Prishtinë, 28 tetor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Edicionit III të Forumit Ekonomik Gjermano-Kosovar, organizuar nga KDWV me mbështetjen e Ambasadës Gjermane dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Duke u uruar mirëseardhje mysafirëve nga Gjermania dhe duke përmendur lidhjen e veçantë të Kosovës me shtetin e tyre, kryeministri Kurti tha se gjatë këtij forumi dyditor mundësitë, të cilat ishin diskutuar në forumin e mbajtur në Schloss Bensberg në North Rhine-Westphalia në muajin maj të këtij viti, duhet të kthehen në bashkëpunim të strukturuar ekonomik afatgjatë.
“Në Bensberg, ne folëm për mundësitë. Këtu, përgjatë dy ditëve, detyra jonë është që t’i kthejmë këto mundësi në një bashkëpunim të strukturuar ekonomik afatgjatë. Gjermania dhe Kosova e fillojnë këtë bisedë nga një themel jashtëzakonisht i fortë. Marrëdhëniet ndërmjet shteteve tona nuk fillojnë me statistika të shkëmbimeve tregtare ose marrëveshjeve për investime, ato janë ndërtuar nga dhe nëpërmjet njerëzve. Populli gjerman qëndroi me popullin e Kosovës përgjatë disa prej viteve më të vështira në historinë tonë”, tha kryeministri Kurti.
Në këtë kontekst, kryeministri foli për mërgatën e suksesshme dhe të mirëintegruar në Gjermani, si dhe rolin e saj të rëndësishëm në zhvillimin e vendlindjes. Ai theksoi se vetëm vitin e kaluar mërgata në përgjithësi dërgoi më shumë se 1.4 miliardë euro në shtëpi, dhe se që nga viti 2008 afër dy në pesë euro nga remitencat vijnë nga Gjermania.
“Përgjatë dekadave, qindra mijëra kosovarë e bënë Gjermaninë shtëpi të tyre. Ata u bënë punëtorë, inxhinierë, mjekë, sipërmarrës, studentë, të cilët ndihmuan në formësimin e komuniteteve. Ata mësuan gjermanishten, ngritën biznese, krijuan familje dhe ndërtuan lidhje mes dy shoqërive tona, që asnjë traktat nuk do të mund t’i krijonte i vetëm. Këtë lidhje mund ta shihni çdo verë në rrugët tona. Në korrik dhe gusht, kur mërgata jonë kthehet në atdhe, në Kosovë ka aq shumë targa gjermane, saqë mund të mendoni se Prishtina është shndërruar në lagje të Shtutgartit”, tha ai.
Tutje kryeministri foli për ndikimin që kjo lidhje ka në ekonomi dhe zhvillim, duke thënë se mërgata dhe ata që kanë studiuar në Gjermani kanë sjellë në Kosovë standarde të larta profesionale, aftësi teknike dhe lidhje të forta.
“Kompanitë kosovare punojnë pa asnjë pengesë me klientë gjermanë. Bizneset gjermane gjithnjë e më shumë gjejnë në Kosovë fuqi punëtore lokale që e kupton gjuhën e tyre, pritjet e tyre për cilësi dhe dinamikën e tregut të tyre. Pra, kur flasim për bashkëpunimin ekonomik gjermano-kosovar, nuk po fillojmë nga zero. Rreth 200 kompani me kapital gjerman tashmë operojnë në Kosovë, që është shenjë e qartë e besimit të kompanive gjermane në ekonominë tonë. Sot, Gjermania është partneri ynë më i rëndësishëm tregtar”, shtoi kryeministri.
Ai theksoi se në dekadën e fundit eksportet nga Kosova në drejtim të Gjermanisë janë nëntëfishuar, nga më pak se 12 milionë euro në vitin 2015 në më shumë se 107 milionë euro në vitin 2025.
Kryeministri Kurti tha se tani synimi është që të ndërtohet mbi këtë themel, duke tërhequr investime të reja, duke forcuar zingjirët e furnizimit dhe duke e zgjeruar bashkëpunimin në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.
Teksa tha se Kosova ka një nga popullsitë me moshën mesatare më të re në Evropë, kryeministri shtoi se më shumë se 99% e shtëpive në vend kanë qasje në internet, që është mbi mesataren në Bashkimin Evropian. Ai shtoi se viteve të fundit ekonomia është rritur vazhdimisht me mesatare vjetore mbi 4%, ndërsa është shtuar qarkullimi dhe janë ngritur fitimet e bizneseve dhe korporatave.
“Mosha mesatare në Kosovë është nën 35 vjeç. Në Gjermani është afër 45. Kështu që ndërmjet nesh ka një ndarje natyrale te puna. Gjermania sjell përvojën, Kosova sjell energjinë. Dhe, kurrë nuk kam parë kompani të suksesshme që nuk ka nevojë për të dyja. Po ashtu, kemi ndërtuar një mjedis investimi që është i dizajnuar për të qenë i thjeshtë dhe konkurrues. Normë fikse tatimore prej 10% mbi të ardhurat e korporatave. Tatim zero në burim për dividendë. Euro si valutë zyrtare, duke eliminuar rrezikun e kursit të këmbimit. Integrim i avancuar në tregun rajonal dhe evropian. Nga 1 tetori, marrëveshja e tregtisë së lirë me EFTA-n është në fuqi në të katër shtetet anëtare, dhe kemi ratifikuar tri protokolle të reja të CEFTA-s që mbulojnë lehtësimin e tregtisë, shërbimet dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, tha ai.
Kryeministri Kurti theksoi se transformimi digjital dhe inteligjenca artificiale, energjia dhe infrastruktura e qëndrueshme, si dhe avancimi i prodhimit e industrisë, janë tri fusha në thelb të edicionit të sivjetmë, dhe mund të jenë një bazë e mirë për atë se si kapitali gjerman dhe talenti kosovar mund të bashkëkrijojnë vlera afatgjate.
Krahas paneleve profesionale me diskutime të hollësishme, në kuadër të Forumit do të ketë ndërveprim e shkëmbime, nëpërmjet takimeve me biznese e vizitave konkrete në hapësirat e tyre.


















