Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovakisë, Miloslav Lajcak


Image

Prishtinë, 8 prill 2010
 
Kryeministri Hashim Thaçi në takimin me ministrin sllovak të Punëve të Jashtme, Lajcak, ka ripotencuar përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve të vendit, për qeverisjen e mirë, transparente dhe efektive, sundimin e rendit dhe ligjit, respektimin afirmativ të të drejtave të komuniteteve, si dhe përkushtimet dhe vizionin për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
 
Pasi ka theksuar se në Kosovë është krijuar një ambient i favorshëm dhe i sigurt për investime nga jashtë, kryeministri Thaçi u ka bërë ftesë biznesmenëve nga Sllovakia për të ardhur në Kosovë për të investuar.
 
Duke folur për sukseset e Republikës së Kosovës, në këto dy vjet të shtetësisë, me theks të veçantë për anëtarësimin në Fondin Monetar Ndërkombëtar, në Bankën Botërore dhe procesin e anëtarësimit të shpejtë në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kryeministri Thaçi ka theksuar edhe suksesin e arritur në organizimin e zgjedhjeve të fundit lokale, proces ky që siç tha z.Thaçi dëshmoi se institucionet dhe qytetarët e Kosovës mund të realizojnë zgjedhje të lira, demokratike, të drejta, të pranueshme dhe të vlerësuara lartë nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

”Shqiptarët, serbët dhe komunitetet e tjera votuan dhe i zgjodhën përfaqësuesit e tyre legjitim, dhe, si rezultat i këtyre zgjedhjeve, u krijuan edhe tri komuna të reja me shumicë serbe – Komuna e Graçanicës, e Kllokotit dhe e Ranillugut. Këto komuna tanimë kanë filluar funksionimin e tyre efikas me mbështetjen e plotë dhe të gjithëanshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të partnerëve tanë ndërkombëtare” – theksoi kryeministri Thaçi.
 
Në takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miloslav Lajcak, kryeministri Thaçi ka shfaqur edhe vizionin e qeverisë që drejton, për thellimin e bashkëpunimit rajonal, duke potencuar raportet e shkëlqyeshme me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi dhe vullnetin për vendosjen e raporteve edhe mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura.
 
Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi ka ritheksuar vullnetin dhe gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të kontribuar në rritjen e nivelit të komunikimit dhe bashkëpunimit rajonal, me të gjithë dhe pa përjashtime, gjithmonë në funksion të stabilitetit rajonal, zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian të rajonit.
 
Kryeministri Thaçi ka falënderuar ministrin Lajcak, për kontributin e Sllovakisë në mbështetjen e proceseve demokratike dhe zhvillimore në Kosovë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors