Prishtinë, 23 qershor 2009
“Jam tejet i inkurajuar dhe i impresionuar me punën që është bërë në komunën e Gjilanit gjatë kësaj periudhe të shkurtër kohore të qeverisjes”, ka thënë kryeministri i Republikës së Kosovës në takim me drejtuesit e qeverisë komunale të Gjilanit, gjatë vizitës në këtë komunë.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se në Gjilan kanë ndodhur shumë investime, në shumë fusha, dhe këto investime janë të prekshme për qytetarët dhe e kanë ndryshuar për të mirë jetën e qytetarëve të kësaj ane. Të kësaj natyre kanë qenë investimet në mase 40 kilometrave rrugë të qytetit dhe fshatrave të kësaj ane, ka përfunduar ndërtimi i shumë shkollave dhe janë ndërtuar e shumë kilometra të kanalizimit dhe ujësjellësit.
Kryeministri ka lavdëruar partneritetin e ngushtë të qeverisë komunale me komunitetin e biznesit, me zejtarët dhe afaristët, me uljen për 20 për qind të taksave, që do të lehtësojë zhvillimin e punës së bizneseve që do të rezultojë me krijimin e vendeve të reja të punës për qytetarët e Gjilanit.
Duke falënderuar ekipin e qeverisë komunale të Gjilanit, që është shumëpartiak dhe shumetnik, kryeministri Hashim Thaçi ka përkujtuar se progresi i shënuar në komunën e Gjilanit është rezultat, para së gjithash, i përcaktimit të qytetarëve të Gjilanit për të zgjedhur z.Qemajl Mustafa në krye të komunës së tyre.
Qeveria është e përkushtuar që të fillojë kompensimin e bujqve të kësaj treve për dëmet e pësuara nga breshëri, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi. “Tashmë është formuar grupi ndërministrorë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Ekonomisë dhe Financave, i cili ka formuar ekipet profesionale, të cilat do të bashkëpunojnë ngushtë edhe me ekipet profesionale të komunës dhe do të vlerësojnë dëmet.
Pastaj qeveria do të fillojë kompensimin e këtyre dëmeve për bujqit gjilanas”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, e ka njohur kryeministrin Hashim Thaçi me zhvillimet në këtë komunë, dhe ka shprehur falënderimin për kryeministrin, që vazhdimisht ka ofruar mbështetjen për projektet që ka ofruar komuna e Gjilanit për t’u financuara nga Qeveria e Kosovës.
