20 prill 2011
I nderuari rektor i Universitetit AAB-Riinvest,
Të nderuar profesorë,
Të nderuar studentë,
Me lejoni që fillimisht të falënderoj të gjithë stafin akademik të Universitetit AAB-Riinvest, dhe në veçanti dua të iu falënderoj juve të nderuar studentë duke iu dëshiruar shumë suksese në karrierën tuaj.
Për mua është kënaqësi e veçantë që të shpalos dhe diskutoj bashkë me juve, disa nga elementet thelbësore të PRIORITETEVE TË ZHVILLIMIT EKONOMIK TË KOSOVËS PËR PERIUDHËN 2011-2014.
Ju tashmë e dini se procesi i hartimit të prioriteteve për zhvillim ekonomik të secilit shtet, paraqet një ndër detyrat me të vështira të çdo qeverie.
Kështu ndodhë edhe me Kosovën, mirëpo unë jam impresionuar me përkushtimin e të gjithë atyre ekspertëve të cilat kanë dhënë shumë mund dhe energji për përpilimin e këtyre prioriteteve për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Duhet ta theksoj edhe një fakt se hartimi i kësaj platforme për zhvillim ekonomik të Kosovës është bërë në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e SHBA-ve, me Komisionin Evropian, Bankën Botërore dhe DIFID-in e Mbretërisë së Bashkuar.
Platforma e përgatitura, është një platformë reformatore e zhvillimit ekonomik, dhe bazohet kryesisht në sektorin privat, për një shoqëri me standard më të mirë jetësor dhe për Kosovës evropiane.
Në këtë PLATFORMË REFORMATORE TË ZHVILLIMIT EKONOMIK janë identifikuar prioritetet strategjike dhe politikat e nevojshme për t’u zbatuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe për t’u përkrahur nga akterët tjerë të interesit me qëllim të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve të Kosovës.
Kjo platformë është reflektim dhe derivon nga Programi i Qeverisë së së Republikës së Kosovës.
Andaj, prioritetet kryesore përfshijnë zhvillimin ekonomik, qeverisjen e mirë, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe mirëqenien sociale.
Platforma është bazuar në analizat ekzistuese mbi sfidat dhe mundësitë e rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, dhe është me të vërtetë një përmbledhje e përpjekjeve dhe punës së të gjitha institucioneve qeverisëse të Republikës së Kosovës.
Ekonomia e Kosovës ka tejkaluar krizën ekonomike botërore duke shënuar gjithnjë rritje reale ekonomike pozitive.
Gjatë vitit të kaluar rritja reale ekonomike ka qenë 4.6%. Për vitin 2011, parashikimet për rritje reale ekonomike sillen prej 5.3% deri në 5.9%.
Për periudhën 2011-2014, PRIORITETET E ZHVILLIMIT EKONOMIK parashohin disa synime themelore.
Ndër më të rëndësishmet janë rritja reale ekonomike prej 7-8 % dhe ulja e papunësisë, gjegjësisht ulja prej 8-10% e numrit të përgjithshëm të papunësuarve të regjistruar.
1. Rritja dhe zhvillimi ekonomik do të bazohen kryesisht në:
– Zhvillimin e sektorit privat, duke përfshirë edhe investimet e jashtme direkte;
– Përmirësimin infrastrukturës fizike përmes Partneriteteve Publiko-Private dhe kapitalit privat;
– Revitalizimin e Bujqësisë;
– Politikën fiskale të favorshme mirëpo gjithnjë duke ruajtur stabilitetin dhe qëndrueshmërinë makrofiskale.
