Prishtinë, 01 prill 2014
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka vizituar klubin e basketbollit të femrave “Prishtina”. Me këtë rast kryeministri përcolli nga afër stërvitjet e basketbollisteve të klubit kryeqytetas dhe u njoh me të arriturat e këtij klubi.
“Do të vazhdojmë të investojmë në sport, si Qeveri e Kosovës sepse është jetike për ne që të përfaqësohemi dhe të afirmohemi. Sporti, natyrisht jo vetëm që do të jetë ambasador por do të jetë me të vërtetë pamja e fuqishme dhe krenaria e qytetarëve të Kosovës, përfaqësimi ynë në garat ndërkombëtare” – tha kryeministri Thaçi.
Më poshtë po e japim të plotë prononcimin e Kryeministrit Thaçi pas vizitës në klubin e basketbollit të femrave “Prishtina”:
“Kosova ka pasur gjithmonë talent dhe talente, në të gjitha sportet, por në veçanti në basketboll. Jam jashtëzakonisht i inkurajuar dhe i entuziazmuar prej kësaj ekipe të shkëlqyeshme, të mrekullueshme dhe brilante, të basketbollit këtu në Prishtinë, ta cilat kanë përvojën e fitores së kupave dhe të kampionatit.
Edhe pse kësaj radhe ende janë në vendin e dytë, por me shpresë dhe besim se do të dalin të parët. Kam ardhur këtu vetëm që t’i shoh dhe t’i uroj, përgëzoj dhe inkurajoj që të fitojnë edhe kupën, edhe kampionatin.
Natyrisht, se tash janë krijuar kushtet shumë më të mira, kemi një palestër shumë moderne, një palestër për të cilën kemi investuar edhe këtu në Prishtinë, sikur gjithandej Kosovës, vetëm që të krijohen kushtet dhe mundësitë më të mira që ky talent të rritet, të avancohet, të afirmohet në nivel të Kosovës, por në të njëjtën kohë edhe në nivel ndërkombëtar.
Unë kam besim të plotë se edhe Prishtina, edhe ekipet tjera të Kosovës do të kenë sukses edhe në arenën ndërkombëtare për ta përfaqësuar sportin kosovar.
Ne do jemi sa më afër sportit, do jemi sa më afër njerëzve që merren me sport. Të respektojmë opinionet e të gjithë njerëzve që kanë traditë dhe kulturë sportive. Unë kam besim dhe shumë optimizëm se sporti kosovar do të ecë përpara me hapa të sigurt dhe do të jemi një prej vendeve më të respektuara dhe të afirmuara sa i përket përfaqësimit ndërkombëtar.
Definitivisht sporti është një aktivitet i cili i afron njerëzit, i bashkon njerëzit pa dallim ideologjie, pa dallim politik, pa dallim regjioni, pa dallim etnik. Kosova ka qenë e diskriminuar dhe e izoluar sa i përket përfaqësimit në arenën ndërkombëtare, tani veç janë hapur mundësitë e jashtëzakonshme.
Do të vazhdojmë të investojmë në sport, si Qeveri e Kosovës sepse është jetike për ne që të përfaqësohemi dhe të afirmohemi. Sporti, natyrisht jo vetëm që do të jetë ambasador por do të jetë me të vërtetë edhe pamja e fuqishme dhe krenaria e qytetarëve të Kosovës përfaqësimi ynë në garat ndërkombëtare.
Ne, kemi tanimë shembujt më të mirë të Majlinda Kelmendit, të Fatmire Bajramit për sukseset e tyre të jashtëzakonshme duke fituar edhe trofe botëror, dhe unë kam besim se një ditë, ne do të fitojmë trofe botëror edhe në futboll, edhe në basketboll, edhe në hendboll, edhe në pingpong dhe në të gjitha aktivitetet tjera sportive, e pse jo edhe në ski tani kur po investojmë në Brezovicë mbi 300 milionë euro, për të pasur qendrën e skijimit më të mirën dhe më atraktiven në rajon” – theksoi kryeministri Thaçi.
Ju uroj sukseset më të mira!
***************
Ndërsa trajneri i klubit të basketbollit të femrave “Prishtina”, falënderoj kryeministrin Thaçi për vizitën, për interesimin që ka për sportin në veçanti për basketbollin dhe për investimet që është duke bërë nëpër palestrat sportive, të cilat po i mundësojnë zhvillimin e aktiviteteve të tyre sportive.
******************
Kryeministri Thaçi iu përgjigj edhe interesimit të mediave lidhur më takimin e djeshëm në Bruksel, për të cilin theksoi:
“Definitivisht, mund të konkludoj dhe të konfirmoj para opinionit kosovar dhe atij ndërkombëtar se dje ka qenë një takim i suksesshëm. Pothuajse kemi përmbyllur marrëveshjen për funksionalizimin e sistemit të drejtësisë edhe në veri të Kosovës.
Zyrtarizimi do të bëhet në ditët e ardhshme. Kanë mbetur vetëm edhe disa aspekte të vogla teknike të sqarohen bashkërisht nga ekspertët tanë, ata evropianë dhe ekspertët tjerë. Kjo marrëveshje pothuajse është e përmbyllur –tha kryeministri Thaçi.
Gjatë kësaj vizite kryeministri Thaçi ishte i shoqëruar nga ministrat Memli Kransniqi dhe Blerand Stavileci.
