Prishtinë, 24 prill 2013
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Aldo Bumçi.
Kryeministri Hashim Thaçi falënderoi ministrin Aldo Bumçi dhe Qeverinë e Shqipërisë për rolin e rëndësishëm që ka luajtur dhe po luan në mbështetje të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në këtë takim është vlerësuar se Marrëveshja e parë e parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e përafruar në Bruksel më 19 prill, do të jetë argument shtesë për vendet që ende janë në proces të njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Aldo Bumçi, përgëzoi kryeministrin Hashim Thaçi për marrëveshjen e arritur, që shënon një epokë të re me mundësi për të gjithë rajonin.
Ministri Bumçi po ashtu u shpreh i bindur se kjo marrëveshje do të jetë edhe në funksion të shtimit të numrit të njohjeve për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.
