Prishtinë, 18 nëntor 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat dhe ministrat e kabinetit qeveritar, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të objektit të rinovuar të ish-Pallatit të Shtypit “Rilindja”.
Fillimisht kryeministri Thaçi uroi për inaugurimin e objektit, i cili do të shërbejë për institucionet e Republikës së Kosovës dhe shprehu bindjen se ky objekt do të krijojë kushte, hapësirë dhe mundësi shumë të mira për punë të shumë ministrive dhe një personeli shumë të madh.
“Një nga zotimet tona që në fillim ka qenë nxjerrja e ministrive nga objektet me qera private dhe ndërtimi apo renovimi i objekteve adekuate dhe përshtatja e tyre. Ky është një investim që do të ndikoj në rritjen e efikasitetit qeverisës, krijimin e kushteve shumë efektive”, theksoi kryeministri Thaçi.
Kryeministri Thaçi përgëzoi ministrin e Ministrisë së Administratës Publike, Arsim Bajrami dhe kompaninë “Mabetex”, për punën e mrekullueshme, të cilën e kanë bërë.
