Kryeministri Hashim Thaçi priti Ahmed Fahmy Ahmed, kryetar i Dhomës së Lartë të Egjiptit


Image

Prishtinë, 15.11.2012

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në një takim kryetarin e Këshillit Shura (Dhoma e Lartë – Këshilli Konsultativ) të Egjiptit, Ahmed Fahmy Ahmed, i cili në krye të një delegacioni të gjerë parlamentar po qëndron në vizitë disa ditore në Kosovë. 

Kryeministri Thaçi njoftoi delegacionin egjiptian me zhvillimet aktuale në Kosovë dhe angazhimet e institucioneve të vendit për forcimin dhe konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. 

“Kosova është shtet i ri, shtet i mundësive të mëdha, shtet që po forcohet dhe po konsolidohet çdo ditë” tha kryeministri Thaçi.
Duke folur për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Egjiptit, Kryeministri Thaçi ka pohuar se pret që shumë shpejt edhe Egjipti do ta njoh Kosovën. 

“Egjipti sot është ndryshe. Ju përgëzoj për ndryshimet demokratike që i keni bërë. Ky ishte një lajm i mirë për kosovarët, por edhe për gjithë botën demokratike. Dhe, tash ne jemi në pritje për njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Egjiptit. Besojmë se kjo njohje do të sjell edhe njohje të reja ” ka theksuar kryeministri. Nga ana e tij, z. Ahmed Fahmy Ahmed tha se populli i Egjiptit e përkrah Kosovën  dhe njohja e pavarësisë së Kosovës është çështje që do të ndodhë në një të ardhme të afërt. 

“Çështja e njohjes së Kosovës është në rend të ditës. Ne do të angazhohemi që kjo gjë të ndodh sa më shpejt. Kosova e meriton pavarësinë, nga e kaluara e saj historike” theksoi ai.
 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors