Prishtinë, 22.10.2012
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhje në të cilën është diskutuar për zhvillimet e fundit për dhe rreth Kosovës.
Kryeministri Hashim Thaçi ka informuar kabinetin qeveritar për zhvillimet në dhe rreth Kosovës. Kryeministri ka përmendur miratimin e rezolutës për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë që shënon edhe janë hap për të ardhmen evropiane të Kosovës. “Ky proces ka filluar pas marrjes së udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë dhe pas hartimit të dokumentit të Komisionit Evropian për Studimin e Fizibilitetit”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Kryeministri Thaçi ka shtuar se pas miratimit të rezolutës nga Kuvendi i Kosovës është ftuar nga Baronesha Catherine Ashton. “Bashkimi Evropian ka qëndrim të qartë dhe unik për të ardhëm e Kosovës. Me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është realizuar takimi me kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiq, ku është biseduar për normalizimin e marrëdhënieve në mesë të Kosovës dhe Serbisë. Në takim me kryeministrin e Serbisë është diskutuar për raportet mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, për implementimin e marrëveshjeve të arritura, për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe për shpërbërjen e strukturave paralele në veri” ka thënë kryeministri.
Kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar faktin se Bashkimi Evropian ka kërkuar që Serbia të sillet në mënyrë evropiane me Kosovës dhe të heq dorë nga veprimet cenuese të integritetit dhe sovranitetit të Kosovës.
“Unë sot kam takuar presidenten Jahjaga, dhe e ka njohur për takimin, dhe, gjithashtu kam takuar edhe liderët e opozitës, z. Isa Mustafa dhe z. Blerim Shala me të cilët jemi dakorduar që të vazhdojmë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin ndërkombëtar” ka thënë kryeministri Hashim Thaçi dhe ka shprehur falënderimin për mbështetje nga spektri politik për mbështetjen dhe për përgjegjësinë e përbashkët në këtë proces.
Kryeministri Hashim Thaçi ka njohur kabinetin qeveritar se me këto zhvillime ka njohur edhe ambasadorët e vendeve të Qunitit.
Në fjalën e tij, kryeministri Thaçi ka vlerësuar se veprimet e izoluara dhe kundërshtimet e këtij procesi, janë recidive të kundërshtimeve të mëhershme që kanë qenë edhe kundër bisedimeve në Rambuje, që kanë kundërshtuar administrim ndërkombëtar, që kanë kundërshtuar edhe planin e ndërmjetësit në bisedime me Serbinë, Presidentit Ahtisaarit. Po këta e pritën ftohtë edhe deklaratën e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se këta zëra dhe këta individë janë në përputhje me agjendën e kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës.
“Kosova e ka mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s. Javën e ardhshme do ta kemi në vizitë e sekretarin e jashtëm të Britanisë së Madhe, po ashtu në ditët në vijim vendin tonë do ta të vizitojë edhe Sekretarja e Shtetit, Hilari Clinton në mbështetje të konsolidimit të Kosovës” theksoi kryeministri.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri Hashim Thaçi ka ftuar të gjithë spektrin politik dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim që bashkërisht të angazhohen në përkushtimin për ndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës demokratike të lirë dhe të prosperuese për të gjithë qytetarët e saj.
