Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është pritur nga Kryeministri i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 21 janar 2013

Në kuadër të vizitës njëditore zyrtare në Ankara, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është pritur nga Kryeministri i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Në takimin e dy kryeministrave është biseduar për procesin e njohjeve të shtetit të Kosovës dhe për mbështetjen e Turqisë në rritjen e numrit të njohjeve, për dialogun Kosovë-Serbi, për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në fushën e zhvillimit ekonomik, dhe në fushat tjera me interes të përbashkët

Kryeministri Thaçi në takimin e sotëm në Ankara ka marrë mbështetjen e plotë të Kryeministrit Erdoğan që Turqia do të vazhdojë të ushtrojë ndikimin tek vendet e saj mike për rritjen e numrit të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës.

Pavarësia e Kosovës ka prodhuar më shumë stabilitet, paqe, prosperitet dhe integrim dhe në këtë kuadër Qeveria e Republikës së Kosovës do të fuqizojë përkushtimet e saj për thellimin e bashkëpunimit rajonal, si parakusht për integrimin e rajonit në BE dhe në NATO – ka thënë kryeministri Thaçi.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi e ka njoftuar homologun e tij turk, Kryeministrin Erdoğan për procesin e dialogut ndërshtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Erdoğan i ka dhënë mbështetje të plotë Kryeministrit Thaçi dhe Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e këtij dialogu, duke theksuar se kjo është mënyra më e mirë për zgjidhjen e çështjeve praktike mes Kosovës dhe Serbisë.

Në takim është biseduar edhe për rritjen e bashkëpunimit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Turqisë në fushën e zhvillimit ekonomik. Duke ripotencuar ftesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për investitorët turq për të investuar në Kosovë, Kryeministri Thaçi ka thënë se institucionet e Kosovës kanë bërë reforma substanciale në drejtim të krijimit të kushteve të volitshme për investimet ndërkombëtare në Kosovë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors