Prishtinë, 28 dhjetor 2012
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, me rastin e festave të fundvitit ka organizuar një pritje për kabinetin e tij qeveritar, deputetë të parlamentit, akademikë, përfaqësues të mediave, shoqërinë civile dhe të tjerë.
Në një fjalë rasti z. Thaçi para të ftuarve ka folur për të arriturat e Kosovës gjatë vitit 2012.
“Sot për mua si kryeministër i Republikës së Kosovës, si mik i juaji, është kënaqësi e veçantë që në këtë fundvit të jemi së bashku për të uruar njëri-tjetrin për suksesin që kemi shënuar në vitin 2012, por në të njëjtën kohë edhe për zotimet që do të marrim si shtet për vitin 2013”, thekoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se sapo kemi përmbyllur festat e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit. Ishte një festim dhe një kremtim që i ka munguar kombit shqiptar për një shekull të tërë” – tha kryeministri Thaçi.
Më tutje z. Thaçi ka pohuar se viti 2012 shënon vendime të rëndësishme për konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës. Në këtë vit që po e lëmë pas përmbyllëm mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
“Tani jemi vend sovran. Në të njëjtën kohë, Kosova arriti numrin rekord të njohjeve ndërkombëtare, pra më tepër se gjysmën e shteteve anëtare të organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në të njëjtën kohë, finalizuam pjesën më të rëndësishme të ndërtimit të autostradës së Kombit, Punuam maksimalisht që të kemi edhe reforma edhe zhvillim ekonomik. Kemi arritur që të kemi diku rreth 4 përqind zhvillim ekonomik. Ndërsa, kemi ecur suksesshëm në procesin e perspektivës evropiane” – u shpreh kryeministri Thaçi.
“Dua të falënderoj gjithë botën akademike, politikën kosovare, pozitë-opozitë, mediat, të gjithë ju të pranishëm, dhe të tjerët për mbështetjen dhe punën e përbashkët. Të gjitha këto të arritura janë të arritura të përbashkëta” ritheksoi z.Thaçi.
Kryeministri Hashim Thaçi pohoi se ka pasur edhe lëshime, ka pasur dobësi, kanë ndodhur gabime, por i falënderoj edhe shoqërinë civile, edhe mediat, për prezantimin e tyre korrekt të punës që e kemi bërë si institucione, edhe atëherë kur kemi punuar shumë mirë, edhe atëherë kur kanë ndodhur lëshime dhe dobësi.
