Prishtinë, 9 tetor 2010
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka qëndruar në komunën e Gjilanit. I shoqëruar nga kryetari, Qemajl Mustafa, kryeministri Thaçi ka vizituar fabrikën për prodhimin e tepihëve “Integj new”, projektin e shtratit të lumit Mirusha dhe është takuar me veteranët e luftës së UÇK-së. Në mesditë z. Thaçi ka pasur një drekë pune me komunitetin e biznesit të Gjilanit.
Fillimisht kryeministri Thaçi është ndalur në fabrikën “Integj new” ku ka vizituar ambientet e prodhimit të kësaj fabrike dhe ka biseduar me udhëheqësit kushtet e punës dhe shitjen e prodhimeve . “Komuniteti i biznesit në Gjilan është shembulli më i mire në Kosovë, ku pas procesit të privatizimit ka prodhim dhe hapje të vendeve të reja të punës”, ka thënë kryeministri Thaçi.
“Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të jetë mbështetje e fuqishme e komunitetit të biznesit, për të ecur përpara me hapjen e vendeve të reja të punës, ka thënë z. Thaçi, derisa për gjithë progresin e arritur në Gjilan, ka lavdëruar për punë dhe angazhim kreun e saj, Qemajl Mustafa.
Sa i përket projektit të lumit Mirusha, kryeministri Thaçi tha se kjo hapësirë, më parë ishte shumë e ndotur dhe tani po shndërrohet në park dhe shëtitore, falë investimeve të Qeverisë së Kosovës dhe Komunës. “Këtu po rregullojmë pjesën më të bukur të qytetit të Gjilanit. Investimet në këtë komunë, do të rriten akoma, për të ndryshuar edhe më shumë këtë qytet. Ky është përkushtim shtetëror i kryeministrit në inspektimin e projekteve ku po investon qeveria e Kosovës, për një jetë më të mire të të gjithë qytetarëve të Gjilanit”, theksoi z. Thaçi , duke shtuar se investimet janë shtetërore dhe bëhen për jetë dhe mirëqenie të të gjithë qytetarëve, siç është edhe rasti i Mirushës, nga e kemi larguar kundërmimin e madh që e ka përcjellë Gjilanin me vite të tëra.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa e ka falënderuar kryeministrin Thaçi për përkrahjen që po i jep komunës së Gjilanit. “Qeveria, me përkushtim dhe me projekte madhore po e përkrah Gjilanin dhe nga kjo përkrahje po fitojnë të gjithë qytetarët e saj, pa dallim”, theksoi Mustafa.
Në takimin me veteranët e luftës së UÇK-së, kryeministri Thaçi foli lidhur me ligjin për kategoritë e luftës dhe benificionet që dalin nga ky ligj për këto kategori që kanë sakrifikuar shumë për atë qe ne gëzojmë sot. Ligji për këto kategori do të jetë në fuqi nga një janari i vitit të ardhshëm, kur edhe do të rritet për 50 për qind paga bazë e familjeve të invalidëve dhe dëshmorëve të luftës.
Me këtë rast z. Thaçi premtoi se nga qeveria dhe komuna do te fillojë ndërtimi i objektit social për strehimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve, nga i cili do të përfitojnë 56 familje.
Përfaqësuesit e Organizatave të dala nga lufta falënderuan Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Thaçi për përkrahje dhënë kësaj kategorie, duke shpreh kënaqësinë për ligjin për kategoritë e luftës dhe projektin për strehimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës.
Në mesditë kryeministri Hashim Thaçi ka pasur një drekë pune me komunitetin e biznesit të Gjilanit.
