Prishtinë, 24 gusht 2009
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot përfaqësuesin civil ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith dhe shefin e EULEX-it, Yves De Kermabon.
Në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, me theks të veçantë për procesin e decentralizimit, për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, për vendosjen e rendit dhe ligjit në pjesën veriore të Kosovës dhe për çështje tjera aktuale.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi theksoi vazhdimësinë e përkushtimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të thelluar bashkëpunimin me Misionin Civil Ndërkombëtar dhe me Misionin e EULEX-it, në funksion të zhvillimit të gjithëmbarshëm të vendit dhe perspektivës evropiane të tij.
Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar thellësisht në avancimin e konceptit të qeverisjes së mirë, transparente dhe efikase, në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, sundimin e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, si dhe plotësimin e të gjitha kritereve për integrim në institucionet e Bashkimit Evropian dhe në NATO, – është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.
Nga ana e tyre, përfaqësuesi civil ndërkombëtar, Pieter Feith dhe shefi i EULEX-t, Yves De Kermabon, kanë vlerësuar përkushtimet e qeverisë dhe të gjitha institucioneve kosovare për zhvillimin e proceseve pozitive në vend, duke potencuar angazhimet në kuadër të procesit të decentralizimit, mbajtjen e zgjedhjeve të lira, si dhe bashkëpunimin e frytshëm për vendosjen e rendit dhe ligjit në pjesën veriore të Kosovës.
Z.Feith dhe z.Kermabon në takim janë shprehur për thellimin e bashkëpunimit me qeverinë, për të gjitha çështjet me interes për qytetarët e Kosovës.
