Prishtinë, 11 tetor 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Arsimit Enver Hoxhaj, ka qëndruar sot në komunën e Prizrenit. Në një takim me udhëheqjen komunale z. Thaçi zyrtarisht ka prezantuar vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që Prizreni të jetë qyteti i dytë universitar në vend.
Kryeministri Hashim Thaçi me këtë rast ka premtuar mbështetjen e plotë të Qeverisë që më 1 tetor të vitit akademik 2010 në Universitetin e Prizrenit do të fillojnë studimet 5 mijë student, jo vetëm nga Kosova, por edhe nga vendet tjera të rajonit, në profilet e ekonomisë, drejtësisë , edukimit, teknologjisë së informative, bujqësisë e të tjera.
“Universiteti i Prizrenit ka domethënie edhe rajonale, sepse qysh tash ka interesim edhe nga vendet tjera për të studiuar në këtë universitet.
Pra Prizreni pos që është kryeqyteti i krenarisë sonë kombëtare , i vlerave tona historike , kryeqyteti i tolerancës ndëretnike do të jetë edhe kryeqyteti akademik”, tha Kryeministri Hashim Thaçi.
Përveç universitetit qytetarët e Prizrenit do të kenë fatin që së shpejti të fitojnë edhe një vepër tjetër të madhe. Së shpejti do të fillojnë punët për ndërtimin e autostradës, ëndrrës së shumë pritur të qytetarëve të Prizrenit dhe gjithë Kosovës, do të thotë autostradës Morinë-Prizren në drejtim të Prishtinës.
Vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e Universitetit publik në Prizreni e ka përshëndetur me entuziazëm edhe kryetari i komunës së Prizrenit z. Ramadan Muja. “Prizreni qytet universitar, ka qenë ëndërr e kamotshme e popullit tonë e në veçanti e intelektualëve. Qytetarët këtë vendim të qeverisë e kanë pritur me shume optimizëm”, theksoi z. Muja.
