Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Marc-Perrin de Brichambaut


Image

Prishtinë, 18 dhjetor 2009

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Marc-Perrin de Brichambaut.

Në takim është biseduar për rrjedhat e përgjithshme demokratike në vend, me theks të veçantë për zgjedhjet e fundit lokale.

Kryeministri Hashim Thaçi me këtë rast e njoftoi sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, z. Marc-Perrin de Brichambaut për ecurinë demokratike, të rregullt dhe të respektimit të standardeve më të larta evropiane në organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale.

Kryeministri Thaçi pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në zgjedhjet e fundit e vlerësoi mesazh shumë pozitiv për ndërtimin e shtetit demokratik, me institucione gjithëpërfshirëse dhe stabile. Në të njëjtën kohë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi e ka vlerësuar profesionale, të paanshme dhe efektive punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kryeministri Thaçi dhe sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, de Brichambaut, në takimin e sotëm kanë diskutuar edhe lidhur me arsimin dhe pakicat. Në këtë drejtim, kryeministri Thaçi premtoi angazhimin e vazhdueshëm të qeverisë.

Kryeministri Thaçi njoftoi përfaqësuesin e lartë të OSBE-së edhe për punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në veçanti të Zyrës së Komuniteteve, që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në funksion të integrimit të të gjitha komuniteteve në institucionet dhe në shoqërinë kosovare.

Në takim, kryeministri Thaçi shprehu falënderime dhe mirënjohje për punën e OSBE-në në Kosovë dhe shprehu gatishmërinë e qeverisë për bashkëpunim të mëtejshëm në fusha të ndryshme.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors