Iowa-s, është dhe do të vazhdojë të jetë shembull i mirë i marrëdhënieve të qëndrueshme që ka ndërtuar Kosova me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – tha kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi falënderoi z.Branstad për nënshkrimin e marrëveshjes së partneritetit për binjakëzimin e shtetit të Iowa-s dhe Kosovës.

Ky hap do të hapë rrugën që përveç partneritetit shtetëror ndërmjet Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s, të thellojmë bashkëpunimin edhe në zhvillimin e sektorëve të tjerë, sikur ai i arsimit, bujqësisë, tregtisë, zhvillimit ekonomik – potencoi kryeministri Thaçi.

Gjatë takimit të sotëm, Kryeministri Thaçi e njoftoi guvernatorin Branstad për të arriturat e shtetit të Kosovës.

Republika e Kosovës ka hyrë në vitin e gjashtë të shtetësisë së saj me institucione të konsoliduara demokratike, me reformat e gjithanshme që janë bërë dhe po bëhen në politikë, ekonomi dhe legjislacion, si dhe me përkushtimin e plotë institucional dhe politik për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, theksoi Kryeministri Thaçi.

Përmes refomave që janë ndërmarrë dhe që po vazhdojnë të ndërmirren, Kosova ka shënuar progres të theksuar edhe në ekonomi, duke krijuar kështu një klimë të favorshme për investime ndërkombëtare – tha Kryeministri Thaçi.

Kryeministri Hashim Thaçi ritheksoi ftesën e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të gjitha kompanitë amerikane, veçanërisht ato nga shteti i Iowa-s që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë. Këto investime do të jenë të garantuara nga shteti i Kosovës – tha kryeministri Thaçi në takimin e sotëm me Guvernatorin e Iowa-s, Terry Branstad.

Nga ana e tij, Guvernatori i shtetit të Iowa-s, Terry Branstad e siguroi kryeministrin Thaçi se shteti i Iowa-s do të vazhdojnë të mbështesë shtetin dhe popullin të Kosovës edhe në të ardhmen.

Gurvernatori Branstad gjatë takimit me Kryeministrin Thaçi shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e institucioneve të shtetit të Iowa-s për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës në të gjitha sferat e interesit të përbashkët.

Në takim, Kryeministri Hashim Thaçi ishte i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, Ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, Komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, si dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në SHBA, Akan Ismaili.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors