Prishtinë, 4 nëntor 2009
Gjatë vizitës në Lipjan kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Kristofer Dell janë takuar me kryetarin e ekipit për përgatitor për Komunën e Kllokotit, z. Refik Halili, i cili dje ishte sulmuar nga persona ende të panjohur.
Kryeministri Thaçi pas takimit ka thënë se z. Halili është shembulli i zotimit për angazhimet përbashkëta për ndërtimin e komunave të reja, për ndërtimin e multietnicitetit dhe sulmi që ka ndodhur dje është një akt i dënueshëm, i ulët, shumë qyqarë, i papranueshëm për popullin e Kosovës, institucionet e Kosovës, dhe faktorët ndërkombëtar.
“Do të bëjmë përpjekje të jashtëzakonshëm që rasti të zbardhët dhe inkurajoj z. Halili dhe gjithë njerëzit vullnetmirë të përgjegjshëm që ta vazhdojnë punën e tyre. Do ta keni përkrahjen e plotë time personale, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe autoriteteve tjera lokale”, ka thënë z. Thaçi, duke shtuar se nuk do të ketë kompromis me asnjë zë i cili pretendon të prish imazhin e Kosovës. Përkundrazi, do të jemi të pa kompromis në luftë ndaj atyre elementeve që pretendojnë ta dëmtojnë imazhin e Kosovës, procesin elektoral sepse është proces i pandashëm.
Ndërkaq ambasadori Kristofer Dell ka thënë se z. Halili përfaqëson të ardhmen e këtij vendi i cili tregon vullnetin për të punuar me fqinjët e tij pa marr parasysh përkatësinë etnike.
Refik Halili, falënderoi kryeministrin Hashim Thaçi dhe ambasadorin e SHBA-ve Kristofer Dell për mbështetjen e dhënë duke cekur se inkurajimi dhe vullneti i dhënë gjatë takimit të sotëm ka rëndësi të veçantë.
“Besoj se nuk do të ketë forcë që të më ndalë nga ajo që kemi filluar sepse decentralizimi është obligim kushtetues dhe unë respektojë vetëm ligjet e Republikës së Kosovës”, tha Refik Halili.
