Kryeministri Hashim Thaçi: Statusi i Kosovës është përmbyllur njëherë e përgjithmonë


Image


Image


Image

Prishtinë, 7 korrik 2010

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka aprovuar Projektligjin për Prokurim Publik dhe ka aprovuar Platformën Vjetore të Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë së Kosovës.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se java që kaloi ka evidentuar angazhimin e Qeverisë për shtrirjen e autoritetit të vetë në gjithë territorin e Kosovës. I tillë është edhe akti i hapjes së zyrës për shërbime civile në veri të Mitrovicës, me qëllim që qytetarëve të ju ofrohen shërbime efikase dhe të shpejta. “Pres që shumë shpejt në këtë pjesë të hapen edhe gjykatat”, ka theksuar kryeministri Hashim Thaçi.

Kryeministri ka shprehur edhe vlerësimet për debatin e zhvilluar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së me kërkesë të Serbisë, pas ngjarjeve në pjesën veriore të Mitrovicës. “Pretendimet e Beogradit se ngjarjet janë provokuar nga veprimet e institucioneve të Kosovës, janë të paqëndrueshme dhe këtë e ka demantuar më së miri ministri Skender Hyseni”, ka thënë kryeministri Thaçi, duke rikonfirmuar qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se “Statusi i Kosovës është përmbyllur njëherë e përgjithmonë”, dhe për këtë çështje institucionet  Kosovës nuk do të pranojnë të dialogojnë asnjëherë me Serbinë.         

Kryeministri ka njoftuar kabinetin për vizitën e ish-kryeministrit britanez, Toni Bler, në Kosovë. “Toni Bler është një lider i përmasave botërore. Toni Blerë është një hero i Kosovës. Toni Bler meriton një pritje shtetërore dhe madhështore, dinjitoze nga institucionet dhe populli i Kosovës” ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Në vazhdim Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar dhe miratuar Projektligjin për Prokurim Publik. Qëllimi i këtij projektligji është të sigurojë efikasitet, transparencë dhe shfrytëzim më të drejtë të fondeve publike, burimeve publike dhe të gjitha fondeve dhe burimeve tjera të autoriteteve kontraktuese në Kosovë. Projektligji përcakton kushtet dhe rregullat që do të zbatohen, procedurat që do të ndiqen, të drejtat që do të respektohen dhe detyrimet që do të përmbushen nga personat, operatorët ekonomik, ndërmarrjet, autoritetet kontraktuese dhe organet publike që zhvillojnë, përfshihen, marrin pjesë ose interesohen, në aktivitetet e prokurimit publik. Ky projektligj, gjithashtu siguron integritetin dhe përgjegjësinë e zyrtarëve publikë, nëpunësve civilë dhe personave të tjerë që kryejnë ose janë të përfshirë në një aktivitet të prokurimit publik. Vendimet e individëve të mos ndikohen nga interesat personale, të karakterizohet me  jo-diskriminim dhe me një shkallë të lartë të transparencës, si dhe të jenë në përputhje me kërkesat procedurale dhe qenësore të këtij ligji.

Në mbledhje është shqyrtuar dhe aprovuar Platforma Vjetore e Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë. Platforma Vjetore e Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë është e mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin përkatës në fuqi. Platforma vjetore është zhvilluar duke pasur si pikënisje detyrat strategjike në fushën e sigurisë së Kosovës. Ruajtja dhe mbrojtja e sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Kosovës, përfshirë mbrojtjen e institucioneve të saj, sigurimin themelor të stabilitetit ekonomik, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, sundimit të ligjit, zhvillimit të demokracisë dhe të institucioneve demokratike, dhënia e kontributit për sigurinë globale, aderimin në institucionet evropiane dhe euroatlantike, sigurimin e stabilitetit dhe paqes në territorin e Evropës juglindore, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të proceseve integruese brenda bashkësisë ndërkombëtare, janë pjesë e platformës vjetore të miratuar.

Ministri i Integrimeve Evropiane, Besim Beqaj, ka prezantuar informatën për takimin e parë në Procesit të Dialogut të Stabilizim Asociimit, të cilën e ka vlerësuar të suksesshme dhe pritet që raporti i progresit i Komisionit Evropian do të evidentojë progresin e shënuar në Kosovë. Ministri Beqaj ka shprehur mendimin se Qeveria do të jetë në gjendje që deri në tetor të miratojë gjithë legjislacionin e nevojshëm për integrim, ashtu siç edhe ishte njëra nga konkluzat e takimit. Takimi ka dëshmuar se Kosova është e gatshme për procesin e liberalizimit të vizave dhe pritet që deri në shtatorë të marrim udhërrëfyesin për procesin e liberalizimit të vizave.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Lutfi Haziri, ka njohur kabinetin qeveritar për vizitën e tij në Bullgari në kuadër të përpjekjeve që Kosova të jetë anëtare e Forumit për Bashkëpunim Kulturorë në Evropën Jug Lindore.

Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Pula-Shiroka, ka prezantuar informatën për ecurinë e proceduarve për projektin e ndërtimit të Hidrocentralit të Zhurit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors