Fjalimi i Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takimin përmbyllës të Grupit Ndërministror për Decentralizim

Të nderuar Ambasadorë,

Të nderuar përfaqësues të ICO-s, dhe organizatave tjera ndërkombëtare

Të nderuar Zv.Kryeministra,

Të nderuar ministra,

Të nderuar Anëtarë të Grupit Ndërministror për Decentralizim,

Të nderuar të pranishëm, 

Fillimisht, më lejoni të ju dëshiroj mirëseardhje të gjithëve.

Gjithashtu dua të falënderoj Grupin Ndërministror për Decentralizim, si dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për punën e mirë që kanë bërë së pari në themelimin e grupit punues, e pastaj edhe në themelimin e mekanizmave të tjerë për implementimin sa më të mirë të procesit të decentralizimit.

Përmbyllja me sukses e punës së këtij grupi është e një rëndësie të veçantë posaçërisht për Republikën e Kosovës si shteti më i ri i ndërtuar mbi bazën e shumë – etnicitetit me përkushtim maksimal ndaj respektimit dhe garantimit të të drejtave të komuniteteve.  

Katër vite kanë kaluar që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Pjesë e pandashme e projektit të shtetndërtimit dhe vizionit tonë të Kosovës shumëtnike, në integrimin e komuniteve që nga ajo kohë ka qene dhe ështe Plani i Ahtisarit, e me këtë edhe procesi i decentralizimit, i cili ka arritur qëllimin e tij:

Pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje që është element thelbësor i demokracisë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Që nga krijimi i shtetit të Kosovës, parimet udhëzuese të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në promovimin dhe avancimin e të drejtave të komuniteteve janë bazuar në dy shtylla.

–         Së pari të drejtën për jo-diskriminim në gëzimin e të gjitha të drejtave dhe lirive të njeriut.

–         Dhe së dyti, të drejtën për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit përmes lirisë për të praktikuar dhe shfrytëzuar ato aspekte të veçanta dhe të patjetërsueshme të jetës së tyre si komunitete, me theks të veçantë kulturën, fenë dhe gjuhën.

Mbi këto baza Qeveria e Kosovës ka bërë arritje të dukshme në garantimin ligjor  të drejtave të komuniteteve, për çka  mund të them pa hezitim se jemi model për vendet e rajonit dhe më gjerë.

Këto të drejta janë të garantuara me dokumentin më të lartë juridik, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.  

Qeveria e Kosovës, si krijuese e politikave dhe institucionet tjera në procesin e decentralizimit kanë ndërmarr hapa të rëndësishëm për përmirësimin e mëtejshëm të legjislacionit dhe strategjive me qëllim të gjetjes se modaliteteve më të mira  për  përmirësimin e procesit.

Një rol të rëndësishëm po ashtu ka luajtur edhe bashkësia ndërkombëtare dhe organizatat donatore që kanë mbështetur procesin e decentralizimit në forma të ndryshme, të cilat shfrytëzoj rastin t’i falënderoj.

Sigurisht, autoritetet vendore janë bartësit kryesor të procesit dhe mund t’i përgjigjen më mirë nevojave të qytetarëve dhe  përmirësojnë cilësinë  e shërbimeve që i ofrohen qytetarëve.

Bazuar në shembujt e suksesit lidhur me decentralizmin dhe krijimin e komunave te reja në Kosovë,  lirisht mund të themi që kemi shënuar progres substancial në përmirësimin e klimës ndër etnike dhe integrimin e minoriteteve. Kemi arrituar që qytetarëve t’u mundësojme të vendosin vetë për gjërat që ndërlidhen me vetë-qeverisjen lokale.  

Ne kemi parasysh të arriturat e vazhdueshme në këtë proces, por gjithashtu kemi parasysh sfidat dhe vështirësitë në drejtim të avancimit të demokracisë dhe qeverisjes së mirë në vend.

Sepse, garantimi ligjor mund të jetë sfidues nëse për zbatimin e tij nuk punojnë si udhëheqësit dhe vetë punëtoret e institucioneve në njërën anë, dhe vetë pjesëtarët e komuniteteve në anën tjetër. 

Prandaj, një bashkëveprim i këtyre dy grupeve është më se i rëndësishëm për të gjithë akterët e këtij procesi, për të avancuar rolin e tyre në proces dhe për tu ri-fokusuar në rritjen e demokracisë dhe qeverisjes së mirë në të gjithë vendin.

Duke pasur parasysh që Kosova është në fazën përmbyllëse të mbikëqyrjes së pavarësisë, procesi i decentralizimit hyn në një fazë  përmbyllëse të rëndësishme të implementimit dhe sigurisht ky do të jetë vendimtar, në veçanti duke pasur parasysh periudhën e ardhshme për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike.

Prandaj, të gjithë qytetarëve të Kosovës mund t’u them me këtë rast që t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre të pa tjetërsueshme dhe të jenë të vetëdijshëm se Kosova është shtëpi e të gjithëve pa dallim. Edhe një herë më lejoni të përgëzoj grupin ndërministror për decentralizim, dhe për punën që është bërë deri tani.

Ky takim përmbyllës është shenjë që vetëm sa konfirmon përkushtimin e  Republikës se  Kosovës që premtimet e bëra për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë do të zbatohen edhe në praktikë.

Ju faleminderit.    

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors