Kryeministri Hashim Thaçi: Nga dje është hapur një etapë e re për Republikën e Kosovës, për qytetarët e saj , etapa e sigurt e perspektivës evropiane të shtetit tonë të ri


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 15 tetor 2009

Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi sot është mbajtur mbledhja e 88 –të e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në Hapje kryeministri Thaçi ka njoftuar kabinetin e tij lidhur me tri dokumente që dje ka pranuar nga Komisioni Evropian, dokumentin për zgjerim,  raportin e progresit, dhe dokumenti i perspektivës  evropiane të Kosovës.

“Dëshiroj të falënderoj Këshillin e Evropës, për vlerësimin real që i ka bërë të arriturave në Kosovë. Në raport vlerësohet konsolidimi politik, stabiliteti politik, rendi demokratik, sundimi i ligjit dhe përfshihen sfidat me të cilat ballafaqohet edhe Qeveria edhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Ndjehem tepër mirë që vlerësohet lartë përkushtimi ynë për integrim të gjithë minoritarëve, në veçanti atyre serbë, pastaj reformat që kanë filluar  e të cilat po vazhdojnë”, ka thënë z. Thaçi, duke shtuar se nuk do të ketë kompromis ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe ndaj të gjitha dukurive tjera negative.

Më tutje z. Thaçi ka pohuar se nga dje është hapur një etapë e re për Republikën e Kosovës, për qytetarët e saj , etapa e sigurt e perspektivës evropiane të shtetit tonë të ri. Këto të arritura janë historike por janë edhe përgjegjësi e re për vazhdimin e implementimit të gjitha kritereve të nevojshme demokratike. Prandaj suksesi që kemi arritur në Kosovë është vlerësim për perspektivën e liberalizimit të vizave, marrëdhëniet tregtare dhe dialogu për asociim – stabilizim. 

“Nuk do të jetë edhe një rrugë e lehtë, është plot sfida , plotë përgjegjësi, por ky është qëllimi ynë, vizioni ynë, ky është qëllimi edhe i  Komisionit Evropian.
 Këto të arritura Kosovës janë të arritura të gjithëve, të gjithë spektri politik kosovar dhe gjithë qytetarëve. Prandaj atributet janë të Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës, të gjitha institucioneve në nivelin lokal dhe qendror. Unë besoj se do të kemi sukses të plotë”theksoi kryeministri Hashim Thaçi .

Me rastin e fillimit të fushatës elektorale, kryeministri Thaçi ka thënë se këto janë zgjedhjet e para të lira, demokratike në Kosovën e pavarur. Kryeministri Thaçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka përgëzuar të gjithë spektrit politik kosovar për fillimin e mbarë të fushatës elektorale.
“Këto zgjedhje janë një test dhe sprovë e madhe për të gjithë neve. Dhe në fund të këtij procesi elektoral, demokratik, fitues duhet të jemi të gjithë”, theksoi kryeministri Hashim Thaçi

Duke proceduar sipas rendit të ditës Qeveria ka miratuar sot Strategjinë Shtetërore të Republikës së Kosovës për Parandalimin e Krimit dhe Planit të Veprimit 2009-2012. Sipas ministrit  Zenun Pajaziti  nevoja për hartimin e kësaj strategjie vjen si domosdoshmëri dhe si një kërkesë për orientimin e aktiviteteve specifike të policisë dhe institucioneve tjera në drejtim të planifikimit; krijimit dhe zbatimit të Planit Veprues, në parandalimin e krimit. Strategjia përfshin ndërtimin e një sistemi të hershëm të intervenimit-reagimit me qëllim të parandalimit të krimit.

Po ashtu Qeveria ka miratuar edhe Planin e Veprimit për Implementimin e Udhërrëfyesit të Qeverisë së Kosovës për Liberalizimin e Vizave me Bashkimin Evropian  2009 – 2011. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që procesin e liberalizimit të vizave në kontekst të agjendës evropiane të vazhdojë ta konsiderojë si prioritet dhe t’i përmbush të gjitha obligimet që dalin nga Plani i Veprimit brenda kapaciteteve të saj.

Po sot Qeveria ka miratuar Projektligjit për Kryqin e Kuq të Kosovës dhe
Projektligjit për Përdorimin dhe Mbrojtjen e Emblemës të Kryqit të Kuq, emblemave tjera dalluese dhe sinjaleve. Qeveria ka propozuar që të futet në agjendën legjislative amendamentimi i Ligjit për protokollin e shtetit.

Qeveria ka marrë vendim që për ribotimin e veprave të ish-rektorit Ejup Statovci të ndahen 17.780 Euro.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors