Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, mbajtur në Forumin Strategjik të Bledit

Slloveni, 3 shtator, 2012

Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, mbajtur në Forumin Strategjik të Bledit

Të nderuar mysafirë;
Të nderuar panelistë;

Shumë gjëra kanë ndryshuar rrënjësisht, që prej jetësimit të Bashkimit Evropian si shtëpi e evropianëve të përzgjedhur—dy dekada më herët. Duke mos dashur të ripërsëris këtu ndryshimet globale që ndodhën ndërkohë—multipolariteti pushtetor, ngritja e superfuqive të reja dhe relativizimi i shumë të vjetrave—do të ritheksoj vetëm atë që mendoj të jetë më rëndësi për Ballkanin perëndimor.

Sa për qëllim të debatit, do të vëreja se, mes tjerash, themelimi i Bashkimit Evropian përmes lënies së shoqërive ballkanike jashtë tij ishte shkas plotësues për ndezjen e konfliktit të madh ish-jugosllav. Për më tepër, do të shtoja se qasja relativiste e këtij unioni të ri në ditët e para të agresionit dhe vrasjeve në ish-Jugosllavi, po ashtu asistoi që ajo tragjedi të zgjaste një dekadë të plotë.

Përfundimisht, sot, 20 vjet më vonë, procesi shumë i ngathët dhe i veshtirë i anëtarësimit të shteteve të reja ballkanike në këtë union vazhdon ta mirëmbajë frymën e rivalitetit rajonal, e mungesës së bashkëpunimit dhe—për më tepër, sikur në rastin e Republikës së Kosovës—vështirësimin e normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore me Republikën e Serbisë.

Në anën tjetër, sot është e qartë se, fatkeqësisht, ‘dilemat ballkanike’ nuk e përbëjnë më majen e listës së telasheve të udhëheqësve të Bashkimit Evropian. Recesioni i rëndë ekonomik i cili sivjet mbyll vitin e katërt, përplasjet ndër-evropiane rreth parimeve fundamentale të politikave fiskale, borxhet në lartësi gati të pabesueshme të një numri të vendeve anëtare—të gjitha këto dëshmojnë për çastet e rënda të shtëpisë së përbashkët.

Sot, të gjithë evropianët dhe aleatët e tyre janë të vetëdijshëm se stabilizimi ekonomik i Unionit është një proces sa i rëndë, aq edhe i gjatë. Këtu, s’do mend, e keqja e recesionit ekonomik është recesioni i fuqisë politike dhe, rrjedhimisht, recesioni i vizionit ideologjik. Brenda nate, problemet e brendshme ia zëjnë vendin angazhimeve ndërkombëtare përderisa qeveritë konsumohen në mirëmbajtjen e mirëqenies elementare të qytetarëve të tyre. Shkurt, sot, vështruar nga Ballkani, zëri i Brukselit pothuajse nuk dëgjohet fare nga jehona e deklaratave dramatike nga Berlini, Parisi e Londra—dhe, tutje, nga Athina, Madridi e Lisabona.

Dhe—çfarë do të mund të mendojë apo të thotë, në gjithë këtë vërshim të telasheve, një qytetar i rëndomtë nga perëndimi i Ballkanit? Çfarë duhet të besojë ai, i cili tash e 20 vjet jeton nga një shpresë e vetme—se anëtarësimi i vendit të tij në Union do t’i jep fund frikës dhe pasigurisë për të ardhmen? Pikërisht ai qytetar i cili i mbijetoi tragjedisë së paimagjinueshme jugosllave vetëm përmes shpresës se një ditë, së paku fëmijët e tij, do të jetojnë në shtëpinë e përbashkët evropiane—larg nga urrejtja etnike, përndjekja politike dhe varfëria ekonomike?

S’do mend, e vetmja gjë të cilën ai do të mund ta pohojë me siguri të plotë është fakti se, së paku, ai dhe vendi i tij nuk janë përgjegjës për recesionin e sotëm evropian.

Mirëpo, kjo s’do të thotë se ai dhe vendi i tij nuk bëjnë pjesë në grupin e viktimave të këtij recesioni. Mes brengave serioze të sigurisë, izolimit, pamundësisë së lëvizjes së lirë, kufijve të hekurt dhe aplikacioneve për viza—në Kosovë, ai qytetar sot përballet edhe me mbyllje të përditshme të vendeve edhe ashtu të pakta të punës, me varfëri dhe skamje, të ngjashme me atë nga dy dekada më herët.

Skamja çon në urrejtje. Urrejtja nis luftën. Njohësit e kujdesshëm të rrethanave ballkanike e dijnë se ishte pikërisht kjo njëra ndër arsyet që shkatërroi Jugosllavinë para syve të Bashkimit Evropian. Për ta, dhe për ne të tjerët që jetojmë atje, është fare e njohur teknologjia e cila i kthen shoqëritë në errësirën e etno-nacionalizmit—e cila pastaj ndriçohet nga zjarri i pushkëve e tankeve.

Kam frikë se rikthimi i nacionalizmit etnik si program qeveritar tashmë ka filluar në rajonin tonë. Garnitura të politikanëve nga dekadat e përgjakshme janë ri-popullarizuar dhe po fitojnë garat zgjedhore. Një rajoni aq të vogël si ky i yni nuk i duhet shumë për ta replikuar modelin e nisur në fqinjësi. Sikurse edhe 20 vjet më herët, paqja dhe lufta janë barabarësisht të mundshme dhe të pamundshme në Ballkan. Fare pak duhet për të mbizotëruar njëra—apo tjetra.

Këtu, me ironi do të përkujtoja se dy dekada më herët, Bashkimi Evropian nuk e kuptonte thellësisht rrezikun që i kanosej kombeve të ish-Jugosllavisë, andaj edhe nuk veproi fuqimisht. Sot, jam i bindur se këtë rrezik e kupton thellësisht—porse fuqia e tij vepruese është tashmë në recesion.

Mysafirë të nderuar,

Si të dilet nga kjo situatë? Cila është zgjidhja që ne, liderët rajonalë duhet t’ia deklamojmë qytetarëve tanë? A ekziston—dhe cila është shpresa e tyre?

Pak gjë të re do të mund të shtonte në këtë temë të madhe një përfaqësues i një shoqërie ende të brishtë dhe të vogël çfarë është sot Republika e Kosovës. Mirëpo, ajo që mund ta ritheksoj sot janë disa parime modeste—duke shpresuar që në Brukselin e sotëm ka ende energji dhe forcë për t’u përballë me sfidën ballkanike.

•    Motivacioni i shoqërive nëpër shtetet që aspirojnë anëtarësim duhet të jetë më konkret. Vetëm ato qeveri që përmbushin në tërësi ndryshimet dhe reformat fundamentale politike dhe ekonomike mund të kenë qasje në përkrahje politike dhe fonde zhvillimore.

•    Standardet anëtarësuese duhet të jenë të njëjta për të gjithë. Kompromiset e rënda evropiane në Ballkan për hir të stabilitetit politik janë treguar të dëmshme dhe kundër-produktive. Shtetet që nuk përfillin marrëveshjet rajonale dhe realitetet e reja politike nuk mund të përkrahen barabarësisht me ato që vazhdimisht tregojnë gatishmëri për tejkalim të problemeve ndër-fqinjësore. Fitimi i statusit të kandidatit nga ana e Republikës së Serbisë dhe refuzimi i liberalizimit të vizave për Kosovën e pati vetëm një rezultat: rikthimin e nacionalizmit etnik në pushtet në Beograd.

•    Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit mbete ende nje sfide e veshtirë dhe komplekse pothuajse për të gjitha shtetet e Ballkanit. Ne këtë aspekt slloganet mbi ‘ngadalësinë e drejtësisë’ nuk mund të sherbjenë si arsyetime. Pikërisht nga shpejtësia e reagimit varet edhe suksesi në këtë luftë. Koha është drejtësi.

•    Përfundimisht—izolimi i një populli të tërë, çfarë është rasti me banorët e Kosovës tashmë është i pabesueshëm. Përkundër të gjitha përpjekjeve, marrëveshjeve rajonale, plotësimit të kushteve e standardeve të kërkuara, Republika e Kosovës nuk ka të drejtë të lëvizë lirshëm në kontinentin e vet. Sot, shteti ynë është i vetmi në të gjithë Ballkanin që mbetet i bllokuar dhe i paralizuar nga pamundësia e lëvizjes. Me shumë vonesë dhe veshtirësi, më në fund ne kemi marrë udhërrëyesin për liberalizimin e vizave dhe jemi pothuajse në fazën e fundit të përmbushjës së të gjitha kritereve teknike që kërkohen nga ana e Komisionit Evropian. Unë dua të besoj se në momentin që ne i përmbushim këto kritere, Brukseli nuk do të vonohet për të marrë vendimin e duhur port ë vonuar për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës—për të mundësuar lëvizjen e tyre të lirë nepër Evropë.

Mysafirë të nderuar,

Sot është e qartë se mirëqenia ekonomike e shoqërive ballkanike nuk do të  përmirësohet brenda nate përmes anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Mbase, ëndërrimet tona evropiane të para 20 viteve sot janë dukshëm më modeste dhe, mbase, më realiste. Është e qartë për të gjithë se janë këto çastet e rënda për temën e zgjerimit—dhe se pritjet nga ai duhet të jenë më të vogla.

Megjithatë, zgjerimi i Unionit dhe anëtarësimi ynë nuk ka alternativë. Për ne, debati rreth asaj se çfarë nënkupton sot Bashkimi Evropian në këtë botë të transformuar nuk ka ndonjë rëndësi. Ekzistimi i tij dhe gatishmëria jonë për të qenë pjesë e tij vazhdojnë të jenë shpresa dhe motivacioni i vetëm për t’i ikur asaj që kërcënohet. Kosova, Bosnja dhe mbarë rajoni kanë kujtime të gjalla nga ankthi i mbetjes para portës së mbyllur evropiane—të vetmuar përballë vrasjeve nga fqinjësia.

Republika e Kosovës vazhdon të jetë e gatshme, të shpresojë dhe të besojë se Brukseli do të gjejë forcë për t’u zgjeruar në Ballkanin Perëndimor. Jam tërësisht i bindur se me këtë do t’i jepet fund frikave dhe armiqësive të vjetra, duke hapur dyert për mirëqenie dhe miqësi të reja.

Ju falëmnderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors