Prishtinë, 10 prill 2018
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në manifestimin “Java e Bibliotekës Kombëtare”, edicioni i XVI, me temën “Arsimimi dhe trajnimi bibliotekar”, u tha drejtuesve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, se Qeveria do ta trajtojë me kujdes dhe respekt infrastrukturën e bibliotekave të Kosovës.
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj falënderoi dhe përgëzoi të gjithë ata që në ditë të vështira e mbijetuan librin, bibliotekën, të cilët na bënë të jemi këta që jemi sot.
Kryeministri përmendi vakumin 10 vjeçar të paraluftës, shkatërrimet e luftës, por edhe kohërat emergjente, duke theksuar faktin se edhe në atë kohë nuk kemi qenë vetëm. “Më kujtohet, që herët, ambasada e Amerikës, me një donacion të botimeve, dedikuar qytetarëve dhe studentëve. E kam përcjell atë kohë dhe më pat bërë përshtypje”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar Amerikën, popullin e saj, Ambasadën, për këtë kujdes të vazhdueshëm.
Më tutje, kryeministri Haradinaj tha se Qeveria jo mjaftueshëm kohë dhe vëmendje i kushton librit, bibliotekës, por edhe aktiviteteve që na bëjnë nder.
Kryeministri Haradinaj, duke folur për infrastrukturën e bibliotekave, tha se ka pengesa të shumta funksionale, por në një periudhë të shkurt kohore edhe kësaj do t’i qasemi.
“Duke ditur se kemi penda të çmuara që i çmon edhe bota, atëherë, kishim mundur që në këto momente të tilla, t’i shënojmë së bashku, t’i kemi edhe disa prej pendave më të çmuara shqiptare dhe duke i kujtuar edhe ata që s’janë me ne”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri tha se së bashku do të rrugëtojmë dhe do të marrim përgjegjësitë që na takojnë.
Në këtë takim, ku të pranishëm ishin përfaqësues institucionalë dhe nga jeta akademike, nga një fjalë rasti mbajtën ministri i Kulturës, Rinisë Sportit, Kujtim Gashi, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku dhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie.
Në kuadër të “Javës së Bibliotekës”, u hap edhe ekspozita me gravurat nga botimet e librave kushtuar Skenderbeut.