2. Ulja e papunësisë do të bazohet kryesisht në:
– Zhvillimin e sektorit privat si gjenerator i aktivitetit afarist dhe
– Kalimin nga ekonomia joformale në atë formale
Po ashtu, Qeveria e Kosovës zotohet se politikat ekonomike do të kenë gjithmonë parasysh nevojën për përshtatjen e ambientit ekonomik të vendit tonë me standardet e nevojshme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, në pajtueshmëri me vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Në vazhdim do të prezantoj prioritetet dhe politikat ekonomike sipas sektorëve ekonomikë:
1. Infrastruktura – Projektet kapitale
• PTK – privatizim
• KEDS – privatizimi i distribucionit dhe furnizimit në KEK
• Kosova e Re – Partneritet Publiko-Privat
• Rehabilitimi i Kosovës B deri në vitin 2017
• Mbyllja e Kosovës A deri në vitin 2017
• Linja e transmisionit me Shqipërinë
• Hidrocentrali i Zhurit deri në 2015
• Sektori i minierave
i. Përgatitja e modaliteteve të ndërlidhura me riaktivizimin e TREPÇËS
• Brezovica
i. Privatizimi i infrastrukturës ekzistuese
ii. Zgjerimi i infrastrukturës përmes Partneritetit Publiko-Privat
2. Infrastruktura – Projektet me prioritetet
• Rruga 7 – Durrës – Morinë – Prishtinë – Merdare – Nish
• Korridori 10 (dhjetë) – Durrës-Prishtinë-Nish
• Rruga 6 – Shkup-Prishtinë-Mitrovicë-Podgoricë përmes Partneritetit Publiko-Privat
• Vazhdimi i punës në rrugët M2 dhe M9 në drejtim të Mitrovicës dhe Pejës
• Definimin e statusit të Stacioneve të Autobusëve
• Linja hekurudhore Maqedoni-Kosovë-Serbi
3. Bujqësia
• Rritja e buxhetit në 3% gjatë vitit të ardhshëm
• Zëvendësimi i importeve për produktet bazë ushqimore
• Rritja e eksporteve
• Forcimi i shërbimeve këshillimore
• Përmirësimi i kapaciteteve infrastrukturore
4. Përmirësimi i mjedisit afarist
• Arritja ne top 40-she përmes përmirësimit të pozitës në kuadër të studimit të Bankës Botërore “Të bërit biznes”
• Reforma gjithëpërfshirëse duke eliminuar 50% të licencave dhe lejeve
• Përmirësimi i kapaciteteve inspektuese
• Përmirësimi i kornizës legjislative dhe zhvillimi i databazës së akteve ligjore me qëllim të rritjes së transparencës
• Rritja e formalizmit vullnetar të aktivitetit ekonomik
• Përmirësimi i lidhjes në mes të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme me qëllim të përkrahjes së promovimit të jashtëm ekonomik dhe tërheqjes së investimeve të jashtme
• Krijimi i taskforcës për Reformën e të Bërit Biznes
• Miratimi i pakos së Reformës së të Bërit Biznes nga Kuvendi i Republikës së Kosovës
PO –
Kosova mund të ketë një rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Mirëpo, kjo nuk është e lehtë.
Nuk kërkon vetëm vullnet të mirë, e as nuk është rrugë që mund ta bëjmë vetë, si një individ, një parti, apo një institucion.
Rruga drejt rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, që do t’i mundësojnë qytetarëve të Kosovës standard jetësor të njëjtë me atë të qytetarëve nga shtete të zhvilluara, është rrugë e përkushtimit, bashkëpunimit, vendimeve të menduara mirë, vendimeve të guximshme, dhe vendimeve të besueshme.
Në këtë rrugë, është e pakontestueshme rëndësia e burimeve të zhvillimit.
Mirëpo, qëndrueshmëria e rritjes dhe zhvillimit ekonomik në ditët e sotme perveç posedimit të burimeve për zhvillim, qofshin ato natyrore, njerëzore, financiare, apo kapitalit produktiv, ndërlidhet ngushtë me qeverisjen e mirë.
Zhvillimi ekonomik është një obligim të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës është zotuar se do ta realizojë në të mirë të qytetarëve të Kosovës.
Prandaj, kjo është një sfidë të cilën unë si Kryeministër, së bashku me Kabinetin tim, jemi të gatshëm ta pranojmë dhe jam i bindur se do të kemi sukses.
Ju faleminderit!
