Kryeministri dhe Presidentja bënë homazhe në 37-vjetorin e rënies së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut

Prishtinë, 2 nëntor 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidenten Justina Shiroka Pula, vendosën lule të freskëta dhe bënë homazhe te varret e Afrim Zhitisë dhe të Fahri Fazliut, të cilët para 37 vjetëve ranë heroikisht në ballafaqim të armatosur e të pabarabartë me forcat e shtetit serbo-jugosllav.

“Në vitin 1989 i kishim Afrimin e Fahriun, e pesë vjet para tyre, në mes të viteve të 80-ta, e kishim Rexhep Malën e Nuhi Berishën. Ishin këto përballje, në të cilat rënia heroike e veprimtarëve intelektualë dhe patriotëve idealistë, bëhej ngritje e vetëdijes dhe e organizimit të shqiptarëve. Ishte kjo dekada kur shqiptarët nën ish-Jugosllavi, përbënin 1/8 e popullsisë së gjithmbarshme, por rreth 80 për qind të të gjithë ish-të burgosurve politikë, ishin shqiptarë”, tha kryeministri.

Kryeministri tha se Afrimi e Fahriu, punuan dhe luftuan, u angazhuan e kontribuuan, për çlirimin e Kosovës, për lirinë e popullit dhe për bashkimin e përparimin e tij. Ndërsa shtoi se ata tani prehen të qetë së bashku me heronjtë tanë të tjerë, Ilir Konushevcin, doktor Hazir Malën, Agron Rrahmanin, Bahri Fazliun, e në mes të gjithë këtyre, simboli i qëndresës shqiptare, Bacë Adem Demaçi.

“Duke lartësuar Republikën dhe kombin tonë, duke mbrojtur integritetin territorial, duke ruajtur sovranitetin shtetëror, duke rritur ekonominë dhe forcuar ushtrinë, duke ju shërbyer qytetarëve e shoqërisë, ne ju përmbahemi idealeve të dëshmorëve të kombit.
Lavdi!”, tha kryeministri Kurti.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors