Prishtinë, 10 korrik 2013
Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën e sotme për shtyp, pas takimit me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baroneshën Catherine Ashton
E nderuara zonja Ashton,
Më lejoni fillimisht që t’iu falënderoj për rolin tuaj të jashtëzakonshëm në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, qytetarëve të Kosovës, për rolin tuaj të jashtëzakonshëm dhe udhëheqjen brilante të procesit të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë; t’ju falënderoj për durimin dhe vendosmërinë tuaj dhe prezantimin e vizionit për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, gjithmonë sipas standardeve evropiane.
Në të njëjtën kohë, më lejoni që t’ju falënderoj edhe njëherë për vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për fillimin e negocimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për Kosovën, dhe jam shumë mirënjohës për rolin dhe kontributin tuaj edhe personal.
Me këtë vendim të Këshillit të Bashkimit Evropian, Kosova është futur në rrugë të sigurt, në binarë të sigurt të perspektivës evropiane.
Kjo është një arritje jashtëzakonisht e madhe për vendin tim, për qytetarët e Kosovës, për institucionet e vendit.
Kam besim të plotë se ky vendim do të jetë një inkurajim i ri për institucionet e Kosovës. Ndërsa, ju e dini se sa i përket të ardhmes evropiane të Kosovës, në Kosovë ekziston një unitet i plotë i politikës, qytetarëve, i të gjitha komuniteteve, se e vetmja e ardhme e Kosovës është e ardhmja evropiane.
Ne jemi duke punuar maksimalisht edhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe dje kemi proceduar edhe legjislacionin e nevojshëm në Parlamentin e Kosovës, të konsultuar edhe me Komisionin Evropian.
Nga vizita juaj e fundit që keni zhvilluar me sekretarin e shtetit, znj Clinton në Kosovë, dhe sot kur jeni këtu, ka ndodhur ndryshime dramatike në kuptimin më pozitiv të mundshëm, atë të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, të procesit të implementimit të këtyre marrëveshje, është fillimi i tyre, por pastaj edhe angazhime tjera që kemi pasur bashkërisht , që kemi diskutuar në Bruksel, pastaj i kemi implementuar në Kosovë.
Ndërsa, jemi gjithashtu të inkurajuar se tash nga 22 kemi 23 shtete me Kroacinë nga Bashkimi Evropian që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Shpresoj që edhe pesë vende tjera partnere të Kosovës dhe mbështetëse të fuqishme të perspektivës evropiane për Kosovën, do ta kompletojnë njohjen për Kosovën dhe Kosova do të lëviz me hapa të sigurt.
Të nderuar të pranishëm,
Përfaqësues të mediave,
Ne diskutuam për hapat e fundit që po zhvillojmë, për diskutimet e fundit që kemi zhvilluar, gjithashtu edhe për takimin e fundit në Bruksel sa i përket çështjes së telekomunikacionit dhe energjisë.
Është arritur progres substancial. Shpresojmë se në ditët e ardhshme, siç jemi zotuar, edhe Prishtina dhe Beogradi do t’i kryejmë formalitetet e nevojshme teknike dhe profesionale, dhe do të jepet mesazhi aprovues politik për të vazhduar pastaj edhe me përgatitjet për zgjedhjet e tre nëntorit.
Edhe njëherë, e nderuara baroneshë, ju jemi shumë mirënjohës për kontributin tuaj dhe udhëheqjen e gjithë këtij procesi.
Kosova zotohet se do të kryejë obligimet e veta, duke përfshirë edhe ligjin për amnisti.
**************************
Fjala e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baroneshës Ashton në konferencën për media, pas takimit me Kryeministrin Thaçi
Së pari, mund të them se sa jam e lumtur që vij sërish në Prishtinë. Siç e theksuat edhe ju zotëri Kryeministër, që prej herës së fundit që kam qenë këtu kanë ndodhur shumë gjëra dhe çka është më e rëndësishmja marrëveshja me Beogradin, e cila do të sjellë fillimin e ndryshimit të vërtetë në jetët e njerëzve.
Ju duhet të jeni shumë krenarë për punën që është bërë, dhe kjo tregon se me normalizimin e raporteve me Serbinë, Kosova po ecën drejt së ardhmes së saj të sigurt, siç e përmendët edhe ju. Dua para së gjithash t’ju përgëzoj juve për punën që keni bërë, për udhëheqjen që keni treguar dhe dua të falënderoj ekipin që ka punuar me ju për përpjekjet e tyre.
Ju keni treguar guxim të vërtetë politik dhe keni treguar vizion të vërtetë. Dua t’ju them mediave se sa vështirë dhe sa rëndë ka qenë puna dhe sa shumë i kanë dhënë gjithë këta pjesëmarrës që ta çojnë këtë proces përpara.
