Prishtinë, 20 shtator 2013
Fjala e plotë e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi:
“Faleminderit e nderuara ministre,
I nderuar zëvendëskryeministër,
Të nderuar ministra, kabinet qeveritar,
Të nderuar të gjithë, të pranishëm
Më lejoni të filloj takimin duke ju falënderuar të gjithëve, për punën dhe përkushtimin tuaj në zbatimin e kritereve për liberalizimin e vizave. Jemi dëshmitar të një progresi të konsiderueshëm si në fushën e riatdhesimit, sigurisë së dokumenteve, menaxhimit të kufijve, luftimit të krimit të organizuar, korrupsionit si dhe zbatimit të kritereve që ndërlidhen me të drejtat e komuniteteve.
Ky progres është arritur duke ju falënderuar përkushtimit tuaj, por edhe angazhimit të stafit pa të cilët ky progres nuk do të arrihej. Sidoqoftë, ky sukses nuk na lejon që të relaksohemi dhe të zbehim fokusin e zbatimit të mëtutjeshëm të kritereve të mbetura para nesh.
Ju tashmë jeni të familjarizuar me të gjitha këto kritere dhe i keni të qarta sfidat që na presin. Dua të shfrytëzoj rastin edhe sot kërkoj nga ju që të ngritni angazhimin tuaj edhe më tutje dhe të vendosni procesin e liberalizimit të vizave, në nivelin më të lartë të prioriteteve.
Të nderuar ministra, pres nga ju që këto prioritete te transmetohen tek secili zyrtar i digasterit që ju e mbuloni dhe të kërkoni zbatim të detajuar të kritereve dhe rekomandimeve, ta Komisionit Evropian.
Ju ftoj që ju personalisht të monitoroni zbatimin e kritereve dhe të kërkoni llogari nga stafi juaj në rastet kur nuk përmbushen kriteret me kohë dhe me kualitet të duhur.
Javët dhe muajt në vijim janë vendimtar për procesin e liberalizimit të vizave.
Shumicën e kritereve tashmë i kemi zbatuar, kështu që të mos lejojmë asnjë humbje kohe por të vazhdojmë edhe në pjesën tjetër të mbetur, që të mos vonohemi në këtë proces. Mos të lejojmë që për shkak të neglizhencës dhe mos angazhimit të vonohet lëvizja e lirë e shtetasve tanë pa viza në Bashkimin Evropian.
Ministria e Integrimit në bashkëpunim me ministrinë e Punëve të Brendshme janë duke e koordinuar këtë proces më të gjithë kapacitetet e tyre në dispozicion. Një përkushtim i njëjtë është dukë u ndërmarrë edhe nga ju të tjerët, kështu që e tëra që jam duke kërkuar nga ju, është që te mos zbehet përkushtimi, përkundrazi ta dinamizoni edhe më tutje.
Zbatimi i kritereve varet nga ne dhe nga askush tjetër. Pastaj vjen lehtësimi i zbatimit nga ekspertët e Bashkimit Evropian, të cilët jam më se i sigurt që do të ndahen të kënaqur me punën tonë. Kjo është nevojshme nëse të gjithë angazhohemi dhe marrim përgjegjësitë që na takojnë.
Të nderuar të pranishëm,
Krejt në fund përveç negocimit të MSA-së që është edhe prioritet për tërë Qeverinë e Kosovës, liberalizmi i vizave është prioritet i drejtpërdrejtë dhe i prekshëm për të gjithë ne, posaçërisht për qytetarët tanë.
Kjo e bënë këtë proces shumë të rëndësishëm, dhe kërkon angazhim edhe më të shtuar nga të gjithë ne.
Ju faleminderit shumë!”