Të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë mirënjohëse për këtë, dhe siç thatë edhe ju e kanë njohur këtë me vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për fillimin e negociatave për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Është vërtetë hap i vërtetë dhe i rëndësishëm në rrugëtimin evropian të Kosovës dhe e di se edhe gjërat tjera do të bëhen, sepse ekziston ambicia që ky proces të çohet përpara, por natyrisht duhet të vazhdojmë punën me të njëjtin përkushtim, që ëshët treguar edhe deri më tani.
Ne jemi takuar në Bruksel më herët këtë javë me ju z.Kryeministër, dhe do të takohemi sërish para përfundimit të Korrikut. Mendoj se të dy ju e keni treguar qartë se përkushtimi juaj mbetet i fuqishëm si gjithmonë që të vazhdoni edhe gjatë verës dhe të vazhdoni me zbatimin e marrëveshjes dhe të kryeni punë tjera, që duhet të bëhen.
Kam frikë se shumë njerëz nuk do të kenë pushime verore as këtu e as në Beograd. Jam shumë e kënaqur po ashtu që keni filluar punën në anën tuaj, lidhur me marrëveshjen e Stabilizim- Asociminit, e cila do të vazhdoj gjatë gjithë verës.
Pra, para së gjithash kam ardhë të them dy gjëra: njëra është se është kënaqësi, është mrekulli që jam këtu dhe e dyta se sa jam e kënaqur që Këshilli ka marrë vendimin që ka marrë.
Ka qenë vendim meritor. Duhet t’ju përgëzoj ju z. Kryeministër se është dashur shumë guxim dhe vizion dhe ju keni dëshmuar këtë.
Siç ju kam thënë edhe më përpara, ju jeni burrështetas i vërtetë.
**************************
Pyetje nga mediat: Sa i përket Ligjit për amnistinë, a është kjo për çfarë jeni marrë vesh? Dhe ashtu kjo çfarë Qeveria e Republikës së Kosovës ka përfshirë në këtë ligj, edhe shkeljet penale sa i përket krimeve ekonomike për tërë territorin e Kosovës, apo ndoshta ky amnistim ka të bëjë me një amnistim politik?
Kryeministri Thaçi:
Të nderuar përfaqësues të medieve,
Unë dëshiroj që t’ju drejtohem sot juve dhe gjithë njerëzve, që janë duke diskutuar, por edhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, me mesazhin e qartë se Kosova nuk është vendi i parë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, nuk janë institucionet e para që nxjerrin ligj për amnisti.
Ligji për amnisti tek e fundit është akt politik, i cili çon drejt afrimit, pajtimit të njerëzve.
Në anën tjetër, ju ftoj të gjithëve, edhe ata që nuk e kanë lexuar mirë, të informohen më drejtë, ta lexojnë më mirë. E di që ka pasur keqkuptime dhe keqinterpretime të ndryshme, që janë të motivuara politikisht, por edhe mos informime të ndryshme.
Por, në rrethana çfarë jemi ne, duke respektuar edhe Marrëveshjen e 19 prillit, Ligji për amnisti është i nevojshëm, është i domosdoshëm dhe në të njëjtën kohë është edhe një standard i marrëveshjeve politike kur të arrihen, çfarë është ajo e 19 prillit.
Ligj për amnisti apo edhe amnisti kanë bërë edhe vendet tjera të rajonit, duke u nisur nga Sllovenia, Kroacia, Bosnje dhe Hercegovina, Serbia në vitin 2001, dhe pastaj edhe Maqedonia me Marrëveshjen e Ohrit. Kështu që duhet të kemi parasysh, rrethanat edhe politike dhe aspektet legale në të njëjtën kohë.
Por, unë dua të theksoj se e gjitha që është përfshirë, është përfshirë në kuadër të Kushtetutës, dhe ligjeve të Kosovës, dhe është jashtëzakonisht me interes, që e gjithë skena politike kosovare, me përjashtime të vogla, është unike dhe mbështetëse e procesit të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Dhe, ne të gjithë këtë përpjekje që jemi duke bërë, jemi duke e bërë në atë drejtim, që të integrohen njerëzit në shoqërinë dhe institucione, dhe jo të përjashtohen.
Unë mendoj, dhe i ftoj të gjithë, që të dalin mbi interesat politike ditore, apo të karakterit elektoral, në interes të shtetit, në interes të normalizimit të gjendjes në veri, dhe dërgimit të mesazhit më të qartë.
Unë i kuptoj edhe kritikët, edhe ata që janë kundër, por zëri i arsyes dhe e mira e shtetit thonë që të aprovohet Ligji për amnisti nesër.
